Lajmet e fundit

Në Kosovë këtë vit lindën më së shumti vajza, ja emrat më të shpeshtë

Viti 2015 kishte nisë me vajza dhe gjatë gjithë vitit prinin në lindje. Meshkujt përbëjnë pjesën prej 48 për qind të bebeve që kanë lindur këtë vit në Kosovë, kurse vajza 52 për qind.

Secili vit ka një trend të emërimit të foshnjave. Por, te lindjet që u bënë në Prishtinë gjatë vitit 2015, prijnë pothuajse emrat e njëjtë që kanë qenë në vitin 2014, e që më së shpeshti janë emrat fetar dhe ata të shkurtër.

Gjithashtu, viteve të fundit janë bërë trend edhe emrat pa kuptim, apo vetëm bashkimi i inicialeve të para të prindërve.

Gjatë këtyre dy viteve, emri i cili është përdorur më së shumti në Klinikën Gjinekologjike në Prishtinë, nga prindërit për t’i pagëzuar fëmijët e tyre, ka qenë Amar.

Sipas zyrtarit për gjendje civile në zyrën për regjistrimin e të porsalindurve në Klinikën Obstetrike, Gjinekologjike në Prishtinë, Muhamet Ramadani, nuk kalon ditë pa i regjistruar të paktën 3 fëmijë me emrin Amar.

Pas Amarit, sipas tij, prijnë emrat Anuar, Omar, Omer, Aron, etj. Ndërsa, tek vajzat emrat më të shpesh janë Bora, Dea, Lea etj.

Ramadani: Amari është emri më i shpeshtë edhe në këtë vit

“Emrat në këtë vit gati vetëm përsëriten nga viti i kaluar, ka edhe emra të rinj por më i shpeshti është emri Amar, Omar, Omer, Dea, Bora, Sulea, Dion, Aron, Edi që përsëriten shumë shpesh. Ka edhe emra që i trashëgojnë p.sh të gjyshes dhe të gjyshit por janë shumë më të rrallë, bile në këtë vit ka shumë pak emra që përtërihen nga emrat e vjetër…Emrat e qyteteve si p.sh Vlora, Berat, nuk ka. Në këtë vit nuk mund të mbaj në mend që është regjistruar ndonjë emër prej qyteteve ose vendeve si Ulpiana”, tha Ramadani për KosovaPress.

Vetë prindërit, tregojnë se ata i preferojnë më së shumti tash emrat e shkurtër, por që e kanë nga një kuptim, pasi janë më të lehtë për t’u shqiptuar.

Besim Krasniqi, i cili kishte ardhur për ta regjistruar djalin e tij, Anuarin, thot ë për KosovaPress se i ka pëlqyer ky emër për shkak se ai është fetar.

Krasniqi: Anuar ka kuptim dhe është emër fetar

“Është emër fetar, mysliman dhe i vazhdojmë tradita myslimane… Anuar që i bie vezullues… po ka edhe emra modern, sipas dëshirës së prindërve por ne familjarisht kemi vendo të ia lëmë emrin Anuar”, tha Krasniqi.

Prindi Besnik Uka, i cili e pagëzoi vajzën e tij me njërin ndër emrat më të shpesh të vajzave, Bora, tha për KosovaPress se ai me bashkëshorten e tij kanë pasur dy arsye pse ia kanë vendosur këtë emër.

Uka: Ka qenë dëshirë e gjyshes

“Vajza do të quhet Bora për shkak se gjyshja e saj ka vendosur dhe jemi pajtuar edhe ne me të. Ka qenë një emër i shkurtër, shqip dhe na ka pëlqyer të gjithëve… jemi kundër emrave pakuptim, jemi për emra me kuptim, dhe pro atyre shqiptar… gjithashtu edhe për shkak se është fundi i vitit dhe jemi në stinën e dimrit dhe kem menduar se nëse ia lëmë emrin Bora do na gëzoj me borë”, tha Uka.

Mehmet Gashi, tha se ai së bashku me të shoqen ia kanë lënë emrin djalit Orges. Sipas tij, ky emër është nga fisi Ilir dhe nuk është shumë i shpesh.

Gashi: Mendojmë që emri Orges është i rrallë

“Kemi vendos me shoqen së bashku që t’ia lëmë emrin Orges, kam dëgjuar një herë për këtë emër dhe kemi parë që është i rrallë dhe emër i ri… ka kuptim, ka prejardhje ilire”, tha Gashi.

Gjatë vitit 2015 në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, janë bërë 10 mijë e 645 regjistrime të akteve të lindjes, bashkë me regjistrimet e më vonshme. Do të thotë nuk janë bërë vetëm regjistrime e fëmijëve që kanë lindur gjatë vitit 2015, por ka pasur edhe regjistrime të më vonshme, madje edhe të vitit 2000.

Leave a Reply

Your email address will not be published.