Lajmet e fundit

Policët e rremë ekzekutojnë Çollakun, ja detajet e rrëmbimit

Gazmend Çollaku, i cili u rrëmbye në Durrës mbrëmjen e së mërkurës, u gjet i vdekur me dy plumba në kokë dhe një në trup, në fshatin Mazhë të Krujës. Dyshimet e policisë se ngjarja mund të ketë lidhje me vrasjen e dy të rinjve më 21 dhjetor të vitit të kaluar. A është i njëjti grup që rrëmbeu Stafukën? Çollaku u mor peng teksa ishte i shoqëruar nga shokët e tij.

Këmbë e duar të lidhura, dy plumba në kokë dhe një në gjoks, i hedhur buzë një kanali pranë një rruge të pashtruar në fshatin Mazhë të Krujës.

Ky ishte fati më se tragjik i 40-vjeçarit Gazmend Çollaku, që u rrëmbye mbrëmjen e së mërkurës në një bar-kafe në Durrës dhe u gjet i vrarë mëngjesin e djeshëm. Ekzekutim i tipit mafioz dhe dyshime të forta se kjo ngjarje ka lidhje me larje hesapesh mes bandash.

Në këtë përfundim arrijnë specialistët e policisë, duke marrë parasysh dinamikën e krimit. Ndërsa një tjetër pistë që është futur në dyshimet policore për ekzekutimin e tij janë të dhënat se mund të ketë lidhje me vrasjen e Ervin Kodrës dhe Endri Çaushajt, ngjarje e ndodhur po në Durrës më 21 dhjetor të vitit të kaluar.

Për policinë, ngjarja e rrëmbimit dhe ekzekutimit të Çollakut duket e largët për momentin në zbulim. Dje janë zbuluar edhe fakte të reja mbi momentin e rrëmbimit. Mësohet se Gazmend Çollaku ishte duke konsumuar një kafe bashkë me disa shokë të tij, por në ato çaste është thirrur jashtë lokalit nga katër persona, të cilët ishin të veshur me uniforma policie.

Çollaku është vonuar dhe më pas shokët e tij kanë dalë jashtë për të parë çfarë kishte ndodhur dhe disa qytetarë u treguan se ai ishte marrë nga agjentët e policisë.

Në ato momente, njëri prej shokëve të Çollakut ka telefonuar dikë që njihte në polici, por nga strukturat e rendit është konfirmuar se nuk ka pasur asnjë aksion policor për shoqërimin e Çollakut.

Miqtë e tij kanë kuptuar se nuk bëhej fjalë për efektivë policie dhe kanë dalë në rrugët e Durrësit për ta kërkuar, pasi dëshmitarët ishin shprehur se 40-vjeçari ishte futur me forcë nga “agjentët e rremë”, në një automjet tip BMW me targa gjermane.

Gjithçka ka qenë e kotë si nga ana e Policisë së Shtetit, ashtu edhe e shokëve të 40-vjeçarit, pasi ky i fundit dyshohet se u ekzekutua po mbrëmjen e së mërkurës në fshatin Mazhë të Krujës dhe trupi i pajetë u gjet mëngjesin e djeshëm nga disa banorë të zonës.

“Prezantimi si punonjës policie, rrëmbimi, forma që gjetën për ta marrë forcërisht dhe më pas ekzekutimi, bëjnë të dyshohet se ka ngjashmëri edhe me rrëmbimin dhe zhdukjen e Enver Stafukës rreth një vit më parë në Fushë-Krujë” – shprehen burime konfidenciale të policisë së Durrësit.

Sipas tyre, ka dyshime se është i njëjti grup, por çështja ndërlikohet duke marrë parasysh edhe të kaluarën e viktimës së djeshme.

Për Çollakun kishte dyshime se mund të ishte implikuar në vrasjen e Enri Çaushajt dhe Ervin Kodrës, madje qe shoqëruar në polici dhe pas marrjes në pyetje u la i lirë. Çollaku njihej si mik me të rinjtë Kodra dhe Çaushaj, por kanë pasur edhe mosmarrëveshje mes tyre.

Në këtë rast, dyshimi i policisë është se Çollaku mund të jetë rrëmbyer dhe vrarë me qëllim hakmarrjen për vrasjen e dyfishtë në Durrës.

Janë shoqëruar në polici 20 persona, 15 me banim në Durrës dhe pesë në Fushë-Krujë, por gjithsesi ende nuk ka persona të ndaluar si autorë të vrasjes së 40-vjeçarit.

Për nga mënyra e rrëmbimit, por edhe të dhënat fizike të treguara nga dëshmitarët dyshohet se janë të njëjtët persona që rrëmbyen Enver Stafukën, i akuzuar si personi që vodhi një automjet dhe më pas ajo makinë u përdor në vrasjen e komisarit të policisë Dritan Lamaj në vitin 2013.

Për vrasjen e Lamajt është dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm Arben Frroku. Duke mbetur në pellgun Durrës-Fushë-Krujë-Laç, të tjera ngjarje të rënda janë regjistruar vitet e fundit, si në ekzekutime, rrëmbime, apo grabitje të shumave të mëdha të parave.

Ish-kryeministri Sali Berisha në komentin e tij për ngjarjen e djeshme në Durrës ka ngritur të tjera dyshime.

“Dje ne mes të Durrësit, katërshja me uniformë policie që mbrohet nga shteti, që grabiti dhe zhduku Stafukën, që vodhi 6 milionë euro të bankës ‘Credins’, grabiti në prani të policisë qytetarin Çollaku dhe në shoqërim të policisë e çoi atë në një përrua të Fushë-Krujës dhe e ekzekutoi. Në të vërtetë, ky akt terrorist është vepër direkt e Saje Qorrit, i cili si anëtar i bandës kishte vetëm dy detyra. E para, të zhdukte çdo postbllok nga Durrësi në destinacion vend-ekzekutimin e Çollakut. E dyta, policia të shoqëronte pengmarrësit gjer në fund se mos iu ndodhte ndonjë defekt në makinë apo aksident i rastit dhe t’i ndihmonte”.

Kështu komenton Berisha, duke aluduar për bashkëpunim të policisë dhe krijuar gjithashtu edhe lidhje me ngjarje të mëparshme, mes të cilave edhe grabitja e parave të një banke të nivelit të dytë pak javë më parë në rrugën Tiranë-Rinas./Mapo/

Leave a Reply

Your email address will not be published.