Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri pas eskalimit të situatës në protestën e sotme ka vlerësuar se kjo protestë është revoltë e qytetarëve kundrejt Qeverisë së Kosovës. Ai gjithashtu ka konfirmuar se protestat e opozitës së bashkuar do të vazhdojnë edhe në ditët dhe javët e ardhshme, ndërsa ka mohuar se zjarrin në ndërtesën e Qeverisë e hodhën aktivistët e VV-së.
Kryetari i VV-së tha se protesta e sotme sot ishte një ndër protestat më të mëdha në periudhën e pasluftës.
Ymeri: Protesta kundër Qeverisë
“ Siç e patë policia e sulmoi protestën e opozitës së bashkuar. Sot e kishim një protestë madhështore, një ndër protestat më të mëdha në pas luftën e Kosovës, ku qytetarët e Republikës e shprehën kundërshtimin e tyre me këtë Qeveri dhe vendimet e saj në formë të marrëveshjeve dhe më pastaj e patë që policia intervenoi kundër protestës në mënyrë që ta ndëshkojë qytetarin e Republikës për pjesëmarrjen në protestë”, tha Ymeri .
Yrmeri gjithashtu shoti se qytetarët janë bashkuar në protestë, pasi sipas tij më nuk mund ta durojnë këtë Qeveri.
Ymeri: Qeveria nuk ka legjitimitet
“Mendoj që revolta e qytetarëve në këtë moment me këtë Qeveri që e ka shkel Kushtetutën, me këtë Qeveri që nuk ka kurrfarë legjitimiteti as politik e as legalitet institucional, është revoltë e cila mund të kuptohet për shkak se qytetarët e Republikës më nuk do ta durojnë një Qeveri shkelësish, të cilët në njërën anë rrezikojnë ta përmbysin rendin kushtetues të Republikës, e në anën tjetër plaçkitin përditë pasurinë dhe paranë e këtij qytetari të varfër”, tha Ymeri.
Në lidhje me veprimet e ardhme të opozitës së bashkuar Ymeri ka konfirmuar se protestat do të vazhdojnë.
Ymeri: Protestat do të vazhdojnë
“Po të shohim se si do të zhvillohet tash dhe natyrisht se do të kemi protesta edhe në ditët dhe javët në vijim deri sa kjo Qeveri largohet nga pushteti dhe këta s hkelës t’u pamundësohet që ta qeverisin vendin”, tha Ymeri.
Ndërsa lidhje me vendndodhjen e liderëve të partive të tjera të opozitës së bashkuar, pas eskalimit të situatës në këtë protestë, Ymeri tha se nuk e di ku mund të jenë ata
Ymeri: Nuk e di ku janë liderët e tjerë opozitarë
“Ata ishin në protestë siç e patë. Kjo ka qenë protestë e organizuar bashkë me dy subjektet opozitare, është protestë e opozitës së bashkuar. Në ndërkohë që tash kemi qytetarë nëpër rrugë të Prishtinës të cilët i ka shpërndarë policia dhe jemi duke u bllokuar. Kështu që aktualisht nuk e di se ku ndodhen”, tha Ymeri.
Ndërsa për mundësinë që qytetarët që hodhën koktej Molotovi në ndërtesën e Qeverisë, janë aktivistë të VV-së, Ymeri e ka mohuar këtë./K.Press