Mediat amerikane, duke u thirrur në agjencitë e lajmeve, raportojnë për protestën e djeshme të opozitës ku thuhet se u zhvillua kryesisht paqësore, por me një përfundim të dhunshëm.
“Policia përdori ujë me presion dhe gaz lotsjellës që të shpërndajë një grup mbështetësish të dhunshëm të opozitës, të cilët sulmuan me gurë dhe koktej molotovi,” shkruan U.S. News & World Report. Kjo revistë qartëson se ‘dhuna erdhi në fund të tubimit paqësor, ku ju bë thirrje qeverisë të japë dorëheqjen, duke argumentuar se ekzekutivi ka shkelur kushtetutën e vendit me marrëveshjet me Serbinë dhe Malin e Zi.’
U.S. News më tej shkruan se ‘që nga shtatori i vitit të kaluar opozita ka bllokuar parlamentin e Kosovës me gaz lotsjellës, sprej, me bilbila dhe shishe me ujë, duke protestuar marrëveshjet. Qeveria thotë se opozita dëshiron të vijë në pushtet përmes dhunës dhe ka bërë thirrje për dialog në parlament, një thirrje e mbështetur edhe nga presidentja dhe bashkësia ndërkombëtare.’
Portali Huffington Post theksonte se ‘demonstruesit në Kosovë u përleshën me policinë dhe i vunë zjarrin selisë së qeverisë gjatë dhunës së fundit në shtetin e ri ballkanik mbi një marrëveshje me ish-sundimtarin e saj Serbinë.’ Në këto raportime nuk jepet një numër i saktë i demonstruesve, përveç portalit Yahoo, i cili përmes njoftimit të agjencisë franceze, AFP jepë shifrën e pjesëmarrësve në ‘rreth 10 mijë veta.’ Njoftimi thekson se ‘kundërshtarët e marrëveshjes besojnë se ajo do të thellojë ndarjen etnike dhe rritjen e ndikimit serb në Kosovë, me një popullsi 1.8 milionëshe etnike shqiptare dhe myslimane,’ thekson Yahoo News.