Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të ndarë për Mitrovicën shumën prej 1.789.676 euro, për mbulimin e obligimeve në kategorinë e investimeve kapitale, është mirëpritur nga drejtuesit e komunës dhe qytetarët e Mitrovicës.
Kryetari i kësaj komune, Agim Bahtiri është shprehur se është ky lajmi më i mirë për drejtuesit e komunës dhe qytetarët e Mitrovicës, sepse Qeveria e Kosovës i ka parë si të arsyeshme plotësisht kërkesat e komunës së Mitrovicës dhe qytetarëve të saj.
“Qeveria e Kosovës na i ka uruar festat e fundvitit në mënyrën më të mirë të mundshme, duke na e nda shumën prej 1.789.676 euro, për mbulimin e obligimeve në kategorinë e investimeve kapitale. Me këtë veprim Qeveria e Kosovës ka treguar interesimin dhe përkushtimin e vet, si asnjë qeveri deri tash, për të mbështetur Mitrovicën në rrugën e saj për të zgjidhur problemet e shumta e të ndryshme të grumbulluara vite me radhë” është shprehur Bahtiri, transmeton Klan Kosova.
Ai duke e falënderuar Qeverinë për këtë mbështetje shumë domethënëse për Mitrovicën, ka shtuar se Komuna e Mitrovicës ka një bashkëpunim shumë të mirë me këtë qeveri edhe përpara këtij vendimi.
“Më duhet të falënderoj publikisht qeverinë e Kosovës dhe ministritë përkatëse për mbajtjen e premtimeve të dhëna se Mitrovica do të jetë prioritet i qeverisë dhe ministrive, pikërisht për faktin se ajo është lënë pas dore në të kaluarën dhe nuk i është kushtuar vëmendje e duhur për zgjidhjen e problemeve”, ka përfunduar ai.