Sukses e quan funksionalizmin e shumë projekteve kapitale madhore në Gjakovë, derisa dështim për të është mos-funksionalizimi i zonës industriale dhe pamundësia e krijimit të hapësirës për bizneset të huaja e vendore.
Thotë se ka arritë që në masë të madhe t’i bëjë me ujë të pijshëm banorët e shumë fshatrave, dhe zotohet se deri në fund të mandatit do të arrijë të sigurojë ujë të pijshëm për të gjitha fshatrat e Komunës së Gjakovës. Tregon se gjendet përpara vendimeve të rëndësishme në jetën e saj politike dhe partiake.
A do të bëhet presidente e AKR-së, apo do ta braktisë fare këtë subjekt ?. Çka kërkon ajo nga Behxhet Pacolli ?. A ka hapësirë që Mimoza Kusari t’i bashkohet ndonjë nisme tjetër politike në vend ?. Në një intervistë për KosovaPress, kryetarja e Komunës së Gjakovës jep përgjigje për këto, dhe tregon për sfidat dhe sukseset që ka pas gjatë vitit 2015, në krye të Komunës së Gjakovës.
Kryetarja e Gjakovës thotë se komuna që ajo drejton ka kaluar nëpër një periudhë krize në aspektin e menaxhimit. Ndërsa tani, me dy vjet qeverisje thotë të ketë arritur krijimin e një stabiliteti të mirëfilltë.
Kusari Lila: Dështim për Gjakovën është mos-funksionalizmi i zonës industriale
“E kemi thyer barrierën shumëvjeçare disa dekada të mungesës së investimeve kapitale, ky është një vit me të cilin kemi arritë me su kses të finalizojmë projekte kapitale madhore, dhe unë jam shumë e lumtur për këtë fakt, do të thotë 2015-ën, do ta mbaj mend si një vit që kemi marrë lajme shumë të mira për Gjakovën, kryesisht nga komuniteti i donatorëve, këtë rast nuk mund të përjashtoj. Dështim është mos-funksionalizmi i zonës industriale dhe mos-mundësia e krijimit të hapësirës për bizneset, qofshin vendore apo të huaja që do të vijnë në Komunën e Gjakovës, dhe është një dështim që nuk është lidhë me përformancën tonë, është lidhë me mungesën e bordit të AKP-së, por i cili pa arsye ka shkaktuar ngecje të konsiderueshme në punësim dhe zhvillim ekonomik të Komunës së Gjakovë”, thotë ajo.
Kusari-Lila thotë se në këtë dy-vjeçar kanë arritur të sigurojnë projekte, si ai i ujërave të zeza dhe ai i ngrohtores së qytetit.
Gjithashtu, ajo tregon se janë duke negociuar me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim lidhur me rrugët që lidhin magjistralet dhe për zgjerimin e hyrje-daljeve të qytetit.
Kryetarja e Gjakovës thotë se puna që kanë bërë është maksimumi që mund të bëhet në një situatë të tillë siç ka qenë Kosova në kohët e fundit.
Në intervistën dhënë KosovaPress-it, Kusari-Lila është përgjigjur edhe për gjendjen aktuale në AKR. Sipas saj, subjekti të cilit ajo i takon ka probleme serioze.
Kusari-Lila: AKR ka probleme serioze
“AKR-ja ka probleme serioze të menaxhmentit. Unë disa herë kam dhënë mendimin tim dhe mbes prapa atij mendimi, se nëse nuk ndodhë një rikonstruktim i mirëfilltë i AKR-së, atëherë hapësira politike për AKR-në do të vjen e ngushtohet siç është ngushtuar deri tani. Kam dhënë idetë dhe mendimet e mija, dikujt nuk i kanë pëlqyer ose kanë has në rezistencë por prapë mendoj që është e presidentit Pacolli ta t hotë fjalën e fundit për idenë dhe vizionin e tij për AKR-në”, thotë ajo.
Megjithatë, ajo thotë se hapësirë për një ri-konstruim të subjektit. Derisa për mundësinë që ajo të vendoset në krye të AKR-së, tregon se këtë veç e ka prezantuar njëherë por ka rezultuar me një dualizëm midis mendimeve të saj dhe të presidentit aktual të AKR-së, Behxhet Pacollit.
Kusari-Lila: Po humbë forca, Pacolli duhet të ndërmarrë diçka
“Periudha prej kur unë kam prezantuar mundësinë dhe idenë që të jem presidente e AKR-së dhe ta marrë udhëheqësinë në këtë rast, po flasim për një periudhë një vjeçare, gjatë këtij një vjeçari kanë mund shumë gjëra të bëhen. Nuk ecëm me atë ide përpara, me fillimin e ndryshimeve, procesin zgjedhor, ngecëm ku ngecëm, dhe tash prapë po them që AKR ka definitivisht momentin final për të përcaktuar a do të shkojë me inercion që ka filluar tash e dy-tre vite, apo don të bëjë një kthesë. Dita ditës po humb forca, pritet vetëm prej zotit Pacolli ta thotë fjalën e fundit në atë që ta marrë këtë forcë që të ndërrohet drejtimi i inercionit të AKR-së, apo ka ndërmend diçka tjetër”, thotë ajo.
