Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu ka deklaruar se përveç rrugës “Pavarësia”, në mes të Pallatit të Drejtësisë dhe Hajvalisë, e cila ishte dëmtuar nga reshjet e shiut, dëme tjera të theksuara në komunën e Prishtinës nuk ka pasur.
Ai ka falënderuar ekipet e Drejtorisë së Inspekcionit, Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Qendrës së Thirrjeve të Komunës së Prishtinës (0800 1 22 33) dhe kompanive të kontraktuara që dje gjatë gjithë ditës janë përkujdesur që intervenimet gjatë reshjeve të jenë në kohë dhe të sakta.
“Përveç në rrugën ‘Pavarësia’ (në mes të Pallatit të Drejtësisë dhe Hajvalisë), e cila ishte dëmtuar nga reshjet e shiut, dhe për shkak të rrezikut që mund t’iu kanoset ngasësve të makinave është vendosur që të mbyllet kjo rrugë përkohësisht deri në riparimin e saj, dëme tjera të theksuara në Komunën e Prishtinës nuk ka”, ka shkruar ai në Facebook.