Lajmet e fundit

Shumë familje tentuan të emigrojnë në 2015’ën, shkak varfëria

Fillimi i vitit nuk e ndali rrugën e migrimit për qytetarët e Kosovës. Kushtet e vështira ekonomike, ishin arsyeja kryesore e largimit të kosovarëve drejt vendeve perëndimore. Shumë familje kosovare u nisën pa e ditur se ku po shkojnë. Por cak e kishin një jetë më të mirë.

Një qëllim të tillë e kishte edhe veterani i luftës, Rrustem Shabani, transmeton Koha.net. 36-vjeçari nga fshati Kashtanjevë i Shtërpcës, ish-ushtar i UÇK-së, jeton në kushte të vështira bashkë me gruan, nënën dhe vajzën e tij, të cilën nuk e ka regjistruar në shkollë, për shkak të kushteve të rënda.

Shtëpia në të cilën jeton familja e ish-ushtarit është shumë e vjetër. Derisa që nga paslufta, kjo familje jeton vetëm me 75 euro pension nga nëna e Rrustemit.

Ata nuk ia dolën të realizonin dëshirën që të shkojnë në Perëndim, por nuk janë të vetmit, si ta, me varfëri të thellë, përballen edhe shumë familje të tjera në Kosovë.

Kjo e keqe ka pllakosur edhe familjen e Gëzim Elezit nga Kaçaniku i vjetër. Megjithëse ishte pjesëtar i UÇK-së, për shkak se nuk ka dokumente të Kosovës, nuk ka mundur asnjëherë të regjistrohet si veteran i UÇK-së.

E i dëshpëruar me moskujdesin e institucioneve, Gëzim Sinani, 40-vjeçar, zgjidhjen e sheh jashtë Kosovës. Ish-ushtar i UÇK-së nga Kaçaniku i vjetër, që nga paslufta, bashkë me familjen, jeton në kushte shumë të vështira.

Shtëpia, e cila është shumë e vjetër, është gati e rrënuar. Ai asnjëherë nuk ka marrë ndonjë ndihmë, derisa për të siguruar bukën e gojës, gjatë tërë kohës, bashkë me fëmijët mbledh kanaqe.

Mjerimin e familjes së tij më shumë e ka rënduar edhe sëmundja e gruas, me të cilën nuk ka arritur as të kurorëzohet.

Familja që jetojnë në kushte të vështira ka në gjithë vendin, e tillë është edhe familja Rexhepi nga Krilevci, fshat afër Podujevës.

E vetmja shpresë që u ka mbetur është se nga paraqitja në televizion dikush mund të solidarizohet me ta dhe sado pak t’i ndihmojë për të dalë nga mjerimi. Varfëria ekstreme thotë kryefamiljari Ismail Rexhepi e ka mbështetur për muri. Pos moshës së pensionit, ai vuan edhe nga një sëmundje, gjë që e bën të paaftë për punë.

Ndërkaq, dora e shtetit ndihet vetëm një herë në muaj, kur ai dhe familja e tij marrin 70 euro nga ndihma sociale.

Gjatë vitit 2015, edhe listat e familjeve që u ndihmuan me ndihma sociale u shkurtuan dukshëm.

Nga skema sociale jeton edhe familja Abdullahu nga fshati Merdar i Podujevës.

Babai Ilazi me të birin invalid kanë vetëm një dhomë dhe 70 euro, nuk u mjaftojnë. Edhe pse 26 milionë euro në vit shkojnë vetëm për njerëzit me asistencë sociale, ende vazhdon të mbetet në fuqi kushti që familjeve u takon kjo ndihmë vetëm nëse kanë fëmijë nën moshën 5-vjeçare.

Familja e Valentina Bajramit është përjashtuar nga ndihma, për shkak se vëllai i saj i vogël tashmë i ka mbushur 5 vjet.

Ajo përgatit vëllezërit dhe motrat për shkollë, derisa vetë e ndërpreu atë në gjysmë. Ajo bën pjesë në 1.8 përqindëshin e popullatës së Kosovës, që nuk e vazhdojnë shkollimin e mesëm të lartë.

Shteti, megjithatë ofron një mundësi për shkollimin joformal të tyre, Ministria e Arsimit thotë se ka deleguar kompetenca te komunat për këtë çështje, të cilat mund të ofrojnë shkollimin plotësues në shkollat profesionale. Por, në rastin konkret ajo duhet të paguajë pesëdhjetë për qind të shpenzimeve.

E në Ministrinë e Punës potencojnë se Kuvendi nuk deshi ta rriste kuotën e moshës së fëmijëve, si njëri ndër kushtet për marrjen e asistencës sociale, për shkak të rëndimit të buxhetit.

Nga skema sociale në Kosovë jetojnë 25 mijë e 788 familje me mbi 160 mijë anëtarë. Buxheti i tyre mujor sillet nga 40 deri në 120 euro.

Statistikat tregojnë se 17% e qytetarëve të Kosovës jetojnë në varfëri ekstreme, ndërkaq gati 40% e popullsisë është e papunë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.