Me të gjitha turbulencat në AKR, Kusari-Lila thotë se ky subjekt duhet të vendosë a dëshiron të ecë me një hap të shpejt ose jo. Sipas saj, tashmë varet nga pjesa tjetër e AKR-së se a e dëshiron në krye Mimoza Kusarin apo të vazhdojë me këtë ritëm që sipas saj po e dërgon drejt shuarjes këtë subjekt.
Derisa po e shikon mundësinë për rimëkëmbjen e AKR-së, në adresën e kryetares së Gjakovës duket se po arrijnë edhe ftesa për një grupacion të ri.
Ajo thotë se muajt në vazhdim janë kritik dhe definues për çdo gjë.
Kusari-Lila: Ka bisedime por asgjë përfundimtare lidhur me ndonjë organizim të ri
“Nuk e përjashtoj rastin që të ketë një organizim të mirëfilltë, por nuk përjashtoj individë në këtë rast, them që nëse organizohen individë që kanë ide të njëjta dhe të cilët jo domosdoshmërisht shtyjnë personalitetet individuale, por kanë agjendën kolektive, atëherë me siguri se po flasim për një zgjidhje të mirëfilltë në Kosovë….kemi biseduar me të rinjë, profesionistë, deputetë, por ende nuk i është vënë pika kësaj pune, të them se kemi vendosur ta bëjmë këtë apo atë, mendoj që muajt në vijim janë muajt kritikë, shumë të rëndësishëm edhe për të ardhmen politike të Kosovës, por edhe për definimin e çfarëdo formacioni të ri, ri-konstruim, të vjetër, në kuadër të ofertës politike”, thotë ajo.
Por duket se ajo nuk po pajtohet me çështjen e “ndarjes së posteve”.
Kusari-Lila: Të bëhet diçka për të mirën e përgjithshme dhe jo të ndajmë poste
“Nëse mirret politike hajde po grumbullohemi unë jam president, ti je kryeministër, ne jemi ministra, atëherë kemi hyrë në pazare të njëjta siç janë duke bërë strukturat aktuale. Dhe kjo është më brengosësja kur t’i dëgjon prej gjeneratave të reja që diskutojnë për formacione politike, megjithatë qesin kushte ose kushtëzojnë pozita. Mua personalisht nuk më bëjnë përshtypje sot pozitat për shkak se isha në dy pozita të nalta në qeveri……Unë e shoh zgjidhjen politike në Kosovë ndoshta me grumbullimin e njerëzve të cilët kanë ide të njëjta, të cilët bashkohen vetëm për një qëllim, dhe ai qëllim nuk ka të bëjë domosdoshmërisht qëndrimi në politikë dhe ekzistencën politike. Nëse fillohet me kalkulime politike individuale, nuk jemi duke bërë zgjidhje kolektive, jemi duke bërë zgjidhje individuale”, thotë ajo.
Mimoza Kusari-Lila foli edhe për zhvillimet kryesore të fundit në vend.Sipas saj, krejt përpjekjet nga opozita kanë për synim sjelljen e një efekti politik, e jo juridik, që pastaj i njëjti efekt dërgon në zgjedhje dhe hapet rruga për pazaretë reja politike.
Sipas saj, zgjidhja qëndron në dialog mes pushtetit dhe opozitës.
E vetmja kryetare komune femër gjatë vitit të kaluar pati probleme edhe me sigurinë e saj. Ajo ishte cak i një plani i cili pati për qëllim që ta eliminonte fizikisht, për arsye ende të paqarta.
Por tani, thotë të ndjehet e sigurt dhe pa ndonjë përcjellje nga policia.
Kusari-Lila: Përveç vepër kriminale, ishte edhe qyqarllëk
“Mirë, me situatën e sigurisë mirë, unë jam si çdo qytetar i thjeshtë i Republikës së Kosovës, nuk ka përcjellje, nuk kam sig urim fizik. Por e kam pas një periudhë dy mujore që ka qenë shumë e ngarkuar…..Është pak edhe qyqarllëk, përveç vepër kriminale, dërgon mesazh të tmerrshëm për këdo, dhe vet mënyra se si tërë situata është shtjelluar ka qenë tragjiko-komike”, thotë ajo.
Vitin 2015, kryetarja e Gjakovës e quan vit të dështimeve për Kosovën./K.Press