Lajmet e fundit

Agron Demi: Qytetarët nuk duhet të paguajnë injorancën e ministrave milioner!

Drejtori i Institutit GAP, Agron Demi ka reaguar ndaj angazhimit të një kompanie ndërkombëtare për mbrojtjen ligjore të Kosovës ndaj padisë së ngritur nga ana e AXOS për privatizimin e PTK-së, e cila po kërkon miliona euro dëmshpërblim. Demi në një shënim në Facebook ka theksuar se qytetarët e Kosovës nuk duhet të paguajnë injorancën e ministrave milioner.

Shënimi i plotë i Demit:

Javën e kaluar, Qeveria e Kosovës angazhoi një firmë ligjore ndërkombëtare për të mbrojur Kosovën ndaj akuzave të Axos për procesin e privatizimit të PTK.

Firma ligjore dhe dënimi eventual do të paguhen nga taksat e qytetarëve. Kurse ata të cilët kanë menaxhu me procesin e privatizimit të PTK që nga viti 2010 e këndej nuk japin asnjë përgjegjësi politike e ligjore: njëri, Besim Beqaj, vazhdon të mburret me kohën e tij si ministër i MZHE, e tjetri, Fadil Ismajli, vazhdon të paguhet deri 10 mijë dollarë në muaj si ekspert në projektet e USAID jashtë vendit.

Secili lider politik ka imunitet ligjor për veprimet e tij gjatë mandatit qeverisës, por ky imunitet nuk mund të shtrihet deri në atë masë kur paraja publike dëmtohet QËLLIMSHËM për dhjetëra miliona euro.

Dëmi është i qëllimshëm ngase që nga tenderi i parë për shitjen e PTK, qeveria ka injoruar këshillat për të udhëhequr një proces transparent, që privatizimi të mos bëhet në kohën e krizës financiare globale, të ketë kritere të qarta (përveç çmimit më të lartë) me qëllim që ti pamundësohet aplikimi fondeve investive të cilat nuk kanë ekspertizë në menaxhim të telekomeve, si dhe, më të rëndësishmet: të respektohet Ligji për prokurimin publik, të mos ndryshohen rregullat e lojës në mes të procesit të privatizimit dhe të merret pëlqimi i Kuvendit gjatë tërë procesit e jo të kërkohet vetëm legjitimimi në fund.

Deri më tani janë shpenzuar miliona euro në këshilltar të transakcionit, kurse PTK ka pësuar humbje milionëshe nga vendimi për mos të investuar në zhvillim. Tani rrezikohen të humben me dhjetëra miliona euro në proces gjyqësor.

Andaj, krahas procesit gjyqësor në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Kontesteve Investive, Prokuroria e Kosovës duhet të filloj edhe proces gjyqësor ndaj personave përgjegjës për dëmtim të interesit publik.

Qytetarët nuk duhet të paguajnë injorancën e ministrave milioner.

Leave a Reply

Your email address will not be published.