Kryetarja e Gruas Demokratike të PDK-së, Justina Shiroka-Pula me bashkëpunëtore, ka vizituar Mitrovicën e Veriut. Gjatë vizitës, kryetarja Pula ka takuar kryetarin e degës së PDK-së Florent Azemi, gjersa takim të veçantë kishte me strukturën drejtuese të Gruas Demokratike në Mitrovicën e Veriut. Në takim, kryetarja e degës së GD-së Gonxhe Çaushi bashkë me këshilltaren komunale Fatlume Delija informuan delegacionin për rrjedhat në këtë rajon dhe problemet me të cilat përballen gratë, thuhet në njoftimin e Partisë Demokratike të Kosovës.
“Nuk jemi të kënaqura aspak me përfaqësimin e gruas në pushtetin lokal dhe shprehim revoltën tonë për këtë gjendje edhe ndaj shefes së zyrës administrative në veri të vendit Adriana Hoxhiç” u shpreh Çaushi.
Kryetarja Pula në takim premtoi angazhim maksimal të GD-së për të ndryshuar gjendjen e tillë, duke u zotuar për rritje të bashkëpunimit nëpërmes projekteve të përbashkëta, të cilat gjithsesi do të ndikojnë në rritje të cilësisë së jetës. Shiroka-Pula gjatë ditës së sotme në Mitrovicën e Veriut vizitoi edhe lagjen e Kroit të Vitakut për t’u ndalur në një bashkëbisedim me Ali Kadriun dhe banues tjerë të lagjes, duke i inkurajuar ata për qëndresën dhe sakrificën e tyre për të jetuar në këtë pjesë të Republikës së Kosovës. “Aktualisht nuk kemi asnjë problem me fqinjët serb, tani kanë filluar edhe të na ofrohen për fqinjësi”, tha Kadriu.