Lajmet e fundit

Ja si parandalohet korrupsion, sipas Havollit

Me instalimin e platformës së re elektronike “Go alive”, do të sigurohet një transparencë më e madhe në prokurimin publik dhe do të parandalohet në masë të konsiderueshme korrupsioni, ka thënë në Ora e Fundit në Klan Kosova, Sokol Havolli, këshilltar i Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa.

“Tani është zhvendos prokurimi nga forma klasike në një platformë elektronike, e cila siguron një transparencë të jashtëzakonshme të prokurimit publik, është efikase dhe është një hap në luftën kundër korrupsionit”.

“Ka shumë elemente që e bëjnë këtë platformë një platformë shumë moderne e ngjashme me ato të vendeve të BE-së”, ka pohuar Havolli, duke shtuar se “përmes kësaj platforme mundësohet që të aplikojnë edhe bizneset me të vogla si dhe të marrin pjesë edhe organizata të shoqërisë civile në monitorim”. Sipas Havollit “platforma e krijuar kursen shumë miliona”.

Ai ka shpjeguar edhe mënyrën e funksionit të platformës.

“Nëse ndërhyhet në të lenë gjurmë dhe nuk ka mundësi të manipulohet procesi i prokurimit publik. Pas mbylljes së afatit dhe të ofertave për tenderë dihet kush është fituesi, pa ndërhyrë në të”.

“Deri në mes të vitit pritet që të futen sa ma shumë organizata buxhetore, kjo kërkon edhe trajnimin e zyrtarëve për aplikim. Do të jetë një proces shumë transparent, shumë i qartë dhe do të jetë një nga hapat kryesor për luftim të korrupsionit”, ka pohuar Havolli.

Ai ka pasur përgjigje edhe për akuzat që po i bëhen Qeverisë, e cila po konsiderohet si e mbipopulluar. Havolli tha se ekzekutivi është në numrin që i duhet të jetë për të funksionuar me kompaktësi.

Këshilltari i Mustafës foli edhe për koalicionin me Partinë Demokratike të Kosovës, për të cilin tha se “është shumë stabil dhe do të vazhdojë deri me 2018”, duke shtuar se “kemi legjitimitet në popull dhe përkrahjen e partnerëve ndërkombëtarë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.