Shkruan : Driton Tali
Disa nga rrenat e Hashim Thaçit për Zajdenicën
Thaçi: Asociacioni Serb si OJQ
27 Shkurt 2013
Thaçi tha se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe në Kosovë, për themelimin e të cilit është pajtuar me homologun e tij serb, Daçiq, në Bruksel, nuk do të ketë rol ekzekutiv, e as ligjvënës. “Është një shoqatë, është një OJQ që është e përcaktuar me dokumentin e Ahtisaarit, Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet e Kosovës”, u shpreh ai.
Fjala e kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
12 mars 2013
… Serbia pra, sipas kryeministrit Daçiq, dëshiron që asociacioni apo siç Serbia preferon ta quajë ‘bashkësia e komunave me shumicë serbë në Kosovë’, të jetë një trup politik, i cili zgjedhet në mënyrë të drejtpërdrejt dhe ka kompetenca ekzekutive. Pra këto janë kërkesat dhe dëshirat e Serbisë.
Natyrisht, që një propozim i tillë të Serbisë, ne e kemi hedhur poshtë si tërësisht të papranueshëm dhe të parealizueshëm në shtetin e Kosovës.
Ju e dini, ashtu siç e di edhe unë, se de facto dhe de juro, propozimi i Serbisë synon krijimin e nivelit të tretë të pushtetit dhe rrjedhimisht themelimin e një Republike Srpska të dytë, që kurrë nuk do të pranohet nga ana jonë, dhe kjo do të minonte shtetin tonë. Prandaj, një gjë e tillë as që do të diskutohet, as që do të pranohet, e as që do të mund të realizohet kurrë në Kosovë.
Thaçi: Asociacioni i Komunave nuk ka kompetenca ekzekutive
25 Qershor 2015
Hashim Thaçi ka bërë të ditur se Asociacioni i Komunave nuk e shkelë Kushtetutën e Kosovës. “Unë dëshiroj t’i siguroj qytetarët e Kosovës se Asosacioni nuk do të ketë asnjë bazë të karakterit legjislativ jashtë Kushtetutës së Kosovës”.
“Ka pasur çështje të ndjeshme si Asosacioni i Komunave Serbe. Pala serbe ka tentuar, ka kërkuar që asosacionit t’i jepet karakter ekzekutiv, por, në fund të gjithë janë pajtuar që asosasconi të jetë nën Kushtetutën e Kosovës. Do të jetë një asosacion i formuar në Kosovë dhe do të jetë i regjistruar në këtu dhe do të funksionojë sipas legjislacionit të Kosovës”, ka thënë Thaçi.
Hashim Thaçi: Ja çfarë kompetenca do të ketë Asociacioni
23 Gusht 2015
Një Asociacion ky që nuk do të ketë asnjë karakter ekzekutiv”.“Është vetëm i vullnetit të mirë. Një mundësi e komunikimit ndërkomunal në Kosovë”.
Thaçi: Asociacioni do të ketë zero kompetenca ekzekutive
25 Gusht 2015
“Ne tashmë e kemi një draft marrëveshje të përafruar dhe Asociacioni nuk paraqet asgjë më shumë se sa një NGO (OJQ)… Me këtë draft të marrëveshjes shuhet edhe ëndrra e Serbisë për krijimin e Republikës Srpska-s në Kosovë apo të ndonjë autonomie dhe ekstra-territorialiteti në Kosovë. Pra, Asociacioni do të ketë zero kompetenca ekzekutive”,
Hashim Thaçi: Serbia u detyrua të nënshkruaj marrëveshjen, Asociacioni vetëm OJQ.
25 Gusht 2015
“Serbia u detyrua në fund që të pranojë marrëveshje, edhe pse ka refuzuar gjatë gjithë ditës. Pala serbe kërkonte që Asociacioni të jetë me karakter ekzekutiv, por kjo nuk është pranuar as nga pala kosovare e as nga ajo ndërkombëtare. Asociacioni do të jetë një OJQ, që komunat të bashkëpunojnë ndërmjet veti, ngjashëm sikurse është Asociacioni aktual i Komunave”, ka thënë ai.
Thaçi: Asociacioni konform ligjeve të Këshillit Evropian dhe BE-së
23 Tetor 2015
Më duhet të ndalem e të shpjegoj se parimet e organizimit dhe funksionimit të Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe, jo vetëm që respektojnë legjislacionin kosovar në fuqi, por janë edhe parime të njohura e të përhapura në mbarë Evropën.
Hashim Thaçi për Zajednicën në Klankosova
26 Tetor 2015
Unë flas me bindje të plotë, para gjithë qytetarëve të Kosovës, me përgjegjësinë më të lartë kombëtare politike dhe shtetërore, se Asociacioni është plotësisht në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës. Nëse me të vërtetë Gjykata Kushtetuese konstaton ka ndeshje mes dokumentit të Asociacionit të komunave me shumica serbe dhe legjislacionit kosovar, atëherë ne të japim llogari.
Hashim Thaçi: Nuk do të ketë rinegocim të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave Serbe
28 Dhjetor 2015
Hashim Thaçi ka vlerësuar se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është këshillëdhënës për Qeverinë e Kosovës në lidhje me Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ai ka paralajmëruar se ky opinion i kushtetueses do të respektohet plotësisht nga Qeveria e Kosovës.