Ish kryetar i LDK-së në Gjermani, Hafiz Gagica dhe kryetar i Kolegjiumit të degëve në Perëndim (ShBA, Kanda dhe Australi), si dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit Historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, ka thënë se nuk mund të ketë shtetndërtim të mirëfillt pa ikjen e Isa Mustafës.
Më poshtë mund ta lexoni një intervistë me të:
Z. Gagica, pas vendimit të Gjykatës sonë kushtetuese përkitazi më marrëveshjen e nënshkruar midis qeverisë sonë dhe asaj të Serbisë në Bruksel për formimin e “Zajdenicës” serbe në Kosovë, doli të jenë bërë një sërë shkeljesh kushtetuese. Përpos reagimeve të opozitës, ju dolët më një kërkesë të qartë:” Ikë, Isa Mustafa”! A do të thotë kjo se ju po kërkoni dorëheqjen e tij nga posti i kryetarit të LDK-se dhe nga ai i kryeministrit, ku e mbështetni këtë kërkesë?
H. Gagica: Qeveria Mustafa-Thaçi në kontinuitet të qeverive të mëparshme ka vazhduar me shkelje të ligjeve dhe të Kushtetutës, kështu që shkelja e ligjit dhe e kushtetutshmërisë së vendit është akt penal i cili bartë konsekuenca të përgjegjësisë individuale dhe shtetërore. Në rastin konkret bëhet fjalë për Asociacionin e komunave serbe në Kosovë, dhe siç ka konstatuar Gjykata Kushtetuese, ajo marrëveshje bie ndesh më Kushtetutën e Kosovës në 23 nene, dhe, nëse e shikojmë realisht, Qeveria e Kosovës në vazhdimësi ka bërë shkelje të kushtetutshmërisë. Pra, jo vetëm me këtë rast. Siç e dimë, komunat e reja serbe dhe ligji mbi pushtetin lokal e deri tek Asociacioni i komunave serbe, e të cilat i kishte miratuar qeveria dhe legjislacioni i mëparshëm, nënshkrimi i kësaj marrëveshje nga Isa Mustafa, ishte një gabim i pafalshëm si kryeministër i Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht edhe kryetar i LDK-së. Të njëjtin gabim e bëri edhe me nënshkrimin e marrëveshjes së Demarkacionit kufitar më Malin e Zi dhe si rezultat i kësaj verbërie politike si dhe shumë veprimeve të tjera të pamatura, duke filluar nga fjalori i tij vulgar në komunikim me opozitën dhe deri tek arroganca qeverisëse, dëshmon qartë se ai nuk është person i duhur që mund t’i jap vendit tonë impulse zhvillimore dhe frymë demokratike! Prandaj, kërkoj që ai duhet të largohet, nga posti i të parit të LDK-së, e edhe nga ai i kryeministrit të Kosovës, në mënyrë që t’i krijojë hapësirë brezit të ri intelektual që të udhëheq me vendin i cili nuk ka kurrfarë hipotekash nga e kaluara politike e tij !
A është e njëjtë kërkesa juaj e cila konvergjon plotësisht më kërkesat e opozitës për dorëheqjen e kryeministrit, sepse dihet se Isa Mustafa është ai i cili e mashtroi opozitën e tashme kur bashkërendiste aktivitetin më të në emër të LDK-së për ta dërguar në opozitë PDK-në duke e mbajtur peng gjashtë muaj moskonsolidimin e institucioneve të shtetit të Kosovës, kur në fund u hodh në prehrin e H. Thaçit duke bërë më PDK-në koalicion qeverisës krejtësisht joparimor dhe në kundërshtim më vullnetin e elektoratit të LDK-së?
