Pala kosovare në bisedimet me Serbinë e ka listën e temave për dialog gjatë vitit. Ende pa u shuar dilemat për demarkacionin Kosovë- Mali i Zi, Kosova pritet të fillojë dialogun për demarkacion me një shtet tjetër.
Kësaj radhe, Kosova do t’ia nisë bisedimeve për ta caktuar vijën kufitare me një shtet i cili nuk ia njeh pavarësinë dhe, rrjedhimisht, as kufijtë e saj.
Bëhet fjalë për demarkacionin me Serbinë. Një gjë të tillë e ka konfirmuar për KALLXO.com, ministrja e Kosovës për Dialog, Edita Tahiri.
Ajo tha se ende nuk dihet saktë se kur do të fillojnë takimet në Bruksel, pasi që gjatë kësaj jave në Kosovë pritet të qëndrojë një delegacion i lartë nga Brukseli i drejtuar nga Angelina Eichorst, një përfaqësuese e kryediplomates së BE-së, Federica Mogherini.
“Çështjet që ne dëshirojmë t’i diskutojmë në këtë fazë, në 2016 është demarkacioni i kufirit në mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë”, tha Tahiri për KALLXO.com.
Ndërsa tema tjera që, sipas saj. pritet të ngiten në fillim të vitit 2016 është edhe zhbërja e të gjitha strukturave paralele të Serbisë në Kosovë, që është edhe kusht i Kosovës, dhe themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Para se të fillojë procesi i hartimit të statutit që ende s’ka filluar (për Asociacionit) në të njëjtën kohë do të fillojë puna e grupeve në Bruksel, për të zhbërë të gjitha strukturat paralele të Serbisë në Kosovë”, tha ministrja Tahiri.