Ish kryetari i Kosovës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Fatmir Sejdiu, një ditë para ndërrimit të motmoteve, ka shkruar në profilin e tij në Facebook duke radhitur të gjitha ngjarjet e rëndësishme që e përcollën Kosovën gjatë këtij viti, të cilin e ka cilësuar si të rëndë.
Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se bisedimet me Serbinë, duke thënë se Serbia është mashtruese dhe se e ka strategjinë e saj mbi Kosovën. Ndërsa, për pamundësinë e Kosovës për të qenë pjesë e UNESCO-s, ai thotë se ishin qeveritarët ata që e dëmtuan këtë proces.
Në fund ai shton se Kosova është pranë rrezikut për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme në të cilën ndodhet vendi.
Ky është postimi i plotë i Sejdiut në Facebook:
Një vit i rëndë
Erdhi fundi i njjë viti të vështirë për Kosovën. U nis me projekte të përfolura në të gjitha rrafshet. Pas gjashtë muajsh të humbura pas zgjedhjeve të qershorit 2014, tani bile do të përmbushen premtimet e bashkëdyzuara. Ishin të mëdha. Edhe pozita e tanishme e projektuar disa muaj para zgjedhjeve të qershorit e , edhe opozita e tanishme e mashtruar në gjashtë muaj rresht nga “partneri” i saj i parë e nisën këtë vit me ngarkesë e hidhërime, duke pritur vetëm rastin e një kauze më madhore për përplasje. Ajo erdhi. Dy tema të mëdha që vendi i pati para veti : bisedimet me Serbinë dhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, u bënë të bollshme për të mos pasur funksionim normal të institucionit më të lartë përfaqësues të vendit, pothuajse në gjithë gjysmën e dytë të këtij viti.
Bisedimet me Serbinë
U nisën si u nisën. Gjithmonë e kam çmuar qasjen se me Serbinë kemi nevojë të bisedojmë me qëllim të relaksimit të marrëdhënieve midis dy vendeve. Ka shumë tema që mund t’i shërbejnë këtij qëllimi. Por, gjithmonë dhe gjithmonë me një kujdes të veçantë dhe gjithmonë bashkë me miqtë e dëshmuar të Kosovës. As vitet e mëhershme pas shpalljes së pavarësisë , e as tani Serbia nuk ka pushuar së insistuari se çështja e statusit të Kosovës nuk është zgjidhur.
Kjo çështje, sipas saj duhet rihapur dhe mu për këtë ka bërë përpjekje nga më të ndryshmet për të mbajtur dhe për të ngritur tensione të natyrave të ndryshme, të cilat kanë pasur dhe kanë për qëllim destabilitetin e saj për të “vërtetuar “ kështu “”argumentin e saj” se “Kosova ka qenë dhe mbetet faktor i destabiletit në rajon”.
Thënë shkurt, bisedimet ashtu siç edhe shprehu mendimet Gjykata Kushtetuese e Republikës, kishin rrëshqitur jashtë binarëve normal, duke thyer kështu dispozita të saj. Pra, del se qasja në to nuk ishte e përputhshme me Kushtetutën e vendit. Në esencë nuk ishte e përputhshme edhe me Propozimin gjithëpërfshirës të Ahtisaarit, të cilin ose nuk e kanë kuptuar mirë, ose në variantin më të keq, te kenë menduar se është i harruar dhe nuk i bie ndërmend njeriu, se ai në të vërtetë paraqet kornizën kryesore (dalë nga bisedimet për statusin), në të cilën është mbështetur akti i Pavarësisë së vendit.
Në këtë gjendje , kemi dy situata interesante. E para, Qeveria e cila ka udhëhequr bisedimet, këmbëngultazi dhe në mënyrë ortodokse ka qëndruar në deklarimet se “gjithçka është e përputhshme me Ahtisaarin” dhe kjo këmbëngultësi shprehet edhe pas qëndrimit të Gjykatës, që realisht është qasje shumë joserioze dhe e dyta, forca kryesore opozitare Vetëvendosja lidershipi dhe anëtarësia e së cilës ishin shprehur kundër Propozimit të Ahtisaarit, vejnë në spikamë mosrespektimin e tij.