H. Gagica: Jo nuk konvergjon me kërkesat e opozitës. Përkundrazi. Unë gjatë gjithë kohës i kam sugjeruar publikisht kryeministrit Mustafa që të ketë kujdes me mënyrën se si po e qeverisë vendin, i kam kërkuar të ketë kujdes në sjelljet e tij të pahijshme me publikun si dhe të jetë më i përkushtuar në dobi të interesave të qytetarit dhe atyre shtetërore, e jo që Kosovën ta shndërrojë në çiflig personal dhe familjar. Siç i kam kërkuar edhe para zgjedhjes së tij kryetar partie që të heq dorë nga kandidimi për pozitën e kryetarit të LDK-së. Sepse ,siç e keni parë edhe ju, ai gjatë tërë kohës ishte shumë i lodhur dhe nuk kishte ide kreative, ndërsa vendi ynë ka nevojë për një dinamikë të re, për një lidership të aftë psikikisht dhe fizikisht, që ta udhëheq partinë dhe vendin me metoda perëndimore, të kemi lider të pakontestueshëm dhe pa njolla, kurse ai megjithatë u zgjodh dhe siç dihet Kuvendi zgjedhor i LDK-së zgjati krejt 2 orë, vetëm sa për ta legjitimue se kryetar u zgjodh Isa Mustafa, me vetëm dy vota kundër: atë të kryetarit të Degës në Prizren dhe votën time! Ndërsa, thirrja ime e tanishme drejtuar kryeministrit Mustafa që të ikë nga posti i kryetarit të partisë është e bazuar në analizat e mia të bëra me shumë kujdes! Ikja e Mustafës nga posti i kryeministrit dhe ai i kryetarit të LDK-së do hapte një kapitull të ri reformues dhe demokratik në Kosovë, por para së gjithash do fillonte një etapë e re e marrjes së përgjegjësive politike nga secili politikan dhe udhëheqës dhe kështu do i jepte impuls pozitiv akteve morale siç është dorëheqja dhe pranimi i përgjegjësive politike, pa marrë parasysh se kush je dhe nga cili subjekt politik vjen..! Ju po e shihni se ka një vit e gjysmë dhe vendi ynë nuk po qetësohet, kurse fajtorët kryesorë për këtë situatë të rëndë politike janë vetëm ata të cilët e bënë këtë koalicionin të famshëm qeverisës, i cili bazë të funksionimit e ka formulën e Makiavelit: qëllimi arsyeton mjetin. Pra, së pari interesat individuale, kurse më interesat e Kosovës le të merren të tjerët..!
A mendoni se një politikan karrierist siç është I. Mustafa do të gjejë kurajë njerëzore dhe politike që të largohet aq lehtë nga pushteti, ani pse largimin e tij po e kërkojnë edhe segmente të LDK-së. Si i shihni këto zhvillime?
H. Gagica: Me këtë kulturë politike që ka krijuar lidershipi aktual, natyrisht që nuk e pres një hap të tillë nga ai, dhe pikërisht për këtë i kam kërkuar Isa Mustafës që të shkojë në pension dhe t’i hap rrugë procesit më të shpejtë shtetndërtimit të Kosovës. Sepse, Isa Mustafa nuk mund të udhëheq me Kosovën, ngase është i ngarkuar me të kaluarën e tij politike, në veçanti me tjetërsimin e pasurisë së Kosovës, i cili në bashkëpunim më B. Bukoshin e kanë shndërruar buxhetin e Kosovës në fonde private dhe aksione biznesesh kapitale. Një parti e formuar në rrethana të jashtëzakonshme okupuese më qëllim të shpëtimit të popullit nga zhbërja e tij fizike, me frymën humane siç ishte formuar LDK-ja në krye më presidentin Ibrahim Rugova, nuk mund të tolerojë që në krye të saj të qëndrojë më gjatë një njeri që është përgjegjësi kryesor për dështime të njëpasnjëshme politike dhe i cili e ka dëmtuar pasurinë e Kosovës dhe keqpërdorë djersën e mërgimtarëve. Kjo pangopësi e njeriut i cili nuk po mjaftohet me asgjë duke i keqpërdorë postet partiake dhe shtetërore për favore personale dhe familjare siç ishte edhe rasti më tenderët e qeverisë, dhe, një njeri i cili po punëson vetëm familjarë dhe shërbëtorë të tij servilë, nuk ka dyshim se duhet të largohet sa më parë nga postet udhëheqëse që mban, sepse dëmet që ia ka sjellë LDK-së dhe qeverisë së vendit, janë tepër të mëdha. Mbase, unë jam njeriu i fundit që po flas për I. Mustafën dhe dyshimet e përfolura ndaj tij siç është keqpërdorimi i Fondit të trepërqindshit (3%), borxhet LDK-së në Gjermani si dhe akuzat për keqpërdorime sa ishte në detyrën e kryetarit të Prishtinës!
Në një prononcim të tij, I. Mustafa pati deklaruar se opozitës nuk do t’i bashkëngjitet popullata që ai të detyrohet të ofrojë dorëheqjen. A do të thotë kjo se për një akt të tillë fisnik për Isën nuk vlejnë rregullat e moralit individual, politik dhe kombëtar, apo duhet të ndodhë diçka më e keqe në Kosovë që ai të jap dorëheqje?
