Lajmet e fundit

Avdullah Hoti e Nahit Sharku nuk e përfillin vendimin e Këshillit Mbikëqyrës

Arbesa Ibrahimi

Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Nahit Sharku, para disa muajsh pati marrë vendim që disa zyrtarë të caktuar të ATK-së, t’i transferojë në pozita të tjera brenda Administratës, derisa në vend të tyre siç ka mësuar Gazeta Blic, me urdhër të ministrit Avdullah Hoti ka vendosur njerëz të afërt me LDK-në.

Vetëm pak kohë pas këtij vendimi, zyrtarët e transferuar në pozita të tjera brenda ATK-së (pa pëlqimin e tyre), kishin bërë ankesë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës, këshill ky, i cili vendosi që të anulohen këto transferime.

Mirëpo, pavarësisht këtij vendimi obligativ të KPM-së, Sharku deri më tani nuk e ka zbatuar. Burime të Gazetës Blic brenda Administartës Tatimore të Kosovës kanë thënë se Sharku ka pasur presione politike nga Ministri Hoti, që të mos zbatojë këtë vendim të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës.

Cak i ministrit Hoti- personat që nuk i takojnë LDK-së

Shaqir Totaj, njëri nga zyrtarët e transferuar, ka thënë për Gazetën Blic se Nahit Sharku prej se ka ardhur në postin e ushtruesit të detyrës së drejtorit të ATK-së, ka nisur të merret me transferimin e punëtorëve, ndonëse sipas tij, ai nuk i plotëson kriteret e postit në të cilin është.

“Z. Sharku prej se ka ardhur në këtë post të UD, kryesisht është marrë me stafin e ATK-së, duke i lëvizur nga posti personat, pa ndonjë arsye relevante profesionale. Ministri i Financave Avdullah Hoti, e ka vendosur në postin e UD së Drejtorit të ATK-së z. Nahit Sharkun, një person që as përafërsisht nuk i plotëson kërkesat e postit të cilin e mban momentalisht”, ka deklaruar Totaj për Gazetën Blic.

Tutje, Shaqir Totaj ka theksuar, se cak i këtyre transferimeve janë bërë personat që nuk i takojnë Lidhjes Demokratike.

“Ai e ka përkrahjen nga ministri Hoti dhe profesionalistat që nuk janë të afërt me LDK-në, por janë neutral politikisht, i kanë marrë në shënjestër. Unë jam jopolitik, profesionist, themelues i ATK-së dhe që nga dita e parë menaxher në ATK”, ka shtuar ai.

Megjithëkëtë, ndonëse Këshilli Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës kishte marrë vendim që zyrtarët e transferuar të ktheheshin në vendet e tyre të punës, Sharku nuk e kishte zbatuar atë vendim (me përjashtim të një dite). Pra, ai fillimisht e kishte kthyer Totajn në pozitën ku ishte, por vetëm pas kësaj dite, siç ka treguar Shaqir Totaj, ai e kishte ritransferuar sërish.

Vendimi i Këshillit Mbikëqyrës për ta kthyer Totajn në pozitën e tij:

1Vendimi i UD., së drejtorit të ATK-së, Nahit Sharkut, për ta vënë në zbatim vendimin e Këshillit Mbikëqyrës:

5

Vendimi i Sharkut për ta larguar sërish Totajn nga pozita ku ishte dhe për ta zhvendosur në një pozitë tjetër:

6Gazeta Blic ka tentuar të marrë një përgjigje nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të ATK-së, Nahit Sharku, por pa sukses. Poashtu, Gazeta Blic e ka kontaktuar edhe Ministrin e Financave, Avdullah Hotin, mirëpo as ai e as përgjegjësit për informim nga Ministria e tij, nuk kanë pranuar të flasin.

Pas ankesës në Këshill, të transferuarit do të ndjekin hapa të tjerë

Nga ana tjetër, Bekim Gashi, po ashtu i transferuar (nga pozita e punës: Udhëheqës i Ekipit të Kontrollit në DTM në pozitën e punës : Këshilltar në Divizionin për Menaxhimin  e Rrezikut-ZQ),  ka thënë se përpos ankesës në Këshillin Mbikëqyrës, do të ndjek edhe procedura të tjera.

Patjetër që do të ndërmarrim hapa të tjerë. Janë shkallët tjera dhe duhet t’i ndërmarrim edhe hapat e tjerë. Të drejtën time kam për ta çuar deri në fund, asgjë më tepër se sa atë pjesën e drejtësisë që unë e kërkoj”, ka thënë ai për Gazetën Blic.

Gashi më pas, ka thënë se i është bërë e padrejtë me këtë vendim, ku sipas tij, edhe Këshilli Mbikëqyrës ka vlerësuar njëjtë. Kurse, lidhur me këtë vendim, ka qenë i ndërlidhur edhe një arsyetim tjetër siç ai është shprehur.

