Nuk do të ketë ndryshime, as rinegocim të marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe. Gjykata Kushtetuese për asnjë pikë të vetme të marrëveshjes nuk ka konstatuar shkelje të Kushtetutës ka thënë Besnik Berisha, këshilltarë për çështje juridike i kryeministrit Isa Mustafa.
Berisha tha se do të respektohen në përpikëri aktet juridike të dhëna nga Gjykata Kushtetuese.
“Nuk do të ketë ndryshime të marrëveshjes, respektivisht rinegocim të marrëveshjes sepse Gjykata Kushtetuese për asnjë pikë të vetme të marrëveshjes nuk ka konstatuar shkelje të Kushtetutës. Ka konstatuar mos plotësim të standardeve dhe ka dhënë disa vërejtje të cilat duhet të kihen parasysh nga hartuesit e statutit dhe ata që duhet të merren me nënshkrimin, respektivisht përpilimin e aktit juridik me të cilin i hapët rrugë themelimit të Asociacionit. Sigurisht, do të respektohen në përpikëri arsyetimet e dhëna nga Gjykata Kushtetuese dhe të mbrohet legjislacioni me karakter vital të Republikës së Kosovës dhe do të mbrohet kushtetutshmëria e këtij vendi”, është shprehur Berisha, për kp.
Ai ka thënë gjithashtu se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nëse lexohet në tërësi të saj është i kuptueshëm, mirëpo nëse shikohet pjesë-pjesë sigurisht që ka një paqartësi në vete, ngase gjykata, sipas tij, nuk ka sqaruar mos përmbushjen e standardit dhe nuk ka treguar se çfarë do të duhej të përmbante një dispozitë e caktuar e parimeve dhe elementeve kryesore për themelimin e Asociacionit.
Ndërsa sipas tij nëse shikohet pjesë-pjesë aktgjykimi i GJK-së, atëherë ka paqartësi.
“Gjykata Kushtetuese nxori një aktgjykim për bindjen time jo mjaftueshëm i sqaruar dhe i kristalizuar. Sidoqoftë asnjë aktgjykim mbase nuk mund të arrij 100 për qindëshin e qartësisë juridike të nevojshme. Por është i mjaftueshëm për të mbrojtur ligjshmërinë dhe siguruar kushtetutshmërinë e këtij vendi. Në qoftë se aktgjykimi shikohet në tërësi atëherë mendoj që është mjaftueshëm i kuptueshëm se çfarë duhet të bëhet me akte tjera të cilat pasojnë në këtë aktgjykim. Në qoftë se shihet pjesë-pjesë sigurisht që ka një paqartësi në vete, sepse gjykata nuk ka sqaruar mos përmbushjen e standardit dhe nuk ka sqaruar se çfarë do të duhej të përmbante një dispozitë e caktuar e parimeve dhe elementeve kryesore për themelimin e Asociacionit, në mënyrë që të ishte në përshtatshmëri të plotë me Kushtetutën”, tha Berisha.
Berisha tha se opozita po bënë interpretim të gabuar të aktgjykimit dhe se sipas tij Qeveria do vazhdojë të punojë në hartimin e aktit juridik të cilin e ka kërkuar GJK-ja.
“Qeveria i kishte të paralajmëruara aktet e saja e sigurisht e sigurisht që do të procedohet paralelisht me hartimin e statutit dhe marrjen e këshillave tjera plotësuese për të qenë qind për qind në përputhje me kushtetutën dhe frymën kushtetuese, të cilën e ka kërkuar Gjykata Kushtetuese. Qeveria po ashtu do të punojë në hartimin e aktit juridik të ashtuquajturin dekret siç parashihet në marrëveshjen dhe kur këto të dyja të krijohen edhe të hartohen në përputhje me Kushtetutën dhe kur të sigurohet kushtetutshmëria e tyre do të procedohen më tutje për aprovim qoftë këtu, qoftë në marrjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Unë mendoj që opozita që nga fillimi e ka bërë një interpretim të gabuar të marrëveshjes ose parimeve të Asociacionit. Deklarimet e opozitës se marrëveshja është në shkelje të 23 neneve unë kam përshtypjen që nuk janë deklarime të bazuara nuk reflektojnë në aktgjykim por opozita e sheh aktgjykimin pjesë-pjesë nuk e lexon si tërësi . Po të lexohet në tërësi, e para në mënyrë kategorike mohohet shkelja e kushtetutës nga kryeministri siç pretendohet nga opozita”, ka thënë ai.
Këshilltari për çështje juridike i kryeministrit Mustafa po ashtu tha se në aktgjykim të gjykatës thuhet në që akti i themelimit të Asociacionit nuk janë parimet e datës 25, por Asociacioni themelohet me marrëveshjen e ratifikuar në Kuvendin e Kosovës me 84 vota ku shumica e deputetëve të kësaj opozite ishin dakorduar për atë marrëveshje dhe për themelimin e Asociacionit, e që sot natyrshëm për interesa politike po e kontestojnë.
Nuk do të “bosnjëzohet” Kosova ka thënë Berisha.
“Theksi dhe shqetësimi i GJK-së ishte më shumë për ruajtjen e kompetencave ligjore te komunat me shumicë serbe, pra që komunat mos të privohen nga e drejta dhe siç pretendohet për një “bosnjëzim” për një qasje direkte të institucioneve të Serbisë në institucionet e Republikës së Kosovës e që rrjedhimisht pretendohet që është cenuar sovraniteti i Republikës së Kosovës”, tha Berisha.
Berisha po ashtu tha se Asociacioni i komunave me shumicë serbe në asnjë mënyrë nuk do të ketë kompetenca ekzekutive.