H. Gagica: Isa Mustafa ka dhënë aq shumë deklarata kontradiktore sa që nuk mund t’i numërosh të gjitha, jo vetëm ato gjatë fushatës elektorale, por edhe qëndrime politike kontroverse që i ka shprehur, qoftë në parti apo në qeveri, që pranë gjithë këtij imoraliteti politik ai vazhdon të qëndron në krye të qeverisë dhe të partisë. Nëse ne si vend dhe shoqëri aspirojmë të bëhemi anëtar të UE-së, dhe pa dyshim që atje duam të shkojmë, sepse asaj pjese i takojmë, ani pse akoma jemi i vetmi vend në Ballkanin perëndimor që nuk mund të lëvizim të lirë në Evropë, ai do duhej të shkonte vetë pa ia kërkuar askush dorëheqjen..!
Në fillim të viteve 90-të, kur Jugosllavia ishte ende shtet, por edhe para represionit serb gjithashtu, inteligjencia jonë dinte të qëndronte e fortë para masave represive të regjimit kriminal të Serbisë, pra kur ishte në pyetje interesi kombëtar, ndërsa sot kur pushteti aktual as nuk pyet për institucionet kombëtare, siç është Gjykata Kushtetuese, inteligjencia jonë sikur po bënë sehir kundrejt gjithë kësaj rrëmuje të keqe e cila e ka kapluar Kosovën, hiç debatet televizive mjaft të buta, a mendoni se ndonjë forum intelektualësh do duhej ta thoshte fjalën e vet shumë më fuqishëm për gjendjen aktuale në Kosove?
H.Gagica: Vërtet e keni shtruar një çështje me rëndësi që habit fakti, se si jemi bërë kaq shumë imunë ndaj gjithë këtyre dukurive negative, kur dihet që në rrethana të jashtëzakonshme okupuese si shoqëri dhe si komb kemi rezistuar me tërë qenien tonë shpirtërore dhe fizike. Mendoj se koha po ecën shumë shpejt kudo në Evropë, me përjashtim tek ne ajo sikur ka ngel në një vend dhe ne vetëm po presim se çka po na sjell e nesërmja, dhe në këtë mënyrë ne si shoqëri po sillemi në rrethin vicioz. Kjo, pa dyshim, të detyron të thuash se intelektualët e Kosovës sikur kanë rënë në një lajthitje me politikën! Intelektualët e Kosovës në vend se të jenë më aktivë kundër stërkeqjes së qeverisjes dhe politikës në përgjithësi, ata vrapojnë pas benifiteve personale, gjë që nuk përkon me thirrjen e tyre profesionale, por as më rolin e tyre si ajkë e një populli. Shih sa vite rresht premton Qeveria e Kosovës në krye me H. Thaçin për heqje të vizave për qytetarët tanë, dhe në çdo fundviti jepte premtime se vitin tjetër ato do hiqen, por mjerisht ato ishin vetëm premtime boshe në funksion të mbajtjes së pushtetit të tij të përzgjatur tej çdo norme demokratike. Pranë gjitha këtyre lojërave politike ne ende vazhdojmë të jemi i vetmi vend në Evropë i izoluar, dhe për të gjitha këto dështime, klasa aktuale politike do duhej të jepte përgjegjësi politike..!?
Dorëheqjen si akt moral e dhanë dy ish presidentet, F. Sejdiu dhe B. Pacolli, duke e respektuar Kushtetutën. Tash kur Gjykata kushtetues e dha verdiktin e saj të qartë, kryeneçësia e kryeministrit të Kosovës sa vjen e rritet edhe më shumë. Mbase e dimë se shkaqe morale që nga kryetari i Gjermanisë e deri tek disa ministra kane dhënë dorëheqje pa asnjë diskutim, a mendoni se këtë kryeneçësi të kosovareve do ta tolerojnë shtetet evropiane deri në pakufi?
