Numri i aksidenteve dhe viktimave në rrugë gjatë vitit 2015 ka shënuar një rritje të madhe në krahasim me vitet e kaluara. Sipas Policisë së Kosovës, shkaktar kryesor i aksidenteve në trafik mbetet faktori njeri, ndërsa sipas vlerësimeve analitike që Policia ka bërë vërehet se përdorimi i telefonave celular, vozitja nën ndikim të alkoolit dhe pagjumësia janë faktorët kryesorë të aksidenteve.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës Daut Hoxha bën të ditur se në vitin 2015 kemi një numër të madh të vdekshmërisë së këmbësorëve në komunikacion.
“Referuar statistikave që posedon Policia e Kosovës, numri i të aksidentuarve në komunikacionin rrugor kryesisht këmbësorëve ka shënuar një rritje të konsiderueshme. P.sh. nëse ju referohemi viteve 2013- 2014 dhe tani 2015 shohim që në 2013 kemi pasur 36 këmbësorë të vdekur , në vitin 2014 kemi pasur 39 dhe tani, në këtë periudhë nga janari deri më tani kemi 44 persona, këmbësorë të vdekur si pasojë e aksidenteve të komunikacionit rrugor”, tha ai.
Hoxha gjithashtu bëri të ditur se ndër shkaktarët kryesor të aksidenteve në trafik mbetet faktori njeri dhe sipas vlerësimeve analitike që policia e Kosovës ka bërë kohëve të fundit, ai shtoi se janë vërejtur se përdorimi i telefonave celularë, pastaj vozitja nën ndikimin e lodhjes apo nën ndikimin e gjumit po ashtu është faktorë mjaft kontribuues.
Ndërsa po të pyesësh qytetarët se pse nuk po i respektojnë rregullat e komunikacionit, ata thonë se pasi që policia e qeveritarët nuk po i respektojnë, pse duhesha ata ta bëjnë këtë.
Arban Aliu qytetar i Prishtinës thotë se të gjithë në të kuqe po kalojnë, mendova që edhe unë të bëj një gjë të tillë.
“Dola në të kuqe se u habita edhe isha për ngut edhe ke inspirim kur e pash dje në TV policia kur e kaloi të kuqen edhe ke një inspirim shumë i madh. Për institucionet tona si Policia,qeveritarët e krejt vetëm në të kuqen po kalojnë, asnjëri në të gjelbër nuk është kështu që thashë edhe unë të kaloj në të kuqe, t’i bashkëngjitem karvanit të së kuqes”,tha ai.
Ndërsa Leonit Bejtullahu thotë se e kanë parë rrugën pastaj kanë dalë.
“Me prit qaty po na bie me prit si shumë, mendojmë që mundet me pas aksident ama e pamë rrugën tani dolëm”,tha ai.
Ndërkaq, njohës të komunikacionit konsiderojnë se Policia e Kosovës, njësia e trafikut, duhet të shqiptojë gjoba për të gjithë ata që nuk respektojnë shenjat e komunikacionit.