Lajmet e fundit

S’ka zgjedhje pa i kryer “detyrat e shtëpisë”

Edhe pse zgjedhjet e jashtëzakonshme shihen si mundësi për dalje nga kriza politike në Kosovë, analistët politik në Prishtinë konsiderojnë se aktualisht nuk ka tregues se diçka e tillë mund të ndodhë së shpejti.

Ata konsiderojnë se Qeveria e Kosovës, por edhe disa institucione të tjera, kanë disa obligime që duhet t’i përfundojnë dhe se nuk ka kohë për zgjedhje.

Analisti politik, Halil Matoshi tha për Radion Evropa e Lirë se në një vend demokratik, i vetmi mjet ligjor për tejkalimin e krizave politike, apo edhe ndërrimin e pushteteve, janë zgjedhjet.

“Pa i përfunduar detyrat e shtëpisë, kjo qeveri praktikisht nuk shkon. Këto [detyra] janë themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, dhe menaxhimi i situatës në rast se Gjykata Speciale shpall aktakuzat e para sivjet”.

“Prandaj zgjedhjet do të jenë, megjithatë, opsion për vjeshtën e këtij viti. Eventualisht zgjedhjet mund të ndodhin edhe me herët, por po them që me marrëveshjet ndërmjet liderëve politik, zgjedhjet edhe mund të shtyhen deri në vjeshtën e këtij viti”, thotë Matoshi.

Edhe analisti Naim Rashiti nga Grupi Ballkanik për Politika, thotë se zgjedhjet janë opsion për dalje nga kriza , por në situatën aktuale në të cilën ndodhet Kosova dhe partitë politike, nuk ka mundësi që ato të mbahen në një periudhë të shkurtër kohore.

“Nuk po shoh rrethana për zgjedhje, sepse partitë në pushtet e kanë një shumicë të konsiderueshme. Ato nuk lejojnë që të krijohet situatë për zgjedhje, pavarësisht faktit që një pjesë e madhe e institucioneve është jofunksionale”, deklaroi Rashiti.

Ndërsa analisti Halil Matoshi ka përmendur edhe një mundësi kur vendi mund të shkojë në zgjedhje.

Sipas tij, nëse në muajt e ardhshëm paraqitet ndonjë problem ndërmjet koalicionit qeverisës për zgjedhjen e presidentit, atëherë ekziston mundësia që të ketë zgjedhje.

“Me sa unë e shoh, mospajtime ndërmjet partnerëve të koalicionitrreth zgjedhjes së presidentit, që do të duhej të ishte Hashim Thaçi, nuk ka. Mirëpo kjo mund të ndodhë vetëm nëse Thaçi nuk ka probleme me drejtësinë ndërkombëtare”, u shpreh Matoshi.

Kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa, disa herë ka përjashtuar çdo mundësi që të ketë zgjedhje të reja, kërkesë kjo e përfaqësuesve të partive politike opozitare.

Në fund të viti 2015, në një takim me gazetarë, Mustafa patë thënë se “nuk e kemi ndërmend të japim dorëheqje e as të shkojmë në zgjedhje, sepse zgjedhjet do të mbahen në vitin 2018. Kemi një koalicion të fortë e stabil”. 

Përfaqësues të partive politike opozitare në Kosovë konsiderojnë se qeveria e Kosovës ka disa mundësi për të dalë nga kriza politike në të cilën ndodhet. Një nga këto mundësi, sipas tyre, është edhe mbajtja e zgjedhjeve.

Partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën kanë paralajmëruar vazhdimin e përpjekjeve dhe aktiviteteve në kundërshtim të politikave që po udhëheqë qeveria e koalicionit të dy partive më të mëdha në Kosovë, PDK-së dhe LDK-së.

Përfaqësues të këtyre tri partive kanë konfirmuar se më 9 janar do të mbajnë një protestë në Prishtinë,në të cilën do të kërkohet që të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me marrëveshjen me Serbinë për Asociacionin e komunave të banuara me shumicë serbe.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, disa parime të kësaj marrëveshjeje nuk ishin në harmoni të plotë me Kushtetutën e Kosovës, andaj opozita kërkon që kjo marrëveshje të anulohet./REL

Leave a Reply

Your email address will not be published.