Protesta e Opozitës së bashkuar nesër, me 9 janar, e shtunë, do të fillojë në orën 14:00. Do të jetë madhështore dhe indikacionet janë se ajo do t’ia kalojë për nga numri edhe manifestimit të Opozitës me 28 nëntor, por nuk do të zgjasë shumë. Do të mbajnë fjalime liderët e tri partive dhe disa deputetë, të cilët në protestë do të jenë të shoqëruar me fëmijët e tyre e familjarë të tjerë. Nuk do të ketë dhunë, por do të jetë protestë madhështore.
Kështu e ka përshkruar protestën e nesërme, deputetja opozitare nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, e cila ishte mysafire në Ora e Fundit në Klan Kosova.
“Është përgatitja më serioze e ndërmarrë ndonjëherë nga Opozita. Shumë qytetarë janë përgjigjur duke konfirmuar se do të jenë në Prishtinë nga të gjitha komunat dhe fshatrat e Kosovës. Protesta do të jetë paqësore. Ne do të dalim me fëmijët tanë dhe me bashkëshortët”, ka thënë Kadaj-Bujupi.
Ajo është shprehur se nesër do të fillojë një kapitull i ri për Kosovën, duke kërkuar edhe njëherë zhvleftësimin e marrëveshje, por edhe largimin e kësaj Qeverie.
“Atë që e kemi thënë gjatë gjithë kohës, e ka vërtetuar edhe Gjykata Kushtetuese. Ne kemi qenë dhe jemi në anën e drejtë”. “Qeveria do të duhej të reflektonte para katër muajsh, por këmbëngulësia e tyre na ka sjellë në këtë pozitë që ata të largohen me protesta”.
“Shkelësit e kushtetutës duhet të japin llogari”, ka pohuar Kadaj-Bujupi, “Qeveria nuk ka më legjitimitet. E ka shkelur Kushtetutën në 23 pika”, ka thënë ajo.
“Isa Mustafa nuk e ka pasur idenë se çfarë po nënshkruante”, tha me bindje deputetja opozitare.
“Këto dy marrëveshje do ta kapitullonin vendin, ata kanë nënshkruar humbje të tokës. Prandaj nuk do të pyetën ‘a duan të shkojnë në shtëpi?’, – por ata do të largohen në një të ardhme të afërt”, sepse “e ardhmja e Kosovës është pa ata që kanë nënshkruar këto marrëveshje të dëmshme”.
Shefja e grupit parlamentar të AAK-së, ka njoftuar se kolegu i saj që po vuan dënimin e arrestit shtëpiak nuk do ta shkelë këtë rregull dhe nuk do të jetë pjesë e protestës, por Kadaj-Bujupi, të njëjtën nuk ka mundur ta thotë edhe për kolegët e saj nga partitë tjera të Opozitës, njofton Klan Kosova.