Në orën 2 pas mesnate, lumi Shkumbin doli nga shtrati në zonen fushore të Lushnjes duke pushtuar tokat dhe banesat. Niveli i ujit ka arritur kuotën maksimale të paparë ndonjëherë dhe banorët kanë nxituar të largohen nga bensat e tyre.
“Kam familjen, jemi nja 5-6 veta. Uji ka gjithë natën që ka hyrë në shtëpi”, thotë një prej tyre. “Shkumbini ka dalë në orën 2 e gjysmë të natës”, thotë një tjetër.
Zonat më të përmbytura janë zona e fshatit Thanasaj, ku 30 banesa janë nën ujë e ku forcat e zjarrfikëse kanë arritur të evakuojnë një familje me 5 anëtarë të cilët ishin rrethuar nga uji.
Nënprefekti i Lushnjes, Ilir Dervishi, i cili kryeson shtabin e emergjencës, thotë se janë marrë të gjitha masat për të përballuar situatën.
“Situata ka qenë shumë e paparashikuar, me prurje të Shkumbinit si rrallë ndonjëherë. Janë rreth 30 banesa ku ka prezencë të ujit, por nuk ka dëme në njerëz dhe bagëti”, ka deklaruar Dervishi.
Zonë tjetër e përmbytur është ajo e fshatit Çermë Proshkë, ku mbi 15 banesa janë të përfshira nga uji. Niveli i lartë i ujit i cili po rrezikon jetën e 17 banorëve në një shtëpi ku kati i parë i saj është i tëri nën ujë.
Banorët e kësaj familjeje, edhe pse janë njoftuar për t’u larguar, nuk i janë bindur thirrjeve të bëra nga Shtabi i Emergjencave.
Situata paraqitet e vështirë edhe në zonën e Divjakës, ku raportohet se qindra hektarë tokë janë nën ujë. Situata pritet të bëhet edhe më dramatike pasi prurjet e lumit sa vijnë e po bëhen edhe më të shumta.
/ Top Channel