Lajmet e fundit

Delawie: Kosova duhet të orientohet në një drejtim

Ambasadori i Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, në një shkrim autorial të tijin, është shprehur se Kosova pati suksese gjatë vitit 2015, mirëpo se sfidat për shtetin vazhdojnë dhe se ende ka shumë për të bërë që të konsolidohet e t’i drejtohet Bashkimit Europian për integrim.

Ai ka shkruar se lajme të mira për vendin gjatë vitit që po lëmë pas, është nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian e po ashtu edhe kualifikimi i Kosovës nga , Korporata për Sfidat e Mijëvjeçarit, një program që do t’i ndihmojë Kosovës në zhvillim e transformim. Në mesin e lajmeve të mira ai ka radhitur edhe marrëveshjet me Serbinë, mirëpo nuk përmend votimin pro të parlamentit për themelimin e Gjykatës Speciale.

Ambasadori Delawie ka shkruar se shteti që ai përfaqëson në Kosovë, Amerika, është besimplote se Kosova do t’ia arrijë që të jetë pjesë e organizatave perëndimore, pavarësisht vaktit se ky integrim po shkon më ngadalë nga sa do të dëshironim ne.

Në mesin e gjërave që Delawie ka listuar në këtë mesazh të publikuar në faqen zyrtare të Ambasadës së Amerikës në Kosovë, thotë se dhuna e opozitës në parlament, ka kërcënuar rendin demokratik në Kosovë duke e penguar punën e Kuvendit që është i qytetarëve të Kosovës.

Në fjalën e tij, ambasadori thotë se ka ardhur Koha që Kosova të vendosë se cila është rruga që dëshiron të ndjekë.

Ky është shkrimi i plotë autorial i Greg Delwie – Ambasadorit të Amerikës në Kosovë:

2015-a në Kosovë ishte vit i sukseseve dhe i sfidave.  Më lejoni t’ia filloj me lajmet e mira.  Vitet e negociatave të vështira dhanë fryt në tetor kur Kosova dhe BE-ja nënshkruan një Marrëveshje të Stabilizim-Asociimit – marrëveshja e parë kontraktuale për çdo shtet që mëton t’i bashkohet Bashkimit Evropian.  Në korrik, Kosova dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar përmbyllën marrëveshjen e re stand-by që mundëson përfitimin e kapitalit për shpenzim për rritje ekonomike dhe avancon reformat kyçe ekonomike.  Në gusht, BE-ja ndërmjetësoi në arritjen e katër marrëveshjeve me Serbinë për energjinë, telekomunikimin, themelimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe dhe për lirinë e lëvizjes.  Në dhjetor, Korporata për Sfidat e Mijëvjeçarit njoftoi se Kosova kualifikohet për një program të përmbledhur që do të ndihmojë në transformimin e vendit përmes financimit të programeve që krijojnë vende pune dhe luftojnë korrupsionin.  Të gjitha këto janë zhvillime të rëndësishme që do t’i ndihmojnë Kosovës për të pasur një të ardhme më të ndritur.

Sfidat janë të qarta për të gjithë ne: papunësia vazhdon ta pengojë potencialin e qytetarëve të Kosovës, veçanërisht rinisë.  Integrimi në Evropë po ec më ngadalë se sa që do të dëshironin shumë njerëz.  Korrupsioni vazhdon ta ulë besimin e qytetarëve në qeverinë dhe t’i kufizojë investimet e nevojshme për rritje të vërtetë ekonomike.  Në fund për nga radha, por jo edhe për nga rëndësia, disa deputetë vazhdimisht kanë dhunuar parimet themelore të debatit demokratik dhe në vend të kësaj përdorën sprejin djegës dhe gazin lotsjellës për ta penguar Kuvendin që të punojë për të mirën e qytetarëve të Kosovës.

Në prag të 2016-tës, Kosova duhet të vendosë se cilën rrugë do ta ndjekë.  A do ta vazhdojë rrugëtimin e saj drejt integrimit evropian duke e ndërtuar demokracinë e saj?  Kjo gjë do të kërkojë nga publiku që të thotë “mjaft” dhe të këmbëngulë në ndërmarrjen e veprimit kundër korrupsionit.  Do të kërkojë ndërmarrjen e hapave të vështirë, por të domosdoshëm për nxitjen e rritjes ekonomike.  Po ashtu, do të kërkojë marrëdhënie më të mira me fqinjët e saj, përfshirë edhe me Serbinë.  Apo, ndoshta Kosova do ta ndjekë një shteg tjetër: atë që çon drejt nacionalizmit, ksenofobisë dhe stagnimit?  Shpresoj se e përzgjedh të parën.

Përparimi drejt të ardhmes kërkon që institucionet demokratike të Kosovës të funksionojnë.  Demokracia mund t’i shërbejë popullit vetëm atëherë kur institucionet janë të forta dhe prijësit e tyre bashkëpunojnë dhe arrijnë kompromise.  Bizneset do të investojnë në Kosovë vetëm atëherë kur janë të bindura se rendi e ligji respektohen dhe që korrupsioni nuk do të tolerohet.  Fatkeqësisht, kur bota shikon kah Kosova këto ditë ajo nuk sheh institucione funksionale.  Ajo sheh re të gazit lotsjellës në Kuvend dhe koktej molotovi në Sheshin Nëna Tereze.  Askush nuk duhet të jetojë me iluzione – dhuna në Kuvend nuk ka vend në një demokraci.  Ajo pengon përparimin ekonomik dhe dëmton reputacionin ndërkombëtar të Kosovës.  Shpresoj se ata që po e sulmojnë demokracinë e Kosovës për qëllimet e tyre vetanake do t’i rishikojnë veprimet e tyre në Vitin e Ri.  Shpresoj se do të dalin hapur para popullit të Kosovës lidhur me qëllimet e tyre të vërteta.  Shpresoj se do t’i pranojnë ofertat për dialog që janë bërë vazhdimisht, por janë shpërfillur.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të besojnë se Kosova do ta arrijë integrimin e plotë në Bashkimin Evropian, NATO dhe në Kombet e Bashkuara.  Për ta arritur këtë, ajo duhet t’i normalizojë marrëdhëniet me fqinjët e saj, përfshirë edhe me Serbinë.  Ne besojmë se mënyra më e mirë për ta arritur këtë është të vazhdojë të negociojë dhe t’i zbatojë marrëveshjet e arritura përmes bisedimeve të lehtësuara nga BE-ja, të cilat tashmë i kanë sjellë Kosovës përfitime të shumta konkrete.  E kuptojmë se sa i vështirë është ky dialog për të gjitha palët, por siç ka thënë Sekretari Kerry gjatë vizitës së tij këtu: “aftësia për të  marrë vendimet e vështira të nevojshme për të mirën e vendit quhet lidership”.

Sekretari Kerry po ashtu ka dërguar porosi të qartë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do ta mbështesin asnjë hap që cenon sovranitetin apo integritetin territorial të Kosovës.  Sot, përderisa shikojmë kah Viti i Ri, e theksoj sërish atë premtim.  SHBA-ja e vlerëson partneritetin me Kosovën dhe është krenare me atë që kemi arritur së bashku.  Ne besojmë në të ardhmen e Kosovës dhe presim që të punojmë me popullin, prijësit, qeverinë dhe shoqërinë civile të Kosovës për ta shkruar një rrëfim edhe më të mirë në 2016-tën.

Leave a Reply

Your email address will not be published.