Nga komunat e Dukagjinit, opozita planifikon të niset për protestën e Prishtinës me 31 autobusë, 12 furgonë e shumë vetura.
Përfaqësuesit e opozitës kanë bërë të ditur për KALLXO.com së nesër nga Peja, Istogu, Klina e Deçani do nisen mijëra qytetarë në mënyrë të organizuar drejt Prishtinës për të protestuar.
Nga katër komunat perëndimore të vendit, opozita pret që më së shumti protestues të hkojnë në kryeqytet nga Deçani.
“Nga Deçani do të jenë diku rreth 3000 protestues të cilët do udhëtojnë në mënyrë të organizuar me 15 autobusë,10 kombi dhe rreth 300 vetura,“ thanë në këshillin organizativ opozitar të kësaj komune.
Komuna e Pejës edhe pse më e madhja me sipërfaqe dhe banorë në Dukagjin, do të çojë në Prishtinë në mënyrë të organizuar më pak autobusë me protestues.
“ 7 autobusë do nisen vetëm nga qyteti, kurse nga 5 vetura janë të organizuara të nisen nga secili lokacion dhe fshat i Pejës . Do jenë qindra vetura të mbushura me qytetarë së bashku me 7 autobusë nga Peja,“ thonë në këshillin drejtues të opozitës pejane.
Organizatorët e nisjes nga Komuna e Klinës, konfirmuan për KALLXO.com se nesër nga kjo komunë drejt Prishtinës për të protestuar do udhëtojnë 5 autobusë me qytetarë, një furgon dhe dhjetëra vetura.
Asamblisti i Lëvizjes “Vetëvendosje” në Komunën e Istogut, Florin Dreshaj tha se interesimi i qytetarëve të Istogut është rritur shumë më shumë se për manifestimin e opozitës më 28 nëntor.
“Krahas manifestimit të 28 nëntorit, për këtë protestë interesimi i qytetarëve nga Istogu është shumë më i madh. 4 autobusë, një kombi dhe minimum 30 vetura me qytetarë do shkojnë për të protestuar,“ tha Dreshaj.
Opozita do ta organizojë nesër protestën ku pritet të kërkojë dorëheqjen e qeverisë, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 23 dhjetorit se parimet e marrëveshjes për asociacionin nuk janë plotësisht në pajtim me frymën e kushtetutës.
Që nga nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje më 25 gusht dhe një ditë më pas edhe të asaj për vijën kufitare me Malin e Zi, e deri te vendimi i Gjykatës Kushtetuese, opozita ka kërkuar tërheqjen e nënshkrimeve të qeverisë nga këto dy marrëveshje, duke mbajtur tubime nëpër komuna të Kosovës nga 28 nëntori i vitit të kaluar.
Kryeministri Isa Mustafa sot në mbledhjen e qeverisë ka kërkuar protestë paqësore të opozitës duke thënë se askush nuk ka të drejtë të tentojë ta marrë pushtetin me dhunë. Në të njëjtën mbledhje, zëvendësi i Mustafës hashim Thaçi protestat i ka cilësuar të panevojshme.
Edhe Policia e Kosovës u ka bërë thirrje protestuesve të nesërm që të mos shkaktojnë veprime të dhunshme, pasi në radhë të parë do të dëmtojnë veten, por edhe zyrtarët policorë.
(Kallxo.com)