Nëse, ne si kolektivitet – si shoqëri, marrin gabimet e individëve dhe ua veshim ato vlerave historike, përçudnojmë Lëvizjen Paqësore si lëvizje për nënshtrim ndaj Serbisë dhe për manipulim me paratë e popullit, apo Luftën Çlirimtare e përçudnojmë si luftë për zaptim dhe pasurim. Ky është gabimi historik që ne mund të bëjmë. Pra, gabim historik yni si kolektivitet, si shoqëri!
Vlerat nuk dëmtohen nga individët, por mund t’i dëmtojmë ne si kolektivitet, si shoqëri.
Individët mund të mbeten përjetë shembull ideal për të mirë apo edhe luajnë mendsh, por vlerat i ruan apo i shkatërron kolektiviteti!
Nëse e bëjmë gabimin që të njëjtësojmë vlerat dhe individët, atëherë sigurisht se gjithçka mund të na del e përçudnuar. Edhe nëse analizojmë vetëm përmes sekuencave të caktuara, të shkëputura nga rrjedha e plotë e historisë së asaj periudhe, përçudnimi është i garantuar.
Nëse, ne si kolektivitet – si shoqëri, marrin gabimet e këtyre apo atyre individëve dhe ua veshim ato vlerave historike, përçudnojmë Lëvizjen Paqësore si lëvizje për nënshtrim ndaj Serbisë dhe për manipulim me paratë e popullit, apo Luftën Çlirimtare e përçudnojmë si luftë për zaptim dhe pasurim.
Ky është gabimi historik që ne mund të bëjmë. Pra, ne si kolektivitet dhe jo individët e caktuar! Prandaj, mos të bëjmë këtë gabim historik!
Sepse individët edhe gabojmë, edhe kanë gabuar. Për këtë, ata dhe ato nuk duhet të falen.
Por, asnjëherë vlerat historike nuk duhet të njëjtësohen me individë. Ne, si kolektivitet, njëjtësojmë vlerat me individët vetëm, ama vetëm nëse duam të shkatërrojmë ato (vlerat) dhe jo ata (individët)! Pra, nëse kemi qëllim të tillë!
Dhe, duke dëmtuar vlerat historike, ne hapim rrugë për të ndërtuar vlera tjera apo jo? A do të jenë ato të drejta? Të orientuara mirë? Apo, do të sipërfaqen në ndrrim orientimi historik? Sepse, objektivisht, ato do të mund të paraqisnin diçka relativisht të kundërt me ato të ndërtuarat deri më tash!
Kosova ka dy vlera të ndërtuara në historinë e saj më të re: lëvizjen paqësore dhe luftën çlirimtare.
Të dy këto vlera janë përbashkuese dhe jo ndarëse. Nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën dhe, për më tepër, janë plotësisht të lidhura mes vete. E para nuk do të mbahej fare në kujtesë pa të dytën, ndërsa e dyta nuk do të mund të kishte sukses të dëshmuar pa të parën.
Qartësisht, në bindjen time, lufta çlirimtare do të zgjaste për vite apo dekada me radhë, por pa garanci suksesi, po mos të ishin edhe rreth dhjetë vjet të rezistencës paqësore të popullit të Kosovës, gjatë të cilës çështja e Kosovës u bë e njohur në nivele të ndryshme nëpër pothuajse të gjithë vendimmarrësit perëndimorë.
Në anën tjetër, rezistenca paqësore në Kosovë do të fshihej definitivisht nga çfarëdo kujtese historike nëse nuk do të kishte luftë çlirimtare për të finalizuar përpjekjet për lirinë e popullit të Kosovës.
Vlerat dhe mitet historike duhet ruajtur dhe promovuar. Individët nuk janë përcaktues në krahasim me vlerat. Tek e fundit, vlera mund të përfaqësohet, por jo të njëjtësohet me individin.
Ekzistimi i një vlere historike të shoqërisë dhe/apo kombit nuk ka të bëjë fare me sjelljen e individëve në etapa të ndryshme. Qoftë gjatë rrjedhës historike kur ndërtohen ato vlera, qoftë pas asaj periudhe, njëjtësimi i vlerës me individin është edhe i gabueshëm, edhe i pasaktë, edhe i padobishëm.
Edhe gjatë lëvizje paqësore, edhe gjatë luftën çlirimtare, shqiptarët e Kosovës përballur me shfarosjen totale nga politikat gjenocidiale të Serbisë. Nuk ka pasur fare dallim në thelb se cilat janë bindjet politike, fetare apo kulturore ndërmjet shqiptarëve të Kosovës. Sepse, shfarosja ka kërcënuar të gjithë.
Prandaj, reagimi i të gjithëve ndërtoi realitete të reja. Dhe, në Kosovë, në nivele dhe metodologji të ndryshme, vetëdijësimi kombëtar i shqiptarëve nuk është vënë në pikëpyetje fare.
Gjatë periudhës së rezistencës paqësore, shqiptarët e Kosovës u orientuan drejt. U orientuan kah Perëndimi, demokracia, liria dhe pavarësia. Nuk besoj të ketë qenë e lehtë atëherë. Madje, nuk po e kemi të lehtë që tash ta mbajmë atë orientim pa pasur dilema të herëpashershme që na krijojnë grupacione të ndryshme, të çuditshme si nga përmbajtja ashtu edhe nga motivi.
Gjatë periudhës së luftës çlirimtare, shqiptarët e Kosovës dëshmuan nivelin më të lartë të vetëdijësimit kombëtar. Jo vetëm pse fituam lirinë, por edhe pse nuk u luhat në asnjë moment të vetëm orientimi historik, ndërlidhja me gjakun, atdheun dhe mikun.
Jo shumë popuj kanë histori të këtillë të suksesshme në ndërtimin e vlerave të veta.
Kosova e ka këtë histori.