Avokati mbrojtës i Endrit Shalës, i cili është i akuzuar së bashku me Fatmir Limajn e Nexhat Krasniqin, për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e njohur si MTPT, tha se prokuroria nuk është e përgatitur për këtë rast.
“Është evidente se prokuroria nuk është e përgatitur në këtë rast, ata na kanë dorëzuar shumë dokumente që nuk kanë vlerë provuese dhe është krijuar një labirint edhe i dokumenteve dhe kur po vjen çështja me identifiku një problem, ose një dokument të caktuar, nuk po mundet me u gjend. Referencat që janë përcaktua dhe dokumentet nuk korrespondojnë dhe pa u sqaruar këto ne nuk mund të vazhdojmë më tutje,” tha Koci.
Këto parregullsi Koci tha se po i shkelin të drejtat e mbrojtjes
“Unë absolutisht nuk mundem me u përgatit pa dokumentet në të cilat thirret prokuroria dhe unë nuk i kam, ose i kam gjysmake dhe të drejtat e mbrojtjes shkelen nëse prokuroria nuk na i siguron të gjitha provat në të cilat është thirrur në aktakuzë,” tha Koci.
Për mungesë të shkresave të lëndës avokatët në këtë proces gjyqësor u ankuan edhe në seancën e kaluar më 6 janar.
Në këtë rast të akuzuar janë Fatmir Limaj, Nexhat Krasniqi, Endrit Shala, Shpëtim Telaku dhe Florim Zuka. Limaj, Shala e Krasniqi akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare në ish-Ministrinë e Transportit dhe Telekomunikacionit.
Aktakuza e prokurorisë i ngarkon Limajn dhe të tjerët se gjatë viteve 2008-2010 kanë formuar një grup kriminal qëllimi i të cilit ishte që t’u jepnin kontrata të favorshme për ndërtimin e rrugëve kompanive me premisat që një shumë prej 20 për qind të vlerës së përgjithshme të kontratave t’i jepej këtij grupi, thuhet në aktakuzën e prokurorisë .
Limaj dhe të gjithë të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm lidhur me këtë aktakuzë më 30 tetor. Atë ditë Limaj kishte thënë se kjo aktakuzë është e ngritur me urdhër politik.