Valon Murtezaj që është këshilltar për punë të jashtme i kryeministrit Isa Mustafa, ka postuar në llogarinë tij në Facebook në lidhje me protestën e djeshme, njofton Klan Kosova.
Murtezaj ka përshkruar një vizitë në Washington ndërsa thotë se ka qenë shumë i emocionuar kur e ka parë flamurin e Kosovës aty.
Ai thotë se ky flamur është identiteti ynë nëpër botë. Shteti ynë është bërë njëherë ashtu siç mrekullitë ndodhin, vetëm një herë pra.
Kështu ai ka përmendur mungesën e simbolit shtetëror në protestën e djeshme të opozitës.
Murtezaj ka thënë se qeveritë shkojnë e vijnë, por ne nuk kemi Kosovë tjetër.
“Se skem Kosovë tjetër. Veç një. Veç këtë Kosovë e kemi”, ka shkruar Murtezaj duke u thirrur në protesta paqësore.
Ky është postimi i plotë i tij:
“Skem Kosovë tjetër. Veç një. Veç këtë Kosovë e kemi.
Zot i madh e i vërtetë, ka thënë Naim Frashëri. Të ju tregoj diçka.
Kur kam hyrë në ndërtesën e Departamentit të Shtetit në Washington, para disa vitesh, për herë të parë, si një studiues nga Kosova, dhe e kam pa flamurin e Republikës së Kosovës, të vendosur në rend në mesin e flamujve të vendeve të botës, lotët më kanë shkuar deri në mjekërr.
Një peshë të rëndë në grykë të fytit ndjeva, nga prekja dhe krenaria, e mu duk se krejt gurët e dheu i tokës së Kosovës mu mbledh në fyt.
Zemra dojke me më dal prej venit, e mu duk që të rrahurat po dëgjohen prej Washingtoni deri n’Prishtinë.
Në atë çast i thashë vetit, në më kërkoftë vdekja takim, si Alan Seegerit, ashtu u bëftë, do të shkoj i qetë në atë takim, se e pashë Kosovën të bërë.
Mos me qenë ky flamur me këtë hartë të artë të trollit të Kosovës, toka e Kosovës do të copëtohej hala ma shumë, si ka ndodh përgjatë shekujve.
Nëpër botë ky flamur është identiteti ynë, identiteti i sovranitetit të shtetit tonë të dashur.
Shteti i Kosovës njëherë është bërë. Ashtu siç mrekullitë ndodhin, njëherë.
Dje në protestë pa flamur të Republikës.
Nëse tjetër shtet bëhet në këtë vend, sdo të jetë qysh e duam ne.
Nëse flamur tjetër e duam në këtë vend, sdo të jetë veç si e duam ne.
8 a 100 mijë ka pak rëndësi.
8 a 100 mijë ka shumë rëndësi.
Qeveritë shkojnë e vijnë. Me vota demokratike përgjithmonë në Kosovën tonë.
Ubikuiteti i konfliktit të brendshëm, dhe përdorimi i dhunës politike, në Kosovë është shkatërrimtar për Kosovën tonë.
Paqësore, paqësore, o shok e mik, vetëm paqësore.
Se skem Kosovë tjetër. Veç një. Veç këtë Kosovë e kemi”.