Lajmet e fundit

Fshehja prapa “Stupcave”

Nga Ballsor Hoxha

Humori është i pandalshëm. Të pamet në Kosovë e vërtetojnë këtë më së miri, kur e tëra kthehet në një trans humoristik.

Gjëja më e çuditshme dhe më e pakuptueshme lidhur me dy rastet “humoristike” që kanë ndodhur këto ditë, nuk janë vetë grafiti me Presidenten e Kosovës dhe as humori patetik i “Stupcave”, por është pikërisht eksplodimi sociologjik që kanë shkaktuar këto dy gjëra. Është tejet e pakuptueshme që një shoqëri e tërë të merret me një grafit diku në një skutë të Prishtinës. Dhe është tërësisht dhe rrënjësisht absurde që një skeç naiv të kaloj në debat mbarëkombëtar dhe aq më shumë në heroizëm të gjeneratave të tëra të shoqërisë sonë.

Vetëm sa për ilustrim, Ismail Kadare tallet me tërë shoqërinë tonë në romanin e tij “Viti i mbrapshtë” dhe kurrë askush nuk ka gjetur një pengesë në këtë. Dhe po flasim për “kulmin” e kulturës dhe shpirtërores së shoqërisë sonë.

Humori sipas shkencave dhe teorive që merren me psikën e njeriut është dëshira më e thellë e tij. Buron si konstruksion psikik i papërpunuar dhe megjithë politikën, moralin dhe qëllimin e mirë që mund të përmbajë shakaja dhe humori, ato gjithmonë shfaqin edhe anën e errtë të personit humoristik. Shakatë tona, për çfarëdo që flasin, bartin edhe urrejtjen tonë më të madhe dhe anët më të errëta tona.

Një prej mënyrave më të sakta të gjetjes së anës së errtë në secilën shaka dhe në secilin humor është pikënisja e shakasë: dhe pikënisja e saj është gjithmonë përjetimi i krijuesit të shakasë. Do të thotë se shakaxhiu është shumë i mishëruar në shakanë e tij, qoftë me dëshirë dhe qoftë si art, dhe doemos ka aftësinë e përjetimit të po të njëjtës skenë të shakasë. Për më shumë, krijimi dhe aq më shumë përsëritja e saj, është përsëritja dhe inskenimi i dëshirës së humoristit në të njëjtën gjë. Për ta shpjeguar më tutje mund të marrim të kundërtën e kësaj, e që është një pyetje shumë e thjeshtë: pse nuk bëhet humor me të shenjtit? Apo pse karikaturat e profetit Muhamed në Danimarkë janë fillimi i luftës së “tretë” botërore? Kjo është sepse ndalesa ndaj këtij lloji të humorit ruan dhe distancon të shenjtin “zhytja”, apo thënë më saktësisht e ruan nga ulja në nivelin njerëzor, ku edhe këta mund të pësojnë çshenjtërimin. Ku këtyre u mveshen fëlliqësitë tona. Apo ku vetë humoristi mund të merr statusin më të lartë se i shenjti.

Mirëpo humori as nuk mund të ndalet dhe as nuk mund të arrestohet, ai është bashkë me ne, në raste të të pameve (vdekjeve) dhe në raste të tragjedive. Është një tipar i personave që merren me zbulimin e kufomave të personave të pagjetur (së paku sipas atyre që i kam njohur) të cilët për të evituar peshën e rëndë të punës së tyre e kanë për hobi humorin e zi, më të errtë dhe më të helmueshëm. Pra është njëlloj mbrojtje shëndetësore ndaj vuajtjes, njëlloj vjellje e së keqes.

Sa i përket grafitit të Presidentes dy shtresa janë evidente: 1. Protesta dhe revolta politike ndaj nënshtrimit të pushtetit kosovar, dhe 2. Skema e huazuar nga grafitet e metropoleve dhe filmave. Por ajo që mund të vërehet pak më thellë është dëshira e autorit për nënshtrim të Presidentes (qoftë edhe të kamufluar në frymë të kaosit). Është ajo se si autori e sheh presidenten, si seks simbol latent, apo përmbushje seksuale. Megjithë paradoksin e kësaj që sapo thash, kjo mund të zbulohet me një kontra pyetje: nëse autori ka pasur mundësinë të zgjedh çfarëdo pamje për Presidenten, pse Presidentja nuk është paraqitur më reale apo më e shëmtuar. Etj.

