Lajmet e fundit

Gjykata hedh poshtë refuzimin e aktakuzës nga Enver Hasani!

(E plotësuar) Gjyqtarja Afërdita Bytyqi refuzon kërkesat e mbrojtjes së Hasanit dhe të tjerëve për hedhje poshtë të aktakuzës.

“Kjo çështje duhet të kalohet në shqyrtim gjyqësor dhe të procedohen provat e propozuara nga prokuroria si dhe nëse do të ketë edhe prova tjera me qëllim që të zbardhet  dyshimi i bazuar nëse të akuzuarit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen,” tha gjyqtarja Bytyqi.

Mbrojtja ka të drejtë ankese ndaj këtij aktvendimi, raporton Kallxo.com.

Së shpejti do të fillojë seanca e gjykimit të Enver Hasanit që akuzohet për mashtrim në detyrë.

Hasani që ishte nga viti 2009 deri në 2014 kryetar i Gjykatës Kushtetuese nga prokuroria akuzohet se në cilësinë e Rektorit të Universitetit të Prishtinës ka kryer veprën penale të mashtrimit në detyrë. Pjesë e këtij gjykimi bashkë me Hasanin janë edhe Hakif Veliu dhe Albert Rakipi.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, Hasani në cilësinë e rektorit të UP-së, Hakif Veliu si shef i Zyrës së Prokurimit në UP dhe Albert Rakipi si drejtor i Institutit për Studime Ndërkombëtare (ISN), si persona zyrtarë dyshohet se kanë falsifikuar kontratën origjinale “Përkthimi i Librave nga Gjuha Angleze në Gjuhën Shqipe për Nevojat e Universitetit të Prishtinës” të datës 5 dhjetor 2008.

Në kontratë vlera e saj ishte përcaktuar 500 mijë euro, ndërsa çmimi i pagesës për njësi -1000 fjalë 12.65 euro.

Gjithnjë sipas aktakuzës së prokurorisë, të pandehurit sipas marrëveshjes paraprake kanë lidhur një kontratë të re në të cilën kanë shfrytëzuar numrin e njëjtë të protokollit dhe datën e njëjtë të kontratës origjinale duke ndryshuar nenin 17 të kontratës, ashtu që në vend të çmimit për njësi-1000 fjalë 12.65 euro, kanë shënuar çmimin për njësi -1000 karaktere 12.65 euro.

Prokuroria pretendon se kjo i ka mundësuar përfitim më të madh Institutit për Studime Ndërkombëtare për numrin e njëjtë të shërbimit.

Seanca fillestare e këtij gjykimi u mbajt më 8 dhjetor. Në të Enver Hasani, Hakif Veliu e Albert Rakipi u deklaruan të pafajshëm.

Për aktakuzën Hasani pas kësaj seance e akuzoi kryeprokurorin e shtetit Aleksandër Lumezi.

/Kallxo.com

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.