Balkanweb njoftonte sot ne mbremje se eshte shuar “Kolegu ynë i mirë, gazetari Kreshnik Zeqaj, I cili ndërroi jetë në mënyrë të parakohshme e të papritur, në moshën 27vjeçare. Humbja e Kreshnikut tronditi thellë jo vetëm familjen, por edhe të gjithë ata që e njihnin e kishin punuar me të”.
Sajti i lajmeve njoftonte se Zeqaj ndërroi jetë në mënyrë krejt të papritur duke tronditur të afërmit e tij, miqtë, kolegët dhe çdokënd që e kishte njohur. Kreshnik Zeqaj ishte një 27 vjeç, ishte një djalë plot energji, plot dëshirë për jetën, një profesionist i mirë në fushën e gazetarisë dhe një qytetar i denjë i këtij vendi, por me sa duket me një zemër të brishtë e cila e tradhtoi, duke i prerë në mes jetën në një moshë fare të re.
Kreshniku ndërroi jetë në Londër, atje ku jetonte prej disa kohësh me vëllain e tij. Niku, siç e quanim në “News 24” e “BalkanWeb” ishte njeri prej nesh, ishte një gazetar me eksperiencë, e që një pjesë të përkushtimit të tij e ka kaluar në këtë televizion. Së pari në dhomën e informacionit si editor i “flashit informativ”, e më pas në një eksperiencë të dytë si organizator i emisionit investigativ “Kaktus”.
Më herët Kreshniku kishte dhënë kontributin e tij edhe për televizione të tjera, ku punoi me të njëjtin seriozitet e përkushtim.