Lumi Drin ka arritur kuotat e tij maksimale dhe rrezikon të dalë nga shtrati, ndërkohë që nënstacioni elektrik i qytetit rrezikon të përmbytet.
Reshjet e shiut vijojnë të bien me intensitet të lartë, ndërkohë që ka prani të lartë të ujit në banesa. Në fshatin Pllane janë evakuuar 13 familje.
“Prej mëngjesit të sotëm pranë nënstacionit elektrik ndodhen forcat zjarrfikëse me 3 pompa që po bëjnë largimin e ujit, pasi stacioni ndodhet në rrezik përmbytje. Edhe niveli i lumit Drin ndodhet në pikë kritike. Të gjitha autoritetet janë në terren për të monitoruar situatën. Ndërkohë në fshatin plane janë evakuuar 13 familje të cilat janë akomoduar pranë familjarëve të tyre, pasi banesat e tyre ndodhen në ujë. Nuk mund të flasim për përmirësim të situatës në njësinë administrative të Zejmenit, apo njësi të tjera pasi reshjet kanë vijuar me intensitet të lartë gjatë gjithë ditës. Situata brenda në qytetin e Lezhës ka përmirësime, uji është tërhequr nga lagjet falë ndërhyrjes së ndërmarrjes së shërbimeve pranë bashkisë që kanë bërë të mundur zhbllokimin e pusetave”, transmeton oranews.
Situatë e rëndë edhe në Fushë-Krujë, ku 13 banesa rrezikojnë të përmbyten. Të rrezikuara janë fshatrat Bubq dhe Murqinë.
Banorët kërkojnë nga njësia administrative ti largojnë nga banesat pasi kanë frikë të kalojnë natën në shtëpitë e tyre nga fryrja e madhe e lumit Ishëm dhe prania e lartë e ujit.
Kryetari i fshatit thotë se sa herë bie shi këto familje janë të rrezikuara, ndërkohë që mbi 150 ha toke të mbjella janë nën ujë. Përmbytje janë regjistruar edhe në disa zona në qytetin e Vlorës.