Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në 13 vjetorin e vrasjes, përkujtoi komandantin e shquar të luftës çlirimtare, udhëheqësin fitimtar të Betejës së Lavdishme të Loxhës, Kolonelin Tahir Zemaj, shkruan Zyra e Kryeministrit.
Mustafa ka thënë se Kolonel Tahir Zemaj, ishte një luftëtar trim e profesionist, një strateg i mirëfilltë, i cili me përkushtim luftoi pandërprerë për çlirimin e Kosovës.
“Duke përkujtuar angazhimin e madh gjatë tërë luftës çlirimtare, kryeministri Mustafa veçoi rolin vendimtar të Kolonel Tahir Zemajt, në përgatitjen dhe udhëheqjen e Betejës së Loxhës, e cila, falë vizionit prej një strategu kulmor, profesionalizimit e devotshmërisë së Kolonel Zemajt dhe luftëtarëve të tjerë të lirisë, u bë sinonim i fitoreve ushtarake, në betejë të hapur me armikun”, ka thënë Mustafa.
“Është fat i keq që Kolonel Tahir Zemaj u vra në pabesi pas arritjes së lirisë, bashkë me të birin Enisin dhe aktivistin e shquar Hasan Zemaj. Por, si çdo hero, ishte e shkruar që edhe Tahir Zemaj të mos arrinte ta shijonte lirinë, në tërësi.”
Kryeministri ka thënë se lufta dhe kontributi i tij mbeten të pashlyeshme, dhe jo rastësisht ai është dekoruar me Urdhrin “Hero i Kosovës” nga presidenti i Kosovës dhe me Dekoratën “Nderi i Kombit” nga presidenti i Shqipërisë”, thotë kryeministri Mustafa, duke shprehur besimin se drejtësia një ditë do të vihet në vend, duke ndriçuar plotësisht vrasjen e pabesë të Kolonel Tahir Zemajt dhe duke vënë para drejtësisë kryesit e këtij krimi të rëndë.