Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore – CSGD, Qendra për Emancipim Shoqëror – QESh dhe Qendra për Liri dhe Barazi – CEL dënojnë ashpër gjuhën degraduese, fyese dhe diskriminuese të përdorur nga anëtari i Komisionit për Punë të Jashtme dhe njëherësh deputet i Kuvendit të Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë takimit të Komisionit të mbajtur me datën 08.09.2015.
“Komuniteti LGBT shpreh shqetësimin e tyre në nivelin e respektimit të të drejtave të komunitetit LGBT të cilat janë të garantuara me Kushtetutën e Kosovës dhe legjislacionin në fuqi, nga ana e zyrtarëve qeveritar të Kosovës”, thuhet në reagimin e këtij grupi.
Komuniteti LGBT i ka bërë apel zyrtarëve qeveritarë të jenë të përgjegjshëm, korrekt dhe profesionalë gjatë ushtrimit të detyrës së tyre në bazë të dispozitave ligjore në fuqi në Republikën e Kosovës.
“Në emër të anëtarëve të komunitetit LGBT, ftojmë që z. Ramush Haradinaj të kërkojë falje publike për gjuhën e përdorur, nga që komuniteti LGBT ndjehet i ofenduar dhe i diskriminuar për shkak të qasjes së tillë nga një person zyrtar, i cili është në shërbim të shoqërisë kosovare dhe është i obliguar të respektoj të drejtat e çdo qytetari pa marrë parasysh orientimin seksual ose identitetin gjinor”, përfundon reagimi i tyre.
Ndryshe, gjatë mbledhjes së sotme të Komisionit për Punë të Jashtme, ku u diskutua në lidhje me demarkacionin mes Kosovës dhe Malit të Zi, lideri i AAK-së, anëtar i këtij komisioni, Ramush Haradinaj, e quajti “peder” kryetarin e këtij komisioni, Murat Mehën.