Lajmet e fundit

Delawie mbështet investimet në teknologjinë amerikane në Telekomin e Kosovës

Ambasadori amerikan, Greg Delawie, përgëzoi Drejtorin Menaxhues të Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, për implementimin e teknologjive të fundit 3G dhe 4G dhe kjo mundësohet falë investimeve në teknologjinë amerikane në zgjerimin e rrjetit dhe shërbimeve tjera telekomunikuese, duke thënë se teknologjitë amerikane duhet të jenë edhe më shumë prezente në Kosovë. Këto teknologji do të sjellin shërbime kualitative dhe internet të shpejtë për secilin qytetar të Kosovës.

Këto zhvillime teknologjike i vërejti për së afërmi ambasadori amerikan Greg Delawie gjatë një vizite që realizoi të martën në Telekomin e Kosovës, së bashku me ministrin për Zhvillim Ekonomik, Blerand Stavileci, ku u pritën nga Drejtori Menaxhues Telekomit të Kosovës, z Agron Mustafa.

“Është mbresëlënëse të shoh në Telekomin e Kosovës zhvillimin e teknologjive amerikane dhe sesa ka përparuar kjo teknologji. Interneti është një shërbim që mundëson komunikimin mes njerëzve dhe zhvillimin ekonomik dhe është po aq i nevojshëm sa infrastruktura tjetër si energjia dhe rrugët. Telekomi i Kosovës së shpejti do të mbulojë me këtë teknologji më shumë se 90 për qind të territorit të Kosovës dhe unë i përgëzoj për këtë. Kosova po investon në zgjerimin e kësaj infrastrukture, e cila po realizohet nga kompania amerikano-franceze Alcatel Lucent. Për këtë përgëzoj Drejtorin Menaxhues Agron Mustafa dhe Bordin e Drejtorëve”, deklaroi ambasadori amerikan, Greg Delawie.

Drejtori Menaxhues i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, bëri të ditur se Telekomi i Kosovës, si kompani lidere në ofrimin e shërbimeve telekomunikuese, përfshirë edhe internetin e shpejtë, do të mbulojë deri në 95 përqind të territorit të Kosovës me rrjetin e internetit të shpejtë 4G dhe do të sjellë një kualitet të paparë deri tani.

“Jemi shumë të kënaqur nga vizita e ambasadorit amerikan z. Delawie dhe ministrit z. Stavileci, vizitë që ka karakter informues dhe mbështetës për investimet amerikane në Kosovë. Dëshiroj të bëj publike faktin që me kompaninë amerikano-franceze, Alcatel Lucent, e cila është prezente që prej 16 vjetësh në Kosovë dhe në Telekomin e Kosovës, kemi nënshkruar kontratë për zgjerimin e rrjetit të internetit të shpejtë 4G. Deri në fund të vitit të ardhshëm do të jetë e mbuluar pothuajse e gjitha Kosova apo mbi 95 përqind e territorit të banuar. E gjitha do të jetë me teknologji amerikane, siç e tha edhe ambasadori dhe është një prej teknologjive më të avanncuara”, tha Drejtori Menaxhues i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa.

Nga ana e tij, ministri për Zhvillim Ekonomik, Blerand Stavileci, theksoi se Qeveria e Kosovës dhe ai personalisht mbështesin çdo investim amerikan në Kosovë, përfshirë edhe këtë në Telekomin e Kosovës.

Viti i kaluar ka qenë një vit shumë domethënës dhe me shumë zhvillime në Telekomin e Kosovës. Investimet që pritet të realizohen gjatë këtyre dy viteve do të ndihmojnë që të kemi shërbime shumë cilësore, sikurse në vendet më të zhvilluara”, pohoi ministri Stavileci.

E njëjta kompani amerikane Alcatel Lucent, ka kryer më herët edhe investimet për instalimin e rrjetit 3G dhe 4G, investimet të cilat u përuruan në prill të vitit të kaluar.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.