“Ne jemi të pakënaqur me këto  që na janë bërë dhe s’kam çka të shtoj, dhe unë personalisht po mendoj që më është bërë e padrejtë, andaj i kam marrë këta hapa. Sa më përket mua, ka qenë edhe një arsyetim shtesë, se postin tim unë e mbaj vetëm qe 6 muaj dhe nuk janë vlerësuar as performancat e mia që kanë qenë maksimale, as kurrgjë s’është ndërmarrë në këtë drejtim. Për këtë kam qenë i pakënaqur dhe kam vepruar në këtë drejtim”, ka treguar ai, duke shtuar se “ata” e dinë më mirë pse nuk po i zbatojnë vendimet në fjalë.

Kurse, një zyrtar tjetër i ATK-së, i cili pësoi nga këto vendime të Sharkut e Hotit, ka thënë se vendimi për ta transferuar është marrë pa biseduar fare me të, ndonëse siç ai ka treguar, e ka pasur notën më të lartë.

“Jam palë e dëmtuar. Performancën e kam pasur me notën më të madhe dhe ma kanë bërë të padrejtë, pa u konsultuar me mua. Kam qenë në pushim, veç kur kam ardhur, e kam parë e-mailin, që transferohesh prej kësaj pozite në këtë pozitë”, ka thënë për  Gazetën Blic ky zyrtar në kushte anonimiteti, duke kërkuar që të mbetet anonim, me arsyetimin se mund t’i rrezikohet  vendi i tanishëm i punës.

Ky zyrtar i Administratës Tatimore, më pas ka thënë se nuk i takon asnjërës parti dhe se “shef” siç ai ka thënë, ka qenë para se PDK-ja dhe LDK-ja ta merrnin qeverisjen.

“Jam apartiak, as jam i LDK-së , as i PDK-së. Unë shef nuk jam bërë as në kohën e Isës, as në atë Hashimit, , më herët domethënë kam qenë”, ka theksuar ai, duke nënvizuar se në ATK punon që prej vitit 2001, kur është themeluar kjo Administratë.

Ai më tutje, ka treguar se për këtë çështje është ankuar disa herë, mirëpo ndonëse Këshilli Mbikëqyrës ka marrë vendim që personat e transferuar të kthehen në pozitat ku kanë qenë, ai nuk po zbatohet akoma.

“Jam ankuar në Administratë , ajo ma ka kthyer negative. Jam ankuar në Këshill, këshilli ma ka kthyer pozitiv. Një muaj ka kaluar afati për ta zbatuar, s’e ka zbatuar. Tash jam ankuar në instancat e tjera, po pres çfarë vendimi do të marrë Gjykata. Forcë nuk po kam, me u shty me askënd”, ka deklaruar ai.

Sharku iu jepte vërejte punëtorëve, para se të vinte në krye të U.D., së drejtorit të ATK-së

E Shaqir Totaj më pas, ka thënë se Sharku fillimisht kishte nisur t’i jepte vërejtje (para se të vinte në pozitën e UD së drejtorit), edhe pse siç ai është shprehur, Nahit Sharku nuk ka qenë njeriu përgjegjës për këto veprime.

“Fare pa më kontaktuar mua, z. Sharku më ka dhënë vërejtje me shkrim, ndonëse fare nuk ka qenë eprori im direkt  dhe vetëm përmes e-maileve, unë i kam marrë vërejtjet që nuk kanë asnjë arsye dhe as bazë ligjore”, ka theksuar Totaj.

Kurse, arsyet e këtyre që po ndodhin sipas tij, nuk i takojnë profesionalizmit.

“Arsyet pse ndodhin këto gjëra nuk janë të natyrës profesionale dhe kanë të bëjnë me kompleksin e inferioritetit profesional të Z. Sharku, duke treguar kështu edhe një nivel të ulët të etikës, si komponente e rëndesishme e jo-profesionalizmit të tij”, është shprehur ai.

Ndryshe, Totaj ka treguar se ka kryer specializimin në SHBA, si i vetmi kandidat nga Kosova me sponzorizim 100 % nga Ambasada, që në vlerë ka qenë diku afër 80.000 dollarë dhe se është ekspert i certifikuar global i FMN-së për performancë tatimore.

Ndërsa lidhur me çështjen e transferimeve, ai ka thënë se nëpërmjet email-it, i ka kërkuar takim ministrit Hoti, megjithëkëtë nuk ka marrë ndonjë përgjigje. /GazetaBlic/

 

Vërejtje: Shkrimin që Gazeta Blic e pati publikuar ditë më parë lidhur me mosemërimin e drejtorit të ATK-së, mund ta gjeni KËTU!

Leave a Reply

Your email address will not be published.