Kryeministri Isa Mustafa e shpalli në disa raste gjatë javëve të fundit zëvendësin e tij Hashim Thaçi si President të Kosovës gati tre muaj para se të vijë në rend të ditës një votim në Kuvend.
Në vështrimin e të parit të qeverisë, votimi për President që do të duhej të mbahej në Kuvend kah muaji mars i këtij viti duket të jetë vetëm akt formal.
Për herë të parë, Mustafa këtë e bëri në një ndejë fundviti me diplomatë të huaj. Ajo pritje qe bërë “darka e duhur” për Thaçin, të cilit postin e Presidentit ia garanton edhe marrëveshja për koalicion qeveritar e lidhur mes tyre në dhjetor të vitit 2014.
E Thaçi ka marrë zemër nga insistimi i Mustafës dhe po pret që “të mos ketë pengesa” në zgjedhjen e tij për këtë post.
Është e kuptueshme që pas dy mandateve si Kryeministër- sado që asnjërin prej tyre nuk e ka kryer të plotë- dhe një gjysmë mandati i Zëvendës Kryeministër e Ministër i Punëve të Jashtme, vetëm posti i Presidentit mund të jetë synimi për një politikan si Thaçi që e ka dominuar politikën 16 vjeçare të Kosovës, qoftë si opozitar, qoftë si qeveritar.Set featured image
Dhe është totalisht e kuptueshme që ai të mos presë pengesa, pavarësisht se reagimet e disa deputetëve të LDK-së kanë filluar të bëhen më të zëshme sa më shumë që po afrohet koha e votimit në Kuvend. Marrëveshja është marrëveshje dhe Thaçi po pret që ashtu siç e bëri Isa Mustafën kryeministër, tash ky i fundit t’ia kthejë favorin.
Por pse po insiston Mustafa ta promovojë Thaçin në postin më të lartë shtetëror? Në atë post të cilin tash e gati pesë vjet, të gjitha vlerësimet ndërkombëtare thonë se Atifete Jahjaga e ka mbajtur më mirë se askush më parë.
Përtej një shërbimi rivalit më të madh të shndërruar tash e një vit në partnerin më të mirë politik, apo edhe një detyrimi për zbatimin e marrëveshjes për koalicion, ekonomisti që drejton qeverinë e vendit po kalkulon për vete.
Sado që ka postin e Kryeministrit, me Hashim Thaçin në postin e të dytit në qeveri, Isa Mustafa nuk e ka shijuar në ndonjë moment pozitën në vitin të parë të qeverisjes.
Andaj duket se iu ka ngulitur në kokë ideja se ai mund të performojë në krye të qeverisë vetëm kur Hashim Thaçi të mos sillet kah ndërtesa e qeverisë.
Përveç Zëvendës Kryeministër, Hashim Thaçi është edhe Ministër i Punëve të Jashtme, por deri më sot Thaçi nuk është parë të shkojë në atë ndërtesë.
Ka vendosur t’i bëjë karshillëk të heshtur Kryeministrit duke i qëndruar fizikisht pranë gjatë tërë kohës.
Në mos asgjë tjetër, deklaratat e javëve të fundit kanë treguar një ndryshim kolosal të Isa Mustafës ndaj vetvetes.
Për të ardhur në krye të LDK-së, Isa Mustafa kishte shfrytëzuar një momentum politik të elektoratit të LDK-së kundër PDK-së dhe veçanërisht Hashim Thaçit, atëherë kur Gjykata Kushtetuese e kishte gjetur në faj ish Presidentin Fatmir Sejdiu se po i mbante dy pozita drejtuese, një në shtet e tjetrën në parti.
Me parullë të njëjtë për ta ‘pensionuar’ politikisht Thaçin, Mustafa i kërkoi votat dhe pozitën e kryeministrit në zgjedhjet e vitit 2013 dhe gjatë tërë periudhës paszgjedhore.
Tash si kryeministër, Mustafa po lufton që Thaçit t’ia sigurojë një vend pune me mandat pesëvjeçar. Në krye të shtetit!