Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, ka thënë se opozita nuk do ta çojë larg organizimin e protestës së radhës, por nuk ka specifikuar datën e saktë të thirrjes së saj. Ai ka thënë se nuk pret që do të ketë seancë, në të cilën Hashim Thaçi do të votohej për postin e presidentit të shtetit.
Por ka garantuar se metodat do të jenë të njëjta me ato të protestës të së shtunës.
“Do të ketë protesta të reja, për aq sa nuk do të ketë vendime të qeverisë për tërheqje nga Marrëveshjet e dëmshme. Nuk do të jenë nesër e pasnesër, por as nuk do të jetë periudha të gjata pa protesta”, ka thënë Selimi.
Kjo kohë, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së, duhet t’i shërbejë Qeverisë për të reflektuar që të tërhiqet.
“Dorëheqja nuk është më akt moral, por është detyrim ligjor”, ka thënë Selimi.
Ai ka treguar se do të vazhdojë edhe bllokada në Kuvendin e Kosovës.
Selimi e ka quajtur cinike dhe arrogancë politike një deklaratë të Thaçit, dhënë më herët se e tërë opozita nuk ka vota sa partia që ai udhëheq.
Selimi ka thënë se nuk pret që do të ketë seancë, në të cilën Hashim Thaçi do të votohej për postin e presidentit të shtetit.
Ai thotë se koalicioni qeverisës shpreson në atë seancë për shkak të një interesi të përbashkët “nga tre persona”.
Edhe pse Selimi thotë se opozita do të vazhdojë bllokadën në Kuvend dhe nuk do të lejojë mbajtjen e seancave, ai thotë se kjo seancë “është shpresë për Thaçin që të fitojë postin e presidentit, e Mustafës për vazhdim të koalicionit dhe personi i tretë që do të përfitonte nga kjo seancë do të ishte ai që do të marrë udhëheqjen e PDK-së”.
Ai ka ripërsëritur qëndrimin se “vendi nuk duhet të vijë fare deri te ajo seancë”.
Deputeti i Vetëvendosjes është shprehur i bindur se ata që kanë hedhur koktej molotovi në drejtim të Policisë së Kosovës dhe ndërtesës së Qeverisë së Kosovës nuk janë aktivistë të Vetëvendosjes, e as që kanë qenë pjesë e organizimit të protestës të së shtunës.
Selimi ka kujtuar se si ka tentuar t’i ndalë, por ka thënë se e ka pasur të pamundur ta bëjë këtë, meqë “kanë qenë njerëz të shumtë dhe të rinj të mllefosur”.
“Ata nuk kanë qenë pjesë e organizimit tonë. Sikur të ishte pjesë e organizimit tonë do të mund të komentoja. Asnjërin nga ata nuk e kam identifikuar dhe nuk e kam njohur. Asnjërin pa përjashtim. Sikur të kisha njohur do të kisha ndikim që t’i ndalojë. Do të doja t’i identifikoja, sepse ashtu do ta kisha më të lehtë t’i ndaloja”, ka thënë Selimi.
Deputeti Selimi, ka thënë se përgjegjëse për eskalimin e kaluar por edhe atë të ardhshëm të mundshëm, mbetet Qeveria e Kosovës, përcjell Koha.net.
“Sepse është në dorën e saj që të ndalë këtë që po ndodh. Duhet thjeshtë të tërhiqet”, ka thënë Selimi.