Ndihet komod në zyrën që dikur e përdoret Isa Mustafa, tash kryeministër i Kosovës. Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka dy vite që ka marrë këtë post dhe beson se ka bërë shumë punë të mira për qytetarët e kryeqytetit. Këtë të fundit madje thotë se e gjeti si një pacient të vdekur klinikisht.
Kur e thotë këtë, ai bazohet në 46 mijë ndërtimet pa leje që i kishte gjetur në Prishtinë me të marr postin, pastaj problemeve infrastrukturore, pabarazisë në trajtimin e problemeve të qytetarëve, mungesës së hapësirave publike, mungesës së çerdheve etj.
Por, Prishtina po rimëkëmbët thotë Shpend Ahmeti në një intervistë për KosovaPress. Suksesin e mbështetë në tri çerdhet që janë hapur në vitin 2015, lirimin e trotuareve nga veturat, programin e qumështit nëpër shkolla, dhënien e numrit të lejeve të ndërtimit dhe përmirësimin e infrastrukturës shëndetësore. Por, edhe në shumë projekte tjera.
Megjithatë i pari i Prishtinës thotë se në Prishtinë ka ende punë për t’u bërë.
Theks të veçantë i vë disa projekteve që për tu realizuar ka dorë edhe pushteti qendrorë, që në krye të saj tani është rivali i tij i dikurshëm për kryeqytetin. Isa Mustafa, si duket po i prish punë realizimit të premtimeve të Shpend Ahmetit.
Nënshkrimi për blerjen e 51 autobusëve ka dy muaj që ka mbetur peng i Qeverisë.
“Ne i kemi mbaruar të gjitha edhe negociatat me qeverinë. E kemi dakorduar planin e veprimit, dokumentin final. Në BERZH është aprovua në bord dhe ka mbetur vetëm nënshkrimi ceremonial dhe për ta dërguar pastaj në Kuvendin e Republikës për ratifikim. Dhe kjo çështje që dy muaj nuk ka ndodh. BERZH-i edhe ka dërgu pyetje, e ata thonë: ‘në mbledhjen e ardhshme, në mbledhjen e ardhshme’. Mendoj se duhet t’i bëhet pyetja edhe nga mediat edhe nga qytetarët e Prishtinës, qeverisë se pse po vonohet ky nënshkrim kur e dimë se kjo është diçka e mirë për qytetarët e Prishtinës. Në qoftë se ata e vonojnë për shkak timin nuk mund ta vonojnë për qytetarët. Nuk është një projekt i mirë për Prishtinës, e i keq për ta”, thotë Ahmeti.
Por nuk është vetëm ky bllokim nga ana e Qeverisë. Shpend Ahmeti, thotë se Qeveria nuk po ia jep borxhin prej 7 milionësh komunës së Prishtinës. Borxh ky që kishte ardhë nga shpronësimi i tokave që i ka marrë Qeveria nga Komuna.
“P.sh neve që 5 vite posaçërisht në këto dy vitet e fundit nuk na paguhet borxhi 7 milionësh nga Qeveria në emër të shpronësimit të tokave që na i kanë marrë. P.sh. kur i shpronësojnë tokat për autostradë, ato që prekin komunën e Prishtinës, qytetarëve privat posaçërisht ata që janë të afërt me qeverinë ja u paguajnë menjëherë ndërsa, komunës së Prishtinës 7 milion euro nuk i paguhen që një kohë të gjatë”, thotë Ahmeti.
Pengesë për realizimin e premtimeve të Shpend Ahmetit po del sërish qeveria. Gjatë fushatës Shpend Ahmeti kishte premtuar që çdo pacientë në komunën e Prishtinës do të bëhej me kartelë shëndetësore.
Por kjo nuk po mund të realizohet pasi i pari i Prishtinës po pret që Qeveria ta bëjë Sistemin Informativ Shëndetësor, shërbim ky që po dështon për herë të tretë.
Por, për këtë projekt Ahmeti thotë se nuk do të pres shumë.
Shpend Ahmetit nuk i kalon pa e përmendur qeverinë as kur bëhet fjalë për zhvillimin ekonomik dhe numrin e të punësuarve. Ndonëse nuk ka një numër të saktë të të punësuarve në komunën e Prishtinës, thotë se gati ka arritur të barazojë atë numër me numrin e të punësuarve nga ana e Qeverisë.
Bllokimi i komunës së Prishtinës po mundësohet edhe në Kuvendin Komunal të Prishtinës, sidomos ku aty janë të ulur shumë asamblistë të LDK-së dhe PDK-së. Lirak Çelaj dhe Sami Hamiti, për Shpend Ahmetin janë reflektimi i nivelit qendror në komunën e Prishtinës.
Këta dy të fundit sipas Shpend Ahmetit mendojnë keq dhe qëllimet i kanë të këqija.
Krejt këto probleme ai thotë se do t’i kalojë dhe se në Prishtinë do të bëhen punë të mira. Edhe për 2 vite kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti është i bindur se do t’i realizojë të gjitha premtimet që ka dhënë gjatë fushatës./KPress/