H. Gagica: Nëse bëjmë krahasime sa politikan evropian japin dorëheqje pa protesta dhe pa zhurmë për gabimet e tyre politike, krahasuar më disa dorëheqje simbolike të politikanëve tanë, sot nuk do kishim bisedue për këtë çështje, sepse moti do ishin largue nga skena politike. Merrni më mend sa shumë ka fol H. Thaçi se do pranohemi në UNESKO dhe më në fund doli sheshit se atje ai shkonte vetëm për të bërë biznes politik, dhe pas këtij dështimi fatal për Kosovën kryesisht më fajin e tij, në fund nuk dha asnjë përgjegjësi politike! Dhe, ai në vend se të jepte dorëheqjen, çka ndodhi kur BE-ja nuk na i hoqi vizat, ai kërkoi protesta popullore me iu kundërvënë BE-së dhe Evropës! Pra, ai vazhdon të jetë ministër i jashtëm dhe z/kryeministër thua se asgjë nuk ka ndodhur keq për vendin e tij. Madje, më gjitha këto dështime ai është pretendenti kryesor për president! Në mungesë të një lidershipi serioz opozitar dhe të një lëvizjeje qytetare, klasa jonë politike dhe shtetërore sillet më arrogancë dhe krejtësisht e papërgjegjshme ndaj detyrave që shtron atdheu dhe shteti ynë për të cilin janë dhënë aq shumë sakrifica..!?
A pritni të reformohet LDK-ja dhe si do arrijë ta bëjë nëse Isa vazhdon të qëndroi edhe më tutje në krye të partisë, sepse deri sa të është ai zëri i brendshëm nuk do të dëgjohet, por vetëm disa zëra jashtë partisë, siç iu ka injorua juve dhe disa figura tjera të rëndësishme për LDK-në dhe vendin?
H. Gagica: Reforma e LDK-së është nisur mbrapsht dhe po vazhdon vetëm si ide dhe deklarata, dhe, një kuvend zgjedhor ku kryetari dhe organet tjera drejtuese zgjidhen më metoda moniste, i cili Kuvend si organi më i lartë i partisë i përfundon punimet për dy orë pa kurrfarë debati demokratik, aty s’ka reforma dhe as demokraci të brendshme politike, aty ka vetëm imponime të stilit komunist-diktatorial, njëmendësi dhe diktat imponues që as në partitë më diktatoriale nuk kanë ndodhur! Por t’i kthehemi pyetjes; unë vazhdoj të jem optimist se LDK-ja ka njerëz të devotshëm brenda saj, të përkushtuar dhe të pa inkriminuar në vepra kriminale, korrupsion dhe shkelje ligjore, të cilët e duan Kosovën e zhvilluar dhe demokratike, të integruar në BE, ashtu siç janë anëtarësua vendet dhe popujt tjerë të Ballkanit, tani më anëtare të Bashkimit Evropian. Dhe për ta arritur këtë qëllim, duhet pune më përkushtim dhe zell shumë më të madh, duhet mobilizim i të gjitha hallkave të LDK-së më nëndegët e saj dhe degët, të cilat do fillonin më kërkue mbajtjen e kuvendeve zgjedhore të parakohshme, duke krijue hapësirë të gjithë anëtarëve të partisë që të konkurrojnë më idetë e tyre për një LDK të reformuar konform programit origjinal të saj nacional dhe politik që kishte LDK-ja në fillimet e veprimtarisë së saj, për një Kosovë demokratike dhe të integruar në familjen e popujve të zhvilluar dhe të emancipuar të Evropës. Më ekonomi të tregut si dhe në miqësi të përhershme më SHBA-të dhe aleatët e saj në krye më Gjermaninë. LDK-ja ka figura të çmuara që dinë, munden dhe kanë aftësi të mëdha më kontribue pa hezitim, e ka një brez të rritur dhe shkolluem më idenë e lirisë dhe pavarësisë, brezin e republikës, siç e quante presidenti Ibrahim Rugova, kështu që këtë brez duhet përfshirë patjetër në sendërtimin e partisë rugoviane, e jo të LDK-së së atyre të cilët për interesa të ngushta personale e kanë shëndrrue atë në objekt për qëllimet e tyre meskine. Pa një LDK të reformuar, demokratike si dhe kthimin e saj në primatin politik që e kishte në vitet e 90-ta, nuk do të ketë sa shtet ndërtim të mirëfilltë të Kosovës, dhe këtë postullat të saj historik e ka dëshmuar më së miri anëtarësia e saj masovike në Kosovë dhe në Perendim gjatë gjithë kohës derisa ajo ishte prijatare në vënien e bazave të shtetit të dytë shqiptar në Ballkan..! /Xlpress.tv