Nesër në Ferizaj pritet që të mbahet një tubim me qytetarë e në të cilin do të marrin pjesë edhe tre liderët e opozitës së bashkuar, bënë të ditur gjatë një konference për medie drejtuesit e tri subjekteve politike në Ferizaj, VV_së, AAK-së dhe Nismës.
U bë e ditur se ky takim po bëhet në vazhdën e bashkërendimit të aktiviteteve për protestën e 9 janarit që do të mbahet në Prishtinë.
Kryetari i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Ferizaj, Emrush Xhemajli, me këtë rast u ka bërë thirrje qytetarëve të Ferizajt që të jenë pjesë e protestës me moton “Për shtet dhe sovranitet kundër qeverisë antikushtetuese”.
Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës në këtë situatë duhet të japë dorëheqje dhe t’i hapë rrugë zgjedhjeve të parakohshme, por që këtë nuk po e bën dhe se opsion i vetëm kanë mbetur protestat deri në rrëzimin e saj.
“Pasi që Gjykata Kushtetuese ka konstatuar 23 mospërputhje të marrëveshjeve me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, do të ishte krejt normale që ata të japin llogari, që do të nënkuptonte dorëheqjen e qeverisë dhe thirrjen nga ana e presidentes zgjedhje të parakohshme. Meqenëse kjo nuk ka ndodhur, neve si qytetarë dhe si subjekte politike nuk na ka mbetur tjetër vetëm të bashkohemi dhe përmes protestave të kërkojmë dorëheqjen e qeverisë”, tha Xhemajli.
Edhe kryetari i degës së AAK-së, Xhavit Zariqi, ka ripërseritur kërkesën për dorëheqjen e qeverisë, e cila në këtë situatë të krijuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese po mundohet që të kamuflojë shkeljet kinse me korrigjimin e saj.
”Është absurde të flitet për korrigjimin e marrëveshjes, kur kopjet e marrëveshjes i kanë palët, të cilat kërkojnë zbatimin e saj. Kjo përbën një kamuflim dhe një tendencë për ta implementuar marrëveshjen”, tha Zariqi.
Ftesën për pjesëmarrjen në protestë të qetë ferizajasve ua ka bërë edhe kryetari i degës së Nismës për Kosovën, Valon Ramadani, i cili për shkeljen që i është bërë Kushtetutës me këto marrëveshje përgjegjës i bën drejtuesit e Qeverisë, të cilët edhe duhet të shkojnë dhe t’i hapin rrugë zgjedhjeve.
Nesër pritet që ferizajasve t’u drejtohen lideri i VV-së Visar Ymeri, ai i AAK-së Ramush Haradinaj dhe kryetari i Nismës Fatmir Limaj, në tubimin që do të mbahet në Teatrin “Ardiana” në ora 13.
Përfaqësuesit e tri subjekteve opozitare i kanë njoftuar qytetarët se të shtunën shkuarja në protestën në Prishtinë do të jetë e organizuar dhe se kanë siguruar transportin./K.Press