Lajmet e fundit

PD: Presidentja urgjentisht të organizojë tryezë bisedimesh me partitë parlamentare

Partia e Drejtësisë, përmes një komunikate, ka thënë se mbështet të drejtën për të protestuar, por, në të njëjtën letër drejtuar mediave gjykon ashpër vandalizmin e një pjese të protestuesve si dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private në fund të protestës e cila pat një fillim paqësor.

Aty, kjo parti – që është pjesë e koalicionit parazgjedhor me PDK-në – thekson se opozita aktuale edhe nëse nuk e respekton pozitën aktuale, e ka obligim Kushtetues dhe ligjor që të respektojë organet shtetërore të Republikës së Kosovës.
“Partia e Drejtësisë shpreh keqardhje të thellë për vazhdimin e polarizimit të skajshëm të pozitës dhe opozitës politike dhe shpreh bindjen se kjo mund t’i sjellë dëme të pariparueshme shtetit të ri të Kosovës, që me aq mund dhe sakrifica po e ndërtojmë. Mbështetur në këtë, Partia e Drejtësisë fton Presidenten e Kosovës që urgjentisht të organizojë tryezën e bisedimeve të gjithë spektrit politik të vendit përfshirë kryetarët e të gjitha subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, për ta shqyrtuar krizën e krijuar politike dhe për të renditur aktivitetet për tejkalimin e saj”, thuhet në njoftim.
Partia e Drejtësisë konsideron se në këto momente të vështira politike është më se e nevojshme mbështetja e miqve të dëshmuar të Kosovës e përfaqësuesve të pesë shteteve të Quintit për avancimin e proceseve demokratike në vend.
“Si subjekt politik parlamentar i dëshmuar në përpjekjet për ekuilibrimin e skenës politike të vendit, PD qëndron e gatshme të kontribuojë për gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme për qytetarët dhe gjithë spektrin politik të vendit. Mbi këto baza PD fton të gjithë spektrin politik që të reflektojë dhe të bëhet pjesë e procesit që afirmon e jo mohon, që ndërton e jo rrënon dhe që ruan dhe qon përpara shtetin tonë të ri-Kosovën e lirë demokratike dhe sovrane, si faktor paqe dhe stabiliteti në Ballkan”, thuhet në njoftim.

Leave a Reply

Your email address will not be published.