Lajmet e fundit

LAJMI I FUNDIT || Ky është skenari, kundër zgjedhjes së Hashim Thaçit, president!

Pavarësisht pse kryeministri i vendit Isa Mustafa dhe njerëzit e PDK-së janë të bindur për ardhjen e Hashim Thaçit, në postin e të parit të vendit, megjithatë ai ende nuk ka asgjë të sigurt.

Burime të Gazetës Blic, kanë theksuar se pos që ndërkombëtarët ende nuk janë përcaktuar nëse do ta mbështesin apo jo Hashim Thaçin për president, ekziston mundësia që një pjesë e deputetëve të LDK-së të pengojnë zgjedhjen e tij, përmes një skenari i cili do ta pamundësojë mbajtjen e seancës së Kuvendit të Kosovës.

“Ka mundësi që ditën kur caktohet seanca, një pjesë e deputetëve të LDK-së të mos marrin fare pjesë në seancë, duke e pamundësuar kështu kuorumin, prej 2/3 të votave të të gjithë deputetëve, çka do ta bënte të pamundur mbajtjen e seancës për zgjedhjen e presidentit të ri”, ka theksuar ky burim i Gazetës Blic.

Sipas këtij burimi, nëse në seancë do të jenë më pak se 80 deputetë, atëherë nuk do të mund të filloj seanca për zgjedhjen e Thaçit president.

Ky kuorum prej 2/3 të të gjithë deputetëve për zgjedhjen e presidentit, u bë rregull pas vendimit që kishte marrë Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila kishte konstatuar se zgjedhja e Behgjet Pacollit në krye të shtetit ishte bërë në kundërshtim me Kushtetutën, ngase në seancë ishin prezen më pak se 80 deputetë.

Ndërkohë, sipas burimeve të Gazetës Blic, janë të paktën 7-8 deputetë nga radhët e kësaj partie që do të pengojnë zgjedhjen e Hashim Thaçit president.

“Ka një presion nga lidershipi i LDK-së që të mos pengohet zgjedhja e Hashim Thaçit president, ngase kësisoj do të prishej marrëveshja e koalicionit PDK- LDK, dhe kësisoj Isa Mustafa do ta humbte postin e kryeministrit”, tha ky burim.

Deri më tani deputetët nga radhët e LDK-së që e kanë rikonfirmuar se do ta pengojnë zgjedhjen e Thaçit në krye të shtetit janë: Vjosa Osmani, Arben Gashi, Adem Salihaj dhe Alma Lama.

Megjithatë, ende nuk dihet nëse pro tij do të votojnë ata që nuk e votuan koalicionin me PDK-në dhe Isa Mustafën kryeministër, si: Anton Quni, Armend Zemaj e Doruntinë Maloku.

Nga PDK ndërkaq, janë të bindur se Hashim Thaçi do të jetë president i vendit.

Shefi i deputetëve të PDK-së, Adem Grabovci ka thënë se puna e zgjedhjes së Hashim Thaçit president është e përfunduar.

I bindur se Thaçi do të jetë president është edhe kryeministri i vendit Isa Mustafa. Ai në të gjitha paraqitjet e tij të fundit për medie ka theksuar se do të respektohet marrëveshja ndërmjet PDK e LDK-së, sipas së cilës Hashim Thaçi do ta zëvendësoj Jahjagën.

Ndryshe, Gazeta Blic ditë më parë ka raportuar se data 15 janar do të jetë koha përfundimtare, kur Hashim Thaçi do ta kuptoj nëse ndërkombëtarët do ta mbështesin atë për president apo jo.

“Gjasat për të ardhur ai në krye të Presidencës janë 50 me 50. Nuk përjashtohet mundësia që Jahjaga të zgjedhet edhe për një mandat”, ka theksuar ky burim.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, president mund të bëhet kandidati i cili merr 2/3 e votave të të gjithë deputetëve. Mirëpo, nëse në raundin e parë nuk e arrin këtë shumicë, atëherë do të shkohet në një votim të dytë, ku prapë kërkohet 2/3 e votave të të gjithë deputetëve. Dhe nëse as në raundin e dytë nuk i merr më shumë se 80 vota, atëherë shkohet në raundin e fundit. Në këtë raund, kandidati për president për t’u zgjedhur në këtë post, duhet t’i marrë 50 + 1 për qind, që i bie t’i marrë 61 vota.

Sipas Kushtetutës, nëse as në raundin e tretë kandidati nuk i merr votat e mjaftueshme, atëherë me automatizëm vendi shkon në zgjedhje të reja./ Gazeta Blic

Leave a Reply

Your email address will not be published.