Institucionet e Kosovës në fillim të vitit 2015 kishin shpalosur një varg prioritetesh që lidheshin me zhvillimin ekonomik e hapjen e vendeve të reja të punës, prioritete këto, që bazuar në deklaratat e fundvitit të zyrtarëve qeveritarë janë përmbushur, ose janë në rrugë për tu përmbushur, por realiteti dhe gjendja faktike në terren ata i demanton jo vetëm me të dhënat statistike që ekzistojnë, por edhe me vlerësimet që njohës të këtyre proceseve i kanë dhënë publikisht.
Ajo që është ende më e diskutueshmja në prioritetet qeveritare që lidheshin me zhvillimin ekonomik e hapjen e vendeve të reja të punës është fakti se efektet ende janë të paprekshme për qytetarin, pra ato i shohin vetëm qeveritarët, të cilët gjithsesi janë shumë larg standardit jetësor të qytetarëve të zakonshëm dhe mbase edhe matematika e tyre është tjetërfare prej qytetarëve që mezi e përthekojnë muajin, e që janë shtresa më e madhe në vend.
Njohësit e çështjeve ekonomike vlerësojnë se as viti 2015 nuk ishte vit i performancës, ngritjes ekonomike e zhvillimit. Faktorët institucional, kulturor, largësia nga qendrat e fuqishme ekonomike, mungesa e legjitimitetit politik, mungesa e vizionit për zhvillim ekonomik, mungesa e perspektivës për integrim në Bashkimin Evropian (BE), sipas tyre, janë vetëm disa nga faktorët që e bëjnë vitin 2015 një vit të ngecjes.
Parashikimet për vitin 2015 sugjeruan rritje ekonomike prej 3.5%, krahasuar me rritjen prej 1.2% sa ishte në vitin 2014. Mirëpo, nganjëherë krijohet përshtypja se normat e rritjes ekonomike prej 2-3 dhe 4% janë të larta, por jo. Kosova e ka një nivel tejet të ulët të zhvillimit ekonomik dhe këto norma të rritjes ekonomike nga njohësit e rrethanave ekonomike, shpesh janë quajtur joserioze, të cilat nuk e adresojnë asnjë problem që e ka Kosova.
Sipas parashikimit të Bankës Botërore, rritja ekonomike pritej të arrijë 3% në vitin 2015, ndërsa 3.5% në vitin 2016 dhe 3.7% në vitin 2017, mbështetur nga shtimi i investimeve të huaja, shtimi i konsumit dhe eksporteve, por është vlerësuar se mundësitë e punësimit do të vazhdojnë të jenë të kufizuara.
“Kjo rritje mund të rrezikohet nga mosrealizimi i investimeve publike dhe pakënaqësia nga mungesa e vendeve të punës. Mungesa e sigurisë energjetike mbetet pengesa kryesore për tërheqjen e investime të huaja të drejtpërdrejta. Dobësitë makroekonomike, papunësia e lartë dhe varfëria kërkojnë reforma strukturore gjithëpërfshirëse për të nxitur rritjen ekonomike dhe për ta bërë atë të prekshme për të gjitha shtresat në Kosovë”, saktësonte raporti i Bankës Botërore.
Por pavarësisht gjendjes faktike në zhvillimin ekonomik të vendit dhe shkallën e punësimit, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në takimin e fundit të mbajtur këtë vit në Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, vitin 2015 e ka cilësuar si një vit i vendimeve të mëdha, sidomos në fushën e ekonomisë. Ai ka përmendur në veçanti paketën e re fiskale, e cila hyri në fuqi në fillim të muajit shtator, duke e vlerësuar si një përparim të madh.
Sipas tij, pakoja e re fiskale ka dhënë rezultate konkrete ekonomike, ndërsa edhe më shumë efekte priten në të ardhmen, mendim që nuk e kanë edhe ekspertët e pavarur të ekonomisë. Qeveria e Kosovës, sipas kryeministrit, përmes këtyre reformave ia ka dalë të arrijë stabilitet ekonomik, ndërsa popullata mendon se me ngritjen e shumicës së çmimeve vetëm sa është thelluar varfëria.
Viti 2015, sipas kryeministrit, ishte vit i përmirësimit të shumë treguesve ekonomik, sikurse stabiliteti fiskal, rritja e investimeve të huaja direkte, që siç tha ai, ishte dy herë më e lartë se në vitin 2014.
Pa zhvillim të mirëfilltë ekonomik s’ka garanci për stabilitetit
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Bedri Hamza, në konferencën e fundvitit ka thënë se viti 2015 përmbyllet me normën e rritjes ekonomike prej 3.5%, ku në këtë normë kanë ndikuar edhe remitencat, investimet e huaja dhe kreditimi.
Por, sipas tij, Kosova ka nevojë për një rritje më të madhe ekonomike. Ai ka thënë se sipas të dhënave të BQK-së, investimet e huaja direkte deri më tani kanë arritur mbi 300 milionë euro.
“Në raport me vendet e rajonit, Kosova ka nevojë që të ketë më shumë investime të huaja direkte”, ka theksuar Hamza.
Këtë vit ai e ka quajtur të suksesshëm, duke thënë se kishte rrije të kreditimit në prodhim dhe bujqësi. Sipas tij, rritja e kreditimit ka ardhur kryesisht si rezultat i përmirësimit të kushteve të kreditimit dhe i zvogëlimit të normës së interesit në kredi.
Raporti i Progresit për Kosovën për vitin 2015, i publikuar nga Komisioni Evropian, ka evidencuar një sërë mangësish në aspektin ekonomik. Raporti, ndër të tjera, thekson për nivelet shumë të ulëta të fuqisë pjesëmarrëse punëtore së bashku me shkallën e lartë të papunësisë që pengon zhvillimin ekonomik.
Po ashtu, raporti vlerëson se zhvillimi ekonomik ka rënë në 0.9% – nën mesataren e dhjetëvjetorit të fundit prej 3.5% – kryesisht për shkak të pasigurisë politike dhe konsumit më të ulët se që është menduar privat. Po ashtu, thotë se deficiti i vazhdueshëm tregtar reflekton një bazë të dobët të prodhimit dhe mungesë të konkurrencës ndërkombëtare.
Pas këtyre mangësive, sipas përfaqësuesve të komunitetit të biznesit dhe njohësve të çështjeve të ekonomisë, qëndron shteti ligjor jo i fuqizuar, lufta joserioze kundër korrupsionit, mungesa e transparencës, keqpërdorimi i parasë publike dhe mungesa e prioriteteve. Ata vlerësojnë se nuk është befasues një raport i tillë me të gjetura negative në aspektin ekonomik, sepse edhe viteve të kaluara janë identifikuar deficite zhvillimore.
Kujtim Dobruna, udhëheqës i Nismës Ekonomike për Kosovën (ECIKS), thotë se tranzicioni në Kosovë po dëshmohet të jetë shumë më i vështirë se sa që mendohej. Ai thotë se as viti 2015 nuk ishte vit i performancës, ngritjes ekonomike e zhvillimit.
Mungesa e vizionit për zhvillim ekonomik, mungesa e perspektivës për integrim në BE, sipas tij, janë vetëm disa nga faktorët që e bëjnë vitin 2015 një vit të ngecjes.
“Ngecja nuk është vetëm vendnumërim, por duke parë zhvillimet në ekonominë botërore, ngecja është regres. Në kohën kur bota është në vlugun e revolucionit digjital, ne ende nuk i kemi zgjidhur problemet më bazike strukturore, si çështjen e sigurisë energjetike, përmirësimin e sistemit të arsimit dhe përshtatjen e tij nevojave të ekonomisë, shëndetësinë, sundimin e ligjit, etj”, vlerëson Dobruna.
Ai madje thotë se edhe ato pak të arritura të shënuara në këto gjashtëmbëdhjetë vjet po cenohen nga brenda për shkak të mungesës së transparencës institucionale dhe kohezionit politik për çështje të rëndësisë së lartë, të shkallës së lartë të krimit, korrupsionit, ekstremizmit me frymëzim ideologjik dhe fetar, mungesës së shtrirjes së sovranitetit në tërë territorin e vendit dhe të forcimit të faktorëve joshtetëror.
Pakënaqësia qytetare po vazhdon të rritet me të drejtë. Sikur kemi harruar që një vit më parë ky mllef e kjo pakënaqësi ishin shprehur në formë të migrimit masiv të rreth 100 mijë qytetarëve të vendit. Tani ky mllef mund të shpërthejë brenda, me pasoja të paparashikueshme për shtetin dhe qytetarët e tij.
Ndryshimet e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) të cilat filluan të aplikohen nga shtatori nuk ndikuan në shportën e konsumatorit ashtu siç deklaruan zyrtarët qeveritarë.
Megjithëse, si brengë ishte se me këto ndryshime lirimi i çmimeve nuk do të jetë aq sa e presin dhe kanë nevojë qytetarët. Ulje të TVSH-së do të ketë për produktet esenciale nga 16 në 8% siç janë kripa, vaji, mielli, rryma e ngrohja, etj.
Ndërkaq, për produktet e tjera do të ketë rritje të TVSH-së nga 16 në 18%, që shprehur në përqindje i bie rritje e TVSH-së prej 12.5% për shumicën e produkteve tjera. Pati mospajtime se ndryshimet e normës së TVSH-së, janë bërë pa ndonjë analizë paraprake në kuptimin e efekteve që do t’i ketë kjo normë.
Nuk ka zhvillim ekonomik pa sundim të ligjit dhe luftim të korrupsionit
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, (OEAK), Arian Zeka, thekson se në vitin 2015 ka pasur disa përmirësime të vogla në aspekt të plotësim-ndryshimit të legjislacionit që prek sektorin privat, efektet pozitive të të cilave pritet të shihen në periudhën vijuese.
Megjithatë, Zeka potencon se ka pasur pak progres ose hapa pozitiv në aspekt të përmirësimit të sundimit të ligjit, rritjes së zbatueshmërisë së kontratave dhe ngritje të efikasitetit të gjykatave. Po ashtu thotë se ka pasur pak veprime konkrete në luftimin e korrupsionit dhe në sjelljen e personave të përfshirë në vepra korruptive para organeve të drejtësisë.
“Këto të meta përbëjnë pengesa të mëdha në përmirësimin e imazhit të vendit dhe bindjen e investitorëve seriozë që të zgjerojnë aktivitetet e tyre afariste në Kosovë. Është e nevojshme që në vitet në vijim të synojmë jo vetëm rritjen e shumës së investimeve të huaja direkte, por edhe të punojmë në ndryshimin e strukturës së investimeve”, ka thënë Zeka.
Në këtë aspekt është pritur vjet, pas krijimit të qeverisë së re, se do të shihet një dinamikë më e shpejtë në drejtim të përmbylljes së disa projekteve investive të stërvonuara nga qeveritë paraprake.
Muhamet Sadiku, profesor universitar i ekonomisë, thotë se viti 2015 është karakterizuar me zhvillime e me frika të mëdha politike, me probleme të cilat kanë dalë në sipërfaqe dhe nuk janë adresuar sa duhet. Kësisoj të gjitha këto zhvillime politike, sipas tij, kanë ndikim edhe në zhvillimin ekonomik, sidomos kur është fjala për investimet e jashtme.
Ai thekson se është shpresuar se ato do të tregojnë rritje, porse edhe ky vit që kaloi Kosova nuk e ka zënë hapin që do të duhej, përveç disa rezultateve të prekshme të cilat janë më shumë edhe si rezultat i sponsorizimit ndërkombëtar, duke veçuar këtu MSA-në, ku Kosova është futur në një rrugë kontraktuare. Sadiku thekson se ajo që është bërë shumë pak, është në aspektin e reformave strukturore në ekonomi.
“Disa prej problemeve janë tejet afatgjata dhe nuk kemi mundur të presim që t’i zgjidhim brenda një viti, siç është problemi i sektorit privat, problematika e bilancit tregtar që është tejet negativ, privatizimi nuk i ka treguar rezultatet e veta dhe as që kemi mundur të presim që brenda një viti të bëhen ndryshime.
Kosovës i mungon kohezioni social, i mungon përmirësimi i situatës, kështu që sado që qeveria të tregojë se është e suksesshme se ka bërë këtë e këtë, kjo tregohet nëpërmes situatës sociale, ku situata sociale ende vazhdon të mbetet e njëjtë”, vlerëson Sadiku.
Me këtë rritje ekonomike prej 3.5% vështirë se do të ketë rritje të punësimit më shumë se 5 mijë persona brenda vitit. Mirëpo, rritja ekonomike dyshifrore mund të gjenerojë vende të reja pune të cilat janë premtuar. Por, rritje ekonomike dyshifrore Kosova nuk mund ta arrijë edhe për shumë vite.