Italia po rishikon mundësinë e pezullimit të përkohshëm të Traktatit të Shengenit me rivendosjen e kontrolleve në kufijtë e saj, duke iu bashkuar kështu listës së 6 të Bashkimit Europian si Gjermania, Suedia, Austria, Malta, Danimarka, Norvegjia, e Franca.
Mediat italiane informojnë sot se burime konfidenciale nga qeveria Renzi pohojnë mundësinë e pezullimit të përkohshëm të Traktatit Shengen në kufirin mes Italisë e Sllovenisë.
Ministria e Brendshme italiane ka regjistruar gjatë ditëve të fundit një shtim të numrit të emigrantëve që mbërrijnë në territorin italian nga kufiri Slloven.
Mesatarisht janë rreth 300-400 emigrantë që hyjnë çdo javë nga ky kufi, fakt që ka detyruar qeverië italiane në hartimin e një plani të posaçëm pune mbi përballimin e këtij fenomeni.
Ky plan parashikon vendosjen e kontrollove në kufijtë tokësorë e hekurudhorë më Slloveninë, duke lënë të lirë qarkullimin në kufirin ajror.
Kjo masë e jashtëzakonshme sigurie do të bëhet operative vëtëm nëse do të evidentohet gjatë ditëve në vazhdim një shtim i hyrjes së emigrantëve nga ky kufi e nëse do të mungojë ajo klimë bashkëpunimi europiane e premtuar qysh në muajt e mëparshëm.
Ndërpreja e Traktatit Shengen e rivendosja e kontrolleve kufitare është ndërmarrë nga vendet europiane vetëm në rastin e eventeve të programuara si Konferenca të rëndësishme Ndërkombëare me pjesëmarrjen e liderëve botërore apo aktivitete të mëdha sportive internacionale.
Italia deri më sot ka vendosur vetëm një herë të pezullojë Traktatin Shengen në vitin 2008 me rastin e samitit G8 të mbajtur në qytetin Aquila.
Sipas së përditshmes italiane Corriere della Sera kjo masë e jashtëzakonshme sigurie që shumë shpejt mund të jetë operative nga qeveria Renzi, është një provë e dështimit të Traktatit Shengen.
Përgjatë 2015 në Itali kanë mbërritur 153.842 emigrantë, 9 % më pak me vitin 2014 ku numri i tyre ishte rreth 170 mijë persona. (Ora News)