Por ajo që ka shumë rëndësi në këtë vërshim humori është skeçi e Stupcave. Në përmbajtjen e tij ky skeç tregon atë që e kemi ditur të gjithë ne, së paku e tërë Prishtina, qysh nga ditët e para të vitit 1999. Të gjithëve na janë uzurpuar banesat, dyqanet e shumë e shumë tjera. Të gjitha këto kanë vazhduar tërë kohën prej pas luftës e deri më sot. Në të vërtetë skeçi i Stupcave është shumë i kufizuar në shfaqjen e uzurpimeve dhe planeve dhe arritjeve të këtyre mafiozëve (jo UÇK-së). Në të vërtetë gjërat që po ndodhin sot, e që Vetëvendosja po mundohet pa sukses t’i bëjë të njohura, janë shumë më të rënda dhe më të mëdha se ky skeç. Dhe kur e merr parasysh atë që ka ndodhur pas shfaqjes së këtij skeçi, gjë për të cilën KTV ka arrit të bëjë edhe një dokumentar (hahahaha), kjo është shumë më humoristike.

Ajo që tregon dhe shfaq kjo që po ndodh është njëlloj kolektivizimi i luftës ndaj pushtetit të ish luftëtarëve (të fuqishëm). Ajo që po ndodh është ndarja dhe përballja e dy shtresave post 1999 në shoqërinë kosovare. Kur sheh njerëz të njohur për tërë prejardhjen familjare si kundërshtarë të pashpirt ndaj çdo gjëje rurale duke u bërë bashkë me humorin e Stupcave dhe me Stupcat, kjo është sikur kur realiteti kalon përtej imagjinatës dhe ne në jetët tona mbesim më të habitur nga të vërtetat se inskenimet “artistike”.

Është një fjalë në serbishte që i takon secilit popull ballkanik, është fjala “hushkanje”. Në shqip përkthehet si nxitje, por në këtë përmbajtje gjithsesi duhet përjetuar edhe konotacionin tingullor të kësaj fjale në origjinal. Ajo që dua të them është se kur LDK kishte rrëzuar nga pushteti qeverinë e përkohshme, shoqëria jonë kishte kaluar në njëlloj transi masiv të “hushkanjes” kundër PDK-së. E njëjta kishte ndodhur disa vite më vonë kur të gjithë ishin ngritur kundër LDK-së duke përkrahur PDK-në si shpëtim, prej intelektualëve më të njohur të cilët shumë pak kohë më parë kishin qenë kundërshtarët më të mëdhenj të tyre, e deri tek mediet që sot e fitojnë bukën e gojës duke “hushkatur” kundër PDK-së. Besoj pajtoheni me mua, ajo që po ndodh sot është përsëri një “hushkanje” masive shoqërore kundër çdo gjëje paraprake për një qeveri të re. Edhe këto humore, megjithëse të pandalshme, por shumë të vuajtura në përmbajtje, informacion dhe estetikë, janë mjeti më i shpejtë dhe më gjithëpërfshirës e përhapjes së“hushkanje”-s.

Dhe është pikërisht kjo “hushkanje” masive që na kthen në fillim, në një pyetje tepër të rëndësishme: a janë me të vërtetë kaq të rëndësishme këto dy humore? A janë me të vërtetë heroizëm i një gjenerate e cila vuan shumë më shumë se ajo që shfaqin këto dyja? A jemi duke huqur racionalen tonë për një luftë të poshtër dhe naive ndaj një të keqe gjithëpopullore? A është aq e dobët, sidomos kjo gjeneratë e të rinjve, që të fsheh revoltën e saj prapa një humori të përvuajtur?

Leave a Reply

Your email address will not be published.