Lajmet e fundit

Integrohen edhe 378 pjesëtarë të “Civilna Zastita”-s

378 pjesëtarë të mbetur të të ashtuquajturës “Civilna Zastita” kanë nënshkruar të hënën në Zyrën Administrative në veri të Mitrovicës kontratat e punës me institucionet kosovare.

Këtë e ka konfirmuar për KosovaPress, drejtoresha e Administratës në komunën e Mitrovicës Veriore, Adriana Hoxhiq.

“Këtu janë edhe përfaqësuesit e ministrive përkatëse dhe ne po ndihmojmë në logjistikë, nëse ka nevojë për ndonjë dokument shtesë dhe të ngjashme sa i përket këtyre personave. Mund të konfirmoj se marrëveshja po zbatohet, por nuk di më shumë detaje”, ka thënë Hoxhiq.

Nuk dihet se këta persona ku do të punojnë dhe kur do të futen në listën e pagave të buxhetit të Kosovës.

Sipas raportit të Qeverisë së Kosovës që ishte bërë publik nga mediat serbe më parë, gjithsej 483 personat e paraparë (ish-pjesëtarë të “Civilna Zastita”), në pajtim me planin e integrimit të Qeverisë së Kosovës, do të punësohen në spektrin e gjerë të institucioneve kosovare.

“105 persona ish pjesëtarë të Civilna Zastita-s, tani janë duke punuar dhe marrin paga nga buxheti i Kosovës nga shtatori i vitit 2015, ndërsa 378 persona do t’i nënshkruajnë kontratat deri në fund të vitit 2015 dhe do të fillojnë të punojnë e t’i marrin pagat nga 1 janari i vitit 2016”, është thënë mes tjerash në këtë raport.

Leave a Reply

Your email address will not be published.