Nga këto pozita vështirë se mund të lëvizet suksesshëm para. Qeveria e Kosovës, ka bërë një shkelje të llojit të vet në këtë proces të ndjeshëm. Në vendet ku ka demokraci të mirëfilltë dhe përgjegjësi reale që buron ndërgjegjja dhe vetëdija e lartë shtetndërtuese, në rastin më të butë, ekipi që i ka udhëhequr bisedimet, përkatësisht udhëheqësi i tij, do të ishte tepër e papërshtatshme dhe jashtë interesit shtetëror t’i rinisë ato.
Në rastin e parë që ai do ta ketë në përballjen në tavolinën e bisedimeve, do të pyetet: a jemi marrë vesh së bashku ? A keni deklaruar se gjithçka është e përputhshme me Kushtetutën tuaj?
Cila do të ishte përgjigjja? Serbia vet ka mashtrues të shumtë. Mashtrimi do të ishte “art” që e mashtron palën tjetër dhe si i tillë ani pse i kundërt me etikën njerëzore, mund të kapërdihet. Fundja, Serbia gjithë strategjinë e saj e ka të mbështetur në këtë filozofi. Mirëpo, mashtrimi i qytetarëve të vendit tënd, nuk mund të kuptohet. Këtu nuk ka alkimi.
Me gjithë të metat që I ka Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në këtë temë. Megjithatë një përgjigje e dha.
Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi
I nisur si në lojë. Me garanci dhe pompë. Pa “deftere” të bollshme. I deklaruar si i “skicuar mirë” dhe se “asnjë pëllëmbë e Kosovës nuk do të mungojë”. Dhe tani, “është biseduar me Kryeministrin e Malit të Zi, ka mundësi korrektimi”?! A ka pasur nevojë të kapërcehet nëpër këso kohe dhe me këso qasjesh. Sigurisht se jo. Me Malin e Zi, në këtë dekadë e gjysmë janë dhënë prova të mira të raportet reciproke.
Nuk besoj se as njëri dhe as shteti tjetër do ta kenë mirë, po që se ushqejnë ambiciet për të marrë “ qoftë edhe një centimetër” të tokës së vendit tjetër. E rëndësishme është që kjo të përpunohet mirë në nivel ekspertësh. Për këtë vijë kufiri ka kallëzime dhe dokumente të shumta e të argumentuara. Më mirë është të studiohen më thellë.
UNESCO
E pritëm me gëzim. Në mundësitë e mia e përkraha vendimin pozitiv të Bordit Ekzekutiv të UNESKO-së për të proceduar më tej me pranimin e saj definitiv në Asamblenë e Përgjithshme. Në Prishtinë, njerëzit ishin në ekstazë. Lavdi dhe pompoziteti i zyrtarëve të lartë në Qeveri për të arritur të madhe, filluan ta dëmtojnë kauzën. Dhe përnjëherë: një përgjigje e rëndë. Një hidhërim qytetar në vendet që nuk na mbështeten dhe sidomos në ato që kanë njohur pavarësinë.
Ata mbase kanë harruar thënien e urtë shqiptare “ Është vështirë ta bësh dikë mik, po edhe më vështirë ta mbash miqësinë me të”. Dhëntë Zoti e të mos jenë miqësi të humbura.
Sa unë di, miqtë e vërtetë kanë sugjeruar se “ne do të mundohemi të ju ndihmojmë, por mos të ngutemi shumë me këtë kërkesë”.
Për fund
E rrezikshme për një vend është kur gjendja anormale bëhet përditshmëri. Migrimet e dhembshme për në Evropë, “pa iphone dhe me iphone”. Fatkeqësisht u bënë pjesë e të përditshmes me tym në Kuvend. E ndarjes së deputetëve pozitë e opozitë. Me seanca në salla alternative.
Me arrestime dhe thirrje në “forcën e pushtetit”. Sivjet pa liberalizim të vizave, deri në motin tjetër pa UNESCO-në ?. Me një lëvizje më të vogël në GDP.
Një vit i rëndë. Po, populli thotë: “Mos na raftë me e harrue!”