Lajmet e fundit

Kush po i djeg veturat zyrtare, policia ka arrestuar vetëm një person

Kohëve të fundit Policia e Kosovës është duke u përballe me raste të një natyrë tjetër të veprës penale. Janë disa raste që persona të panjohur po i vënë zjarrin veturave zyrtare.

Gjatë kësaj periudhe u djeg një veturë e Gjykatës Themelore, një e këshilltarit të ministrit të Kulturës Kujtim Shala, një në ministrinë e Drejtësisë, katër në Gjykatën për kundërvajtje në Pejë, tri të ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, një në komunën e Mitrovicës etj..

E një rast tjetër siç raporton Policia e Kosovës ka ndodhur mbrëmë ku persona të panjohur kanë tentuar t’i vënë zjarrin një veture zyrtare pronë e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

“Rr. Nurije Zeka, Prishtinë 02.01.2016-00:20. Të dyshuar të panjohur kanë tentuar ti vënë zjarrin një veture zyrtare pronë e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik. Njësitet përkatëse policore menjëherë kanë dalur në vendin e ngjarjes dhe kanë konstatuar se vetura është spërkatur me lëndë djegëse me qëllim qe ti vihet zjarri, mirëpo e njëjta nuk është djegur vetëm i është dëmtuar xhami i pasmë. Njësitet relevante policore janë duke kryer hetime lidhur me rastin”, thuhet në raportin e Policisë.

Por deri më tani sipas zëdhënësit të Policisë Baki Kelani, për dëmet e kësaj natyre është arrestuar vetëm një person.

Ai, për KosovaPress thotë se të gjitha rastet janë duke u hetuar nga Policia e Kosovës dhe së dëmet janë të mëdha.

Për djegien e veturave zyrtare deri më tani përgjegjësinë e kanë marrë një grup i ashtuquajtur “Qytetarët e pakënaqur anonimë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.