Protestat, angazhimi politik qytetarë, shprehja e mos durimi me gjendjen e rënduar politike e ekonomike në vend, harxhimi i entuziazmit pas pavarësimit të Kosovës, arrestimi i deputetëve opozitarë janë disa nga kujtimet që do të marrë me vete nga 2015 kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Ai në një intervistë për KosovaPress ka folur për shumë tema si mundësinë e shkuarjes në një palë zgjedhje të reja brenda vitit të ardhshëm, rolin e presidentes Jahjaga, mundësinë e zgjedhjes së Hashim Thaçit në krye të presidencës, etj.
Ai ka folur edhe për mungesën e tij 4 vjeçare në familjen e tij, mungesë kjo e bërë derisa ai po përballej me procese gjyqësore në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës, për çka tha se ndihet në faj ndaj familjes së tij dhe se një faj të tillë mundet ta shlyej duke qëndruar pranë tyre sa herë që i jepet mundësia.
Haradinaj i tha KosovaPress-it se në 2015-ën ka ndodhur ajo që ndoshta është dashur të ndodh disa vite më parë dhe se ky vit që lamë pas ka dëshmuar atë që ai e quajti ”me e hëngër pavarësinë”.
Në 2015 u tregua se është harxhuar ai entuziazmi i pavarësisë
“ Unë mendoj që ndodhi ajo që është prit me ndodh ndoshta edhe disa vite më herët, me u harxhua ai entuziazmi i pavarësisë, me hangër pavarësinë ose me jetu në pavarësi. Kur po them me hangër pavarësinë është mendu që do të na mbajë disi një ndjenjë të mirë dhe do të durojmë edhe pa punën, edhe pa zhvillim ekonomik, edhe pa jetë, për shkak të faktit që jemi shpallur të pavarur. Në 2015 disi mbaroj ai durimi, ose ai entuziazmi u harxhua dhe filloj kundërshtimi për të gjitha ato tema për të cilat në Kosovë ka pasur mospajtime. Këtë kundërshtim opozita e artikuloj edhe me rastin e ministrit Jabllanoviq, por së fundi edhe me rastin e marrëveshjeve tashmë të njohura të dëmshme”, tha Haradinaj.
Ai fajtor për gjendjen e krijuar në Kosovë gjatë vitit 2015-të ka bërë dy persona, kryeministrin Isa Mustafa dhe zëvend ësin e tij Hashim Thaçi, të cilët sipas tij më nuk kanë mundësi të dëshmojnë që mund të bëjnë diçka më mirë.
Haradinaj ka thënë se bashkë me dy marrëveshjet, që për katër muaj rresht i ka kundërshtuar opozita, ajo e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe demarkacionit me Malin e Zi, duhet të shkojnë edhe Mustafa dhe Thaçi.
Mustafa e Thaçi duhet të shkojnë bashkë me këto dy marrëveshje
“ Mendoj se vet zotëri Mustafa dhe zotëri Thaçi nuk i kanë lexuar mirë, ta quaj ashtu, treguesit në Kosovë. Në Kosovës është një gjendje e rëndë sociale, ekonomike, e ashtu është se nuk ka ndodh zhvillim ekonomik nëpër vite dhe është një mos durim në një gjendje çfarë ka vendi. Ajo u shpreh edhe me ikjen e qytetarëve në fillim të këtij viti që po lëmë pas, pra ka edhe një mo s durim edhe nga opozita që është artikuluar si kundër vendimeve të gabuara. Pra, zotëri Mustafa dhe zotëri Thaçi tanimë nuk janë në pozitë që ata më tutje me vazhdu dhe me provu me dëshmua diçka tjetër. Ata janë krijuesit e kësaj gjendje, që është një gjendje e rëndë në vend, dhe vetëm largimi i tyre mund ta ndryshoj gjendjen. Pra, si opozitë në këtë rast ju kemi dhënë mundësinë vetëm të anulimit të marrëveshjeve të fundit, ashtu siç i kemi dhënë mundësinë vetëm shkarkimit të ministrit Jabllanoviq, në mënyrë që të kthehemi në normalitet dhe të vazhdoj normaliteti në vend. Mirëpo hetohet se ata janë shumë të varur nga këto marrëveshje, dhe tani marrëveshjet të cilat si ajo e asociacionit u shpallën jo në frymë me Kushtetutën e vendit si marrëveshje, atëherë vetvetiu do të shkojnë bashkë këta njerëz edhe me marrëveshjet”, deklaroi Haradinaj.
Bashkimi i opozitës sipas tij ka sjell një fry më të re politike në vend dhe secila nga tri subjektet politike opozitare ka vlerat e veta brenda këtij bashkimi, tha Haradinaj.
Subjektit të tij politik këtë vit i janë arrestuar disa deputetë, të cilët në seanca të ndryshme të sesionit vjeshtor kanë hedhur gazin lotsjellës për të penguar mbajtjen e seancave, dhe pikërisht këto arrestime për Haradinajn kanë qenë të habitshme.
Arrestimi i deputetëve ka qenë situatë e habitshme
“AAK ka pasur një situatë jo të lehtë edhe në parlament, ne jemi përball me një kundërshtim të fuqishëm…dy nënkryetar të Aleancës, kryetarja e grupit parlamentar Donika Kadaj- Bujupi ka qenë e paraburgosur, dhe nënkryetari tjetër i AAK-së Pal Lekaj ka qenë i paraburgosur. Dy deputetet tjera, Time Kadrija dhe Teuta Haxhiu janë në masën e lajmërimit në polici. Kjo është një situatë e habitshme. Të them të drejtën je mi në atmosferë festive dhe po kursehem sado pak, por kjo qeveri ka shkuar shumë larg, nuk e di si do të përballet me të gjitha këto që ka bërë”, tha Haradinaj.
