Nga mesnata do të ngrihet marrëveshja për sigurimet kufitare.
Kjo, pasi Serbia nuk e përfilli ultimatumin nga ana e palës kosovare, të dhënë ditë më herët. Kryetari i Asamblesë së Përgjithshme të Byrosë së Kosovës për Sigurime, Rrahim Pacolli, që është edhe kryesues i delegacionit kosovar në dialogun me Serbinë, ka marrë vendim që të ngrihet marrëveshja e 23 qershorit për njohjen e policave në mes të përfaqësuesve të BKS-së të Kosovës dhe Shoqatës së Sigurimeve të Serbisë.
Pacolli , ka thënë se vendimi do t’u dërgohet organeve kompetente në Serbi.
“Duke u bazuar në rrethanat e krijuara në pikat kufitare në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, veçanërisht pas situatave të krijuara nga masat burokratike dhe të pa nevojshme nga ana e palës serbe, ku janë detyruar shtetasit e Republikës së Kosovës që t’i heqin targat e automjeteve me inicialet RKS dhe janë detyruar që t’i vendosin targat provuese duke paguar taksa shtesë. Byroja Kosovare e Sigurimeve duke e vlerësuar dhe gjykuar situatën e krijuar edhe përkundër vullnetit të mirë për zbatimin e marrëveshjes së krijuar, është detyruar që ta ngrijë marrëveshjen për kohë të pacaktuar, me qëllim të mbrojtjes së interesave dhe të dinjitetit të qytetarëve dhe policëmbajtësve të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendimin e Pacollit.
Ndryshe, Pacolli më 1 shtator e pati vizituar pikën kufitare në Merdar, ku edhe u pati dhënë ultimatum serbëve që ta lejonin kalimin e veturave me targa RKS, ndryshe do të ngrihej marrëveshja.