Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, në një prononcim për Gazetën Blic, ka vlerësuar se viti që po e lëmë pas, nuk ka qenë aspak i lehtë për Kosovën.
“Së pari më duhet të them se sot, 16 vite pas luftës, në krye të institucioneve të vendit janë njerëz që e kanë humbur arsyen, kredibilitetin dhe njerëz të shantazhuar e të korruptuar. Së dyti, Qeveria e Mustafës ishte vazhdimësi e keqeverisjes së kaluar dhe natyrisht që viti 2015 ishte një vit jashtëzakonisht i vështirë për Republikën dhe qytetarët e Republikës, por edhe për ne si subjekt politik,” ka deklaruar ajo.
Haxhiu ka thënë, se Qeveria aktuale nuk ka bërë asnjë veprim të mirë gjatë këtij viti, përkundrazi siç ajo është shprehur, Qeveria Mustafa do të kujtohet vetëm si një e atillë që e fali territorin e saj, që e baltosi Ushtrinë Çlirimtare e që arrestoi deputetët opozitarë.
Ndërkaq, si mossuksese të Qeverisë, ajo ka përmendur dështimin e Kosovës në UNESCO dhe mosliberlaizimin e vizave. Si rrjedhojë e këtyre, deputetja e VV-së ka ardhur në përfundim, se për ta fituar një shtet të fortë, duhet ta heqim Qeverinë aktuale.