Lideri i AAK-së në intervistën dhënë për KosovaPress ka folur edhe për rolin e presidentes Atifete Jahjaga. Presidentja, sipas tij, ka qenë e ndikuar nga palët dhe ka anuar nga subjektet që gjenden në pushtet.
Jahjaga ka qenë e ndikuar dhe ka anuar nga partitë që janë në pushtet
“ Për ne ushtrimi i detyrës së presidentit nga zonja Jahjaga ka qenë një presidente e zbehtë jo e fuqishme, jo e qëndrueshme. Zakonisht e ndikueshme prej palëve, rasti i VLAN-it dhe situata të tjera na kanë tregu se ajo është realisht shumë më e ndërlidhur me partitë në pushtet. Unë mendoj që edhe sot presidentja e vendit zonja Jahjaga është më e lidhur me partitë në pushtet, pr a me PDK-në dhe LDK-në. Pse e bënë këtë nuk e di por pozicioni i tillë është gabim, meqenëse kur ka një shoqëri që është e re atëherë institucionet si presidenca është mirë me mbet jashtë ndikimit të partive politike dhe jashtë agjendës ditore të partive politike, nuk mendojmë që presidentja Jahjaga ka mundur të qëndroj kështu”, tha Haradinaj.
Mirëpo në rast të zgjedhjes së Thaçit si president i vendit me t’i përfunduar Jahjagës mandati, Haradinaj thotë se do ishte një rast krejtësisht tjetër. Vendi më nuk do të kishte një president që përfaqëson unitetin e popullit, por do të kishte një president krejtësisht partiak. Ai ka thënë se subjekti i tij nuk do të përkrah kandidaturën e Thaçit për president.
Ne nuk do të jemi pjesë e zgjedhjes së Thaçit për president
“Rasti i zotëri Thaçi do të ishte një rast krejtësisht tjetër, do të kishim një president krejtësisht një partiak. Ai është rrit me PDK-në, është në PDK dhe kuptohet është e pakuptueshme me prit prej tij me qenë president i të gjithëve në vend. Ai është president i atyre që e kanë sjell aty dhe me siguri që do të ndihet në obligim t’i përfaqëson ata që e zgjedhin. Me këtë rast nuk e di a do të zgjidhet zotëri Thaçi president, ky koalicion e shohim që është i pa kriter. Ata mund të marrin çdo veprim por ne nuk jemi pjesë e zgjedhjes së zotëri Thaçit president dhe nuk mendojmë që i kontribuojmë Kosovës duke e përkrah atë si president”, tha ai.
Ndërkohë Ramush Haradinaj ka një jetë edhe pas politikës. Ai duke qenë i angazhuar në postet politike që ka, nuk ka edhe mundësinë që çdo herë të jetë pranë familjes së tij, bashkëshortes e fëmijëve. Ai kujton kohën kur nga familja e tij kishte munguar për 4 vjet pasi që u përball dy herë radhazi me pr ocese gjyqësore në Hagë. Pikërisht për këtë fakt edhe ndjen faj që nuk i pa të rriten fëmijët e tij si edhe do të donte.
Për të, kujdes prindëror është edhe dhënia e kontributit në ndërtimin e një shteti ku fëmijët e tij dhe të tjerët mund të shkollohen, të punësohen dhe mund të krijojnë jetën e tyre.
Kujdes prindëror është edhe të ndihmojmë me e bë shtetin ku fëmijët mund të rriten të sigurt
“Unë jo vetëm që jam në angazhim politik qeverisës dhe si deputet. Unë kam bërë edhe faje të tjera, kam shku në burg dy herë, kam munguar nga familja ime rreth 4 vjet, nga prindërit nga Anita nga Gjini, Hana e Trimi nga Luani që është djali i Shkëlzenit, edhe kuptohet që jam me faj. Mundohem me e gjet ndonjë moment me qenë afër familjes, fëmijëve. Më kujtohet ajo që i kam thënë babës tim, pse bre ju në kohën e juaj si keni krye kë to punë, se keni ba luftën , s’na keni çliruar që ne të jemi të lirë, ai më tha; por kush ka pas me ju rrit ju se keni qenë krejt të vegjël… tash i erdh rendi. Unë mendoj që edhe ky është një kujdes prindëror. Në rast se ndihmojmë me ba një shtet ku rriten fëmija jonë të sigurt, ku mundem me u shkollua, me u punësua, me kriju jetë, mendoj që ky është po ashtu një kujdes ndaj tyre”, tha Haradinaj.
Numri një i AAK-së pret që në vitin 2016 të vazhdoj kundërshtimi politik e shoqëror, sepse kjo sipas tij është tregues për një shoqëri më të avancuar.
Pres në 2016 të vazhdoj kundërshtimi politik e shoqëror
“Për bindjen time është një fitore edhe diçka e mirë për Kosovën që ka filluar me reaguar me kundërshtua . Ndoshta kundërshtimi që ka ndodh në 2015 nuk ka qenë i përkryer, por fakti që në Kosov ka filluar kundërshtimi dhe dikush po artikulon kundërshtimin është tregues për një shoqëri më të avancuar. Pra me vazhdu kundërshtimin Kosova të veprime të gabuara ose të veprimeve të dëmshme për jetën e njerëzve të Kosovës është diçka e mirë dhe uroj prej njerëzve me u ba sa më shumë prej tyre pjesë e kundërshtimit të së keqes në vend”, tha Haradinaj.