Qyteti më i madh në Kosovë, Prishtina përveç banorëve rezidentë është i banuar gjithashtu edhe me studentë të qyteteve të tjera të Kosovës, të cilët studiojnë në Prishtinë. Edhe pse kryeqyteti ka universitetin më të madh në vend dhe ka shumë lexues të moshave të ndryshme, ekziston vetëm një bibliotekë e qytetit me tri objekte me hapësira të pamjaftueshme në raport me kërkesat për lexim.
Biblioteka e qytetit “Hivzi Sylejmani”, e cila është themeluar në vitin 1930, prej atëherë ende ekziston në objektin e njëjtë. Objekti kryesor i kësaj biblioteka që gjendet në lagjen “Tophane”, pavarësisht kërkesave të mëdha ka vetëm 70 ulëse për lexim në sektorin e të rriturve, ndërsa në sektorin për fëmijë hapësirat e leximit nuk ekzistojnë fare. Hapësirë për lexim vetëm për të rritur ka edhe dega e kësaj biblioteke në Pallatin e Rinisë.
Kjo bibliotekë e cila ka mbi 90 mijë ekzemplarë apo rreth 3 mijë tituj sipas drejtorit të saj Munish Hyseni, përveç mungesës së hapësirës për lexim gjithashtu ka edhe mungesë të rafteve për vendosjen e librave.
Hyseni: Ka edhe mungesë të rafteve për libra
“Hapësira për lexim , që janë lexues kryesisht studentët, i kemi vetëm dy. Një këtu që më së shu mti mund të ulen 70 studentë dhe një tjetër që është në Pallatin e Rinisë ku është një hapësirë pak më e madhe. Këto nuk janë të mjaftueshme mbështetur në kërkesat dhe interesimin për t’u ulur dhe për të lexuar. Natyrisht që hapësirat po ashtu e kanë edhe një çështje tjetër që ka dal si pengesë sepse nuk ka hapësira për rafte dhe vendosjen e literaturës. Krejt kjo që po e them është se ne këtu ku jemi, jemi në një objekt jo të destinuar për bibliotekë kështu është një objekt i vjetër, i viteve të 30-të”, tha ai.
Sipas Hysenit ekziston edhe një objekt i kësaj biblioteke në lagjen Ulpiana dhe në lagjen Tauk Bahçe, por të cilat gjithashtu kanë hapësirë të pamjaftueshme.
Sipas tij hapja e disa bibliotekave në disa prej fakulteteve të Universitetit të Prishtinës ka ulë numrin e kërkesave për lexim në bibliotekën “Hivzi Sylejmani”, por prapë numri i kërkesave mbetet i papërballueshëm. Ai ka thënë se vetëm në vitin 2015 në këtë bibliotekë janë regjistruar përafërsisht 6 mijë e 200 lexues.
Mungesa e hapësirës për lexim shkakton edhe problem për lexuesit, të cilët duhet të presin deri sa të lirohen vendet për të lexuar. Këtë e konfirmoi edhe lexuesi Hasan Curri.
Curri: Biblioteka është e vogël
“Biblioteka është pak, objekti është i vogël, nuk i plotëson kushtet sa duhet në raport me lexuesit , kërkesat që i ka kjo bibliotekë. Mirëpo e ka edhe anën pozitive, është një ambient shumë klasik dhe që ndikon që studentët me ardhë me zgjedhë këtë bibliotekë për me ardhë dhe me lexu… Zakonisht studentët që vinë në mesditë kanë probleme me gjet vend për shkak se në ora 12:00 biblioteka zakonisht është e mbushur sidomos në kohën kur janë provimet”, tha Curri.
Ndërsa studentj a Teuta Gërguri, e cila është lexuese e bibliotekës “Hivzi Sylejmani”, vlerëson problematike mungesën e bibliotekave edhe në lagjet e tjera të Prishtinës, në veçanti afër Universitetit.
Gërguri: Biblioteka është larg
“Unë vij këtu në bibliotekën “Hivzi Sylejmani” për të studiuar dhe mësuar, për arsye se në Bibliotekën Kombëtare kushtet në krahasim me këtë nuk janë shumë të mira për arsye se është ftohtë pak dhe nuk kemi mundësi me qendru kohë të gjatë. Unë jam prej Podujevës, studiojë këtu dhe është pak vështirë me udhëtu. Normal të merr kohë dhe gjithashtu nuk kemi bibliotekë afër fakultetit që me pas mundësi mos me humb kohën me ardh edhe këtu sepse pak larg prej vendit ku unë studiojë, prej fakultetit”,tha ajo.
Në mënyrë që këto probleme të eliminohen komuna e Prishtinës, ka ndërtuar një objekt në la gjen Dardania, të destinuar për bibliotekën “Hivzi Sylejmani”. Por që tani po hynë në vitin e gjashtë që nga fillimi i ndërtimit të saj dhe ende nuk janë kryer të gjitha punimet, për ta bërë funksional këtë objekt.
Drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe sportit në Komunën e Prishtinë, Saranda Bogujevci tregoi për KosovaPress se objekti i ri i kësaj biblioteke është zvarritur deri më tani pasi sipas saj që nga fillimi i punës ka pasur probleme të cilat ende po vazhdojnë.
Ajo tha se nuk ka datë të saktë se kur mund të finalizohen punët në këtë objekt, pasi vlerëson se ka ende punë për t’u bërë.
Bogujevci: Duhet kohë për të punuar në objekt
“Unë e marrë shumë me përgjegjësi këtë pjesë sepse janë libra që munden me u dëmtu. Por përveç të tjerash nuk dua që as stafi dhe as qytetarët të jenë në një objekt që ka probleme edhe me qen ë brenda atij objekti pa përfundimin e punëve që duhet të rregullohen brenda objektit. Tani kemi marrë një raport të detajshëm me të gjitha problemet që ekzistojnë me objektin dhe qysh në fillim të viti do të fillojmë me rregullimin e të gjitha problemeve që ekzistojnë. Do të bëhet verifikimi edhe në bazë të raportit… Nuk dua ta jap një datë tani sa i përket kësaj për shkak që pasi të shihet raporti për mes saj mundemi me ditë saktësisht sa na duhet kohë për të punuar në objekt dhe për t’i rregulluar problemet që ekzistojnë”, tha ajo.
Sipas drejtoreshës për Kulturë në komunën e Prishtinës është planifikuar që të hapen qendra rinore dhe kulturore nëpër lagje të ndryshme të qytetit ku do të kenë edhe hapësira leximi, në mënyrë që biblioketa “Hivzi Sylejmani” të mos ketë ngarkesë të madhe.
Po ashtu sipas saj ka filluar edhe identifikimi i objekteve që janë në pronësi të komunës, në të cilat do të themelohen këto qendra rinore dhe kulturore.