Për ngasësit e veturave viti 2016 duket se do të jetë i mirë. Ata furnizimin me derivate këtë vit do ta bëjnë me lehtë, pasi çmimi i naftës dhe benzinës nëpër botë ka nisur të bijë. Trendi i rënies së çmimeve është duke u vërejtur edhe në Kosovë. Në vendin tonë aktualisht një litër naftë është duke u shitur me 87 deri 90 cent, derisa çmimi i benzinës sillet nga 94 deri në 1 euro.
Çmimet e naftës dhe benzinës kanë nisur të bijën qysh në fillim të këtij viti. Ato nëpër kompanitë e derivateve që veprojnë në Kosovë janë duke u shtirur me nga 87-90 cent për naftë e deri në 94 cent e 1 euro për një litër benzinë.
Derisa, këto çmime muaj më parë kanë qenë nga 1.10 centë dhe 1.30 centë.
Uljen e çmimeve të naftës e kanë konfirmuar edhe përfaqësues të Shoqatës së Naftëtarëve në Kosovë.
Sipas tyre çmimet e derivateve janë sikurse para 7 viteve.
“Çmimet e derivateve të naftës në Kosovë për naftë 0.90 centë dhe benzina 0.94 centë. Këto çmime kanë qenë para 7 viteve. Gjithmonë lëvizja e dollari në berëz ka ndikuar ne rritje apo zbritje te çmimit”, shkruan Gazeta Express.
Kurse, Bob Dudley, shefi ekzekutiv i BP-së, njërës prej shtatë kompanive më të mëdha të gazit dhe naftës në botë ka thënë se prodhuesit e naftës mund të përjetojnë dëshpërim më të madh në vitin 2016 nga rënia e mëtejshme e çmimeve të naftës.
“Pika e ulët mund të jetë në çerekun e parë”, ka thënë Bob Dudley për radion BBC.
Çmimet e naftës kanë rënë për 34 për qind në vitin 2015, si pasojë e furnizimeve të tepërta globale dhe ngadalësimit të ekonomisë së Kinës.
Dudley ka parashikuar se çmimet mund të stabilizohen në fund të vitit, porse do të mbeten të ulëta në një të ardhme të parashikueshme.
“Çmimet do të vazhdojnë të mbesin të ulëta për kohë më të gjatë. Mendoj për disa vite”, ka thënë Dudley.
Çmimet kanë rënë veçanërisht nga 4 dhjetori kur Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës ka vendosur kundër kufizimit të prodhimit.
Kësaj i ka kontribuar edhe vendimi i Kongresit të Shteteve të Bashkuara, muajin e kaluar, për t’i dhënë fund ndalesës 40-vjeçare të eksportit të naftës së papërpunuar, që prodhohet në vend.