Sonte në emisionin “Puls” të KTV-së u diskutua për dukurinë e fajdeve në vendin tonë. Policia dhe prokuroria bënë sonte apel disa herë që të lajmërohen rastet që mos të shkatërrohen familje të tëra nga kjo dukuri.
Të ftuar në emision ishin Nebih Hoti, shef i Sektorit për Krime Ekonomike në kuadër të Drejtorisë për Krime Ekonomike në Policinë e Kosovës, Avdyl Gashi – Sociolog dhe Sylë Hoxha-Kryeprokuror në Prokurorinë e Prizrenit.
Nebih Hoti tha se Policia e Kosovës ka nisur me të madhe luftën kundër fajdeve, dukuri kjo që tha se është përhapur shumë dhe prek të gjitha shtresat.
Kurse sociologu Avdyl Gashi tha se fajdja, si formë e krimit të organizuar, është kredi e zezë që mund të çojë deri në vetëvrasje.
“Fajdeja definohet si kredi e zezë dhe mund të çojë deri në vetëvrasje. Problemi i fajdeve është problem i vendeve në tranzicion dhe është fenomen i izoluar sepse fajdexhinjtë i qërojnë hesapet mes vete”, tha Gashi, raporton Koha.net.
Kurse Hoti tha se fajdexhinjtë veprojnë përmes ndihmësve të vet dhe funksionojnë si grupe të organizuara dhe shumë mirë të strukturuara dhe viktima kalon nga një fajdexhi tek tjetri, “pra i viziton krejt fajdexhinjtë”.
“Kemi profile të ndryshme të fajdexhinjve. Kemi fajdexhi që sillet prej kafenesë në kafene, kemi kategorinë tjetër që bën biznes siç janë restorantet ekskluzive, tregtia me vetura (autosallonet), tregtia me telefona mobil (mobilshopet), ndërsa janë tatimpagues të mirë në ATK. Fajdeja ka hy si proces edhe në ndërtime të larta, pra për shpëlarje klasike”, tha Hoti.
Sylë Hoxha, Kryeprokuror në Prokurorinë e Prizrenit, tha se secilin vit kemi raste më shumë të fajdeve që i ndjekim.
“Në Prizren ka shumë fajdexhi por jemi duke i ndjekur. Qytetarët po e lajmërojnë këtë dukuri, por nga kjo dukuri njerëzit kanë po ikin nga vendi. Ka raste kur qytetarët kanë bërë dhe vetëvrasje, por kanë ndodhur edhe vrasje”, tha Hoxha.
Nebih Hoti, shef i Sektorit në Krime Ekonomike, tha se pasojat e viktimave të fajdes janë të tmerrshme.