Nuk është në ndonjë fshat të thellë, por midis kryeqytetit. Një shkollë e Prishtinës ka vetëm dy nxënës. Është një paralele e shkollës fillore “Pjetër Bogdani” që gjendet në lagjen Kolovicë në Prishtinë. Ajo ka vetëm dy nxënës, një në klasë të parë e tjetri në klasën e tretë.
Edhe pse ndërtesa ka nëntë dhoma mësimi, dy nxënësit e vetëm të shkollës që nuk janë të njëjtës gjeneratë bëjnë mësimin në një klasë dhe me të njëjtën mësuese.
Në lagjen ku gjendet paralelja e shkollës “Pjetër Bogdani”, janë 60 shtëpi me mbi 100 fëmijë që mund ta ndjekin mësimin në këtë shkollë, por familjet e tyre preferojnë që t’i dërgojnë në tri shkollat tjera që janë në afërsi si në “Shkolla e Gjelbër”, shkollën “Xhavit Ahmeti” dhe “Nazim Gafurri”.
Në paralelen e kësaj shkolle edhe pse me mungesë të nxënësve, punën e zhvillojnë tre punëtorë, një mësuese, një arsimtare e gjuhës angleze dhe mirëmbajtësja e shkollës.
Mësuesja e dy nxënësve Ferdane Krasniqi, tregoi për KosovaPress se zyrtarët e komunës kanë premtuar se do të punojnë në këtë drejtim . Derisa mësuesja Krasniqi mungesën e nxënësve në këtë paralele e arsyeton me dëshirën e fëmijëve për të udhëtuar me autobus!
“Arsyeja e tyre është se prej që kanë filluar autobusët të vijnë me kohë, dëshira e tyre është më tepër të udhëtojnë me autobus, dëshira e fëmijëve. Unë jam mësuese e vetme këtu, me thënë probleme nuk kemi. Ne të gjithë jemi familjarë, jemi krejt të një fisi. Probleme nuk kemi mirëpo dëshira e tyre thash është që të shkojnë më mirë edhe problem kryesor ka qenë se kombinimi ka qenë problem se ndryshe është të punosh në një klasë ndryshe me dy”, tha Krasniqi.
Mësuesja e vetme e kësaj shkolla zhvillon procesin e punës me mësim të kombinuar, ku në të njëjtën kohë zhvillon mësimin me nxënësin e klasës së parë dhe me atë të klasës së tretë.
Ndërsa drejtoresha e shkollës “Pjetër Bogdani” Jehona Oruqi, tha se paralelja në Kolovicë ka mbet vetëm me dy nxënës si pasojë e hapjes së disa shkollave përreth.
“Rënia e numrit të nxënësve në këtë shkollë është ta them edhe hapja e disa shkollave për rreth, ku kemi në këtë rast shkollën ‘Xhavit Ahmeti’ dhe ‘Shkolla e Gjelbër’ dhe nxënësit pas klasës së pestë vijojnë mësimin në këto shkolla… Paralelja e ndarë e shkollës ‘Pjetër Bogdani’ ekziston që nga viti 1985 – 1986, e cila në atë kohë ka pasur tri paralele”, tha Oruqi.
Në lidhje me këtë çështje Arbërie Nagavci drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Prishtinës tha se Komuna është duke shqyrtuar mundësinë që për raste të tilla të sigurohet transport edhe për ata nxënës të mbetur dhe të dërgohen në shkolla të tjera. Por sipas saj banorët kundërshtojnë të mbyllen shkollat e tilla për arsye se ndodh që mësimdhënësit e këtyre shkollave banojnë në ato lagje.
Ajo tregoi se pritet të merret një vendim që do ta zgjidh këto çështje në atë mënyrë që do të jetë e përshtatshme edhe për nxënësit ashtu edhe për mësimdhënësit.
“Për shkollën në Kolovicë dhe për së paku tri shkolla tjera që kanë situata të ngjashme do të merret një vendim. Pse nuk është vepruar deri më tani është pikërisht sepse është dashtë të shihet mundësia më e mirë për nxënësit në radhë të parë por edhe sistemimi i mësimdhënësve. Ne e kuptojmë edhe brengën e punëtorëve që punojnë në këto shkolla. Nuk është qëllimi jonë që t’i lëmë pa punë. Po bëjmë përpjekje që ata të sistemohen në shkolla të tjera varësisht ku ka nevojë dhe nxënësit të dërgohen në shkollat më të afërta por natyrisht edhe objektet të shfrytëzohen për qëllime. Ne kemi mungesë të objekteve për kërkesa të ndryshme që janë në komunë por edhe për interesa të komunës. Në bashkëpunim edhe me Drejtorinë e Zhvillimit Ekonomik dhe drejtoritë e tjera do të vendoset se çfarë do të bëhet me këto objekte ekzistuese”, tha Nagavci.
Paralelja e ndarë e shkollës “Pjetër Bogdani”, në lagjen Kolovicë ekziston që nga viti 1954, ndërsa që nga përfundimi i luftës në Kosovë kjo shkollë asnjëherë nuk ka pasur më shumë se 